Studimi nga BSH dhe BB: Pagesat me kartë, një platformë kombëtare do të ulte kostot me të paktën 30%

20/01/2021 11:00 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Përdorimi i një platforme kombëtare të procesimit të pagesave me kartë mund të sjellë ulje të kostove me të paktën 30% në raport me skemat e ofruara nga ofruesit ndërkombëtarë të kartave.

Një studim i Bankës së Shqipërisë dhe Bankës Botërore ka treguar se kartat ngelen një instrument relativisht i shtrenjtë për bankat dhe rrjedhimisht, kostot përcillen edhe tek ofruesit dhe përfituesit e pagesave me kartë bankare. Sipas studimit, kostot janë një barrierë e konsiderueshme sidomos për ofrimin e shërbimit të pagesës me kartë nga tregtarët.

Mbështetur në të dhënat e vitit 2019, komisionet e aplikuara nga bankat shqiptare për pranimin e pagesave me kartë ishin në intervalin midis 1.8% dhe 3.3% të shumës së përgjithshme të transaksionit. Në një masë të madhe, këto kosto lidhen me komisionet e procesimit ndërbankar të pagesave me kartë, që përcaktohen nga dy ofruesit kryesorë, Visa dhe Master Card. Komisionet e vendosura nga Visa dhe Master Card janë me intervale, por sipas studimit ato tentojnë përgjithësisht të jenë pranë kufirit të sipërm të intervalit, që për Visa është 2.02% dhe për Master Card 2.6%.

Këto tarifa janë mjaft të larta krahasuar me limitet rregullatorë të vendosura nga Bashkimi Europian, që për kartat e debitit është 0.2% dhe për ato të kreditit 0.3%. Madje, studimi tregon se tarifat për Shqipërinë janë ndjeshëm më të larta jo vetëm me BE-në, por edhe me tregje më të krahasueshme me Shqipërinë, për nga stadi i zhvillimit.

Rreth 98.5% e kartave bankare në Shqipëri janë Visa dhe Master Card, gjë që tregon varësinë pothuajse totale të pagesave me kartë në tregun shqiptar nga dy kompanitë e mësipërme. Ato kanë avantazhin e të qenët instrumente globale, që mund të përdoren pothuajse në të gjithë botën. Por, si instrumente lokale ato janë relativisht të shtrenjta dhe në teori mund të ketë alternativa më të leverdishme.

Banka e Shqipërisë ka identifikuar ngritjen e një platforme kombëtare të pagesave me kartë (national card sëitch) si një zgjidhje për uljen e kostove dhe për nxitjen e pagesave me kartë bankare në Shqipëri. Kjo platformë është pjesë e planit të veprimit të strategjisë kombëtare për pagesat me vlerë të vogël. Pandemia e ka ngadalësuar edhe zbatimin e planit të veprimit dhe në muajin dhjetor, Banka e Shqipërisë vendosi shtyrje të afateve në shumicën e pikave të saj. Aktualisht, në Shqipëri ekziston një kompani e licencuar nga Banka e Shqipërisë si operator kombëtar për ofrimin e shërbimit të pagesave me kartë.

Sipas statistikave zyrtare, aktualisht sektori bankar shqiptar ka rreth 1.27 milionë karta aktive. Me gjithë rritjen graduale në vite, sërish depërtimi i kartave bankare në shoqërinë shqiptare vlerësohet relativisht i ulët krahasuar me tregjet e tjera.

Për më tepër, përdorimi i kartave mbetet i dominuar kryesisht nga tërheqjet cash në bankomate. Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 89% e volumit të përgjithshëm të veprimeve me kartë gjatë 11 muajve të vitit 2020 ishin veprime me para cash në ATM./E.Shehu

Burimi: BSH, BB

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of