Rezultatet paraprake nga një studim në Mbretërinë e Bashkuar sugjerojnë që marrja e dozës së dytë të vaksinës COVID-19 nga një markë tjetër nga doza e parë është e sigurt, por mund të shoqërohet me efekte anësore të lehta, si dhembje koke, temperaturë ose ethe.
Studimi ka analizuar më shumë se 800 të rritur të moshës 50 vjeç e lart, të cilët kishin marrë doza të përziera vaksine në një interval katërjavor.
Studiuesit zbuluan se me dy dozat e vaksinave nga kompani të ndryshme që ata po analizonin, doza e parë Pfizer e ndjekur nga AstraZeneca dhe AstraZeneca e ndjekur nga Pfizer, në të dyja rastet efektet anësore më të shpeshta pas dozës së dytë kur krahasohen me ata persona që i kanë marrë të dyja dozat nga e njëjta kompani.
Nuk ka ende rezultate se sa efektive janë vaksinat kur administrohen në këtë mënyrë. Të dhënat mbi efikasitetin pritet të publikohen muajin tjetër. Studimi gjeti një rritje të theksuar të problemeve të përkohshme, duke përfshirë ethe dhe lodhje, pas marrjes së dozës. Këto efekte anësore varionin nga të lehta në të moderuara, por zgjasnin shumë pak ditë, thonë studiuesit. Nuk u zbulua ndonjë rast tejet shqetësues dhe me efekte anësore të rënda.
“Këto janë efektet anësore që ne presim dhe ato janë pak a shumë të njëjtat edhe kur kemi të bëjmë me vaksina ku të dyja dozat janë nga e njëjta kompani”, tha Matthew Snape, profesor i asociuar në pediatri dhe vaksinologji në Universitetin e Oksfordit. “Ato thjesht po ndodhin më shpesh”.
“Ne jemi duke monitoruar çdo gjë me një kujdes shumë të madh” dhe të dhënat e para po duken të favorshme, tha Dr. Theresa Tam, shefe e shëndetit publik në Kanada. Megjithatë ajo paralajmëroi që duhet të presim të dhëna për përgjigjen imune për të qenë të sigurtë. Gjëja më e rëndësishme nga këto rezultate të hershme është se njerëzit që marrin doza vaksinash nga kompani të ndryshme duhet të planifikojnë që të pushojnë pak më shumë në krahasim me marrjen e dozës së dytë.
“Kjo thjesht po na tregon se si duhet të menaxhohen ditët e para pas imunizimit dhe se çfarë duhet të presim, sesa një alarm sigurie mbi atë që mund të ketë ndonjë implikim të mundshëm afatgjatë”.
“Këto të dhëna iu prezantuan vendeve, përfshirë Kanadanë, të cilat po marrin në konsideratë faktin e bërjes së dozës së dytë të vaksinës nga një kompani ndryshe nga ajo e dozës së parë”, tha Snape.
Disa provinca, përfshirë Ontario, Alberta, Saskatchewan dhe Manitoba, kanë ndaluar së ofruari AstraZeneca si dozën e parë. Qasja po ndryshon për shkak të mungesës së furnizimit, por edhe se rreziku i zhvillimit të mpiksjeve serioze të gjakut pas dozës së parë të AstraZeneca ka ndodhur më pak e rrallë sesa mendohej më parë, në Ontario për shembull një në 55 mijë persona.
Tania Watts, profesore e imunologjisë në Universitetin e Torontos e cila mori AstraZeneca si dozën e parë, është ndër ato që ndihen të sigurta nga rezultatet e hershme të studimit të Mbretërisë së Bashkuar.
“Gjëja e parë është që është e sigurt të marrësh dy doza nga kompani të ndryshme, nuk ka asgjë të rrezikshme që ka ndodhur apo asnjë reagim i çuditshëm”, tha Watts për CTV News.
Nëse keni marrë Pfizer si dozën tuaj të parë, për shembull, Watts tha që ju ndoshta duhet të merrni po Pfizer si dozën tuaj të dytë, por nëse keni marrë AstraZeneca si dozën tuaj të parë dhe nuk jeni të sigurt për furnizim për dozën e dytë, të dhënat mbështesin marrjen e Pfizer për dozën tuaj të dytë.
Në studimin në Mbretërinë e Bashkuar, ata që morën AstraZeneca si dozën e tyre të dytë përforcuese përjetuan nivele pak më të larta të efekteve anësore sesa ata që morën Pfizer si dozën e tyre e dytë përforcuese, me 47 për qind të atyre që morën AstraZeneca pas Pfizer raportuan se kishin ethe, krahasuar me 34 për qind të atyre që morën Pfizer pas AstraZeneca.
Snape shpjegoi se brenda studimit, simptomat e lehta u përcaktuan që nuk kanë shumë ndikim në aktivitetet e përditshme të njerëzve ndërsa simptomat e moderuara kanë më shumë ndikim në jetën e përditshme, por personi është në gjendje të kryejë punët e tij.
Rreth 17 deri në 20 për qind përjetuan simptoma të përkohshme mjaft të rënda për të ndikuar në jetën e përditshme, ku efekti anësor që u raportua se u ndesh me shpesh ishte lodhja.
Në fazën tjetër të studimit, ku po merret në analizim një interval 12-javor midis dozave, ata do të pyesin pjesëmarrësit më shumë për ndikimin në jetën e tyre dhe nëse do të duhej ta merrnin të nesërmen pushim nga puna, ndër të tjera.
Të dhënat më të rëndësishme do të publikohen në qershor në lidhje me faktin nëse përdorimi i dy dozave nga kompani të ndryshme mund të ketë rezultat të mirë ose më të mirë sesa ai i përdorimit të dy dozave nga e njejta kompani./CTV National News