Studimi: Modeli ekonomik ka prodhuar pabarazi, 66% e shqiptarëve e konsiderojnë problem

15/03/2021 11:01 PM 0 komente

Modeli ekonomik që ka ndjekur Shqipëria në këto tre dekada të tranzicionit ka rritur pabarazinë mes qytetarëve, duke favorizuar një shpërndarje të të ardhurave që nuk është e bazuar në merita.

Fondacioni gjerman, Friedrich Ebert, publikoi një studim me perceptimet e publikut për mënyrën se si ka funksionuar sistemi ekonomik e shoqëror, i cili u punua nga ekspertët e njohur të ekonomisë, Selami Xhepa dhe Ardian Civici.

Për qëllim të studimit, u anketuan rreth 1200 qytetarë në të gjithë vendin, ku shumica e tyre me një përfaqësim prej 66% të totalit (2 në 3 banorë), janë përgjigjur se shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave dhe pasurisë në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më shumë një problem për kohezionin social të popullsisë. Po ashtu, 39% e tyre mendojnë se pasuria e krijuar nga të pasurit nuk është vënë me anë të punës së ndershme.

Opinioni publik (43.50%) beson se politikat e derisotme u kushtojnë më shumë vëmendje interesave të sektorit privat dhe pak vëmendje interesave të popullatës. Pra, sistemi është i disbalancuar në favor të kapitalit.

Edhe pse më shumë se 40% e popullatës besojnë se individët duhet të marrin më shumë përgjegjësi mbi vete, përsëri vetëm rreth 30% e tyre mbështetin një shoqëri të bazuar mbi individualizmin. Nevoja për ndërhyrje shtetërore në mbrojtjen e vendeve të punës që rrezikohen dhe në investimet publike në arsim, shëndetësi dhe infrastrukture mbështetet në mënyrë masive.

Shoqëria beson se rreziqet për rënien e standardit të mirëqenies janë sot më të larta nga ato të brezit të kaluar dhe se rreziqet për brezin e ardhshëm do të jenë edhe më të larta. Pra, rreziku i perceptuar vjen në rritje.

Shoqëria i mbështet fuqimisht proceset e integrimit të vendit dhe shumica (mbi 65%) vlerësojnë se efektet e marrëveshjeve të tregtisë së lirë kanë qenë me avantazhe pozitive. Por qytetarët vlerësojnë se, pavarësisht nga thellimi i proceseve të integrimit, politika lokale duhet gjithashtu të ketë kontroll mbi legjislacionin e vendit.

Ekonomistët Civici e Xhepa sugjerojnë se ndërhyrjet politike të synuara janë strukturuar përgjatë dy akseve:

Së pari të ndërmerren politika për kontrollin e proceseve që prodhojnë pabarazi dhe rritje ekonomike jopërfshirëse.

Së dyti të ndërmerren politika për korrektimin e rezultateve që krijohen nga shpërndarja ekonomike.

Ndërsa reformat e grupit të parë synojnë përmirësimin e qeverisjes ekonomike në mënyrë që rezultatet ekonomike të krijohen sipas proceseve të ndershme të ligjësive të tregut të lirë dhe konkurrues, reformat e grupit të dytë synojnë të krijojnë mekanizma të korrektimit të deformimeve që mund të manifestohen në shpërndarjen e së ardhurës kombëtare.

Prej kohësh në Shqipëri është hapur një debat për «modelin e ri ekonomik të zhvillimit», por deri më sot, ky debat është kufizuar thjesht në aspektin sektorial të rritjes, një qasje që është kryesisht pozitiviste dhe që nënvizon përmirësimin e ritmeve të rritjes nëpërmjet alokimeve të burimeve në sektorë të caktuar (për shembull, eksportet).

Studimi i FES propozon një qasje tjetër në orientimin e debatit publik, atë mbi mënyrën se si mund të reformohet sistemi i sotëm ekonomik, në mënyrë që të jetë më i balancuar nga pikëpamja e interesave socialë, pra, një qasje normative.

Studimi bazohet në premisën e testuar si nëpërmjet një pyetësori të realizuar me mbështetjen e këtij projekti kërkimor, ashtu dhe nëpërmjet analizave empirike dhe teorike, se zhvillimi ekonomik i vendit ka krijuar diferenca të mëdha sociale dhe se një shoqëri harmonike dhe kohezive është thelbësore si për të rritur cilësinë e jetës në vend, ashtu dhe për të garantuar qëndrueshmërinë e vetë sistemit ekonomik e shoqëror në afat të gjatë. /B.Hoxha

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of