Studimi/ Një në tre të mbijetuar nga Covid-19 kanë probleme psikiatrike deri në gjashtë muaj

07/04/2021 12:44 PM 0 komente

Një nga studimet më të mëdha të kryera (deri më tani) mbi efektet mendore që lë Covid-19, ka zbuluar se personat që shërohen nga virusi rezultojnë të vuajnë nga probleme psikiatrike ose neurologjike deri gjashtë muaj më vonë.

Studimi i botuar të martën (6 prill 2021) në revistën “Lancet Psychiatry” mori në vëzhgim të dhënat shëndetësore të mbi 23 mijë pacientëve që ishin rikuperuar nga Covid-19 dhe zbuloi se 34% e tyre kishin probleme neurologjike ose psikiatrike brenda gjashtë muajve.

Më shumë sesa pasojat fizike

Sipas autorëve të studimit, kjo vërtetoi se pacientët me Covid-19 kishin më shumë gjasa të kishin pasoja psikike, (të lidhura me trurin) në krahasim me individët që vuanin nga probleme te tjera shëndetësore, si ftohja e zakonshme, probleme me frymëmarrjen, bajamet dhe laringiti.

Midis çështjeve të vëzhguara, më të zakonshmet ishin ankthi (17%) dhe çrregullimet e humorit (14%). 13 për qind e individëve të marrë në studim raportuan se këto ishin diagnozat e para që lidheshin me shëndetin mendor.

Kur bëhej fjalë për çrregullime neurologjike si hemorragjia cerebrale (0.6%), goditja në tru (2.1%) apo edhe çrregullimet e kujtesës, numri i rasteve ishte më i ulët në krahasim me çrregullimet psikiatrike. Por studimi zbuloi se pacientët që kishin kaluar fazë më të rëndë të Covid-19 ishin ende në rrezik për të shfaqur probleme të tilla.

Studimi më pas ekzaminoi të dhënat e mbi 100 mijë pacientëve me grip dhe mbi 236 mijë pacientë me infeksione të tjera të traktit të frymëmarrjes, vetëm për t’i krahasuar ata me të sëmurët me Covid-19.

Krahasimet treguan se ata që vuajnë nga Covid-19 kishin 44% më shumë gjasa të përjetonin probleme neurologjike ose të shëndetit mendor sesa pacientët që kanë grip dhe 16% më shumë sesa ata që vuajnë nga infeksione të tjera të frymëmarrjes.

Studimi tregoi se 46% e pacientëve me Covid-19 që kishin nevojë për kura intensive patën të tilla shqetësime në një periudhë brenda gjashtë muajsh. Për shembull 2.7% e personave që përfunduan në repartet e terapive intensive pësuan hemorragji cerebrale – pak më shumë krahasuar me 0.3% e personave që nuk patën nevojë për kura intensive.

Ndër të tjera, thuajse 7% e pacientëve të infektuar me Covid-19 në terapi intensive pësuan hemorragji në tru. Në të kundërt, 1.3% e pacientëve që nuk patën nevojë për terapi intensive pësuan iktus (goditje në tru).

Një problem jo i vogël

Për shkak të këtyre përfundimeve, autorët e studimit kanë shprehur shqetësimet e tyre mbi pasojat e Covid-19 më shumë se sa thjesht në mirëqenien fizike. Edhe pse mundësitë për të pasur shqetësime neurologjike apo psikiatrike ishin relativisht të vogla në nivel individual, rreziku në shkallë globale mund të jetë mjaft problematik.

Paul Harrison, autori kryesor i studimit të Universitetit të Oksfordit tha se shumë prej shqetësimeve të vëzhguara ishin “kronike” dhe “për pasojë” sistemet e shëndetësisë kanë nevojë për burime për të përballuar nevojën e parashikuar, si në shërbimet e kujdesit parësor dhe dytësor.

Duke komentuar studimin, nga University College London, Jonathan Rogers shprehu këndvështrimin e tij se tani janë të nevojshme kërkime të thelluara mbi efektet në afat të gjatë të Covid-19 në shëndetin mendor dhe atë të trurit, duke marrë në konsideratë lidhjen e drejtpërdrejtë mes virusit dhe pasojave në tru që duhet të kuptohen plotësisht.

“Për fat të keq shumë nga çrregullimet e identifikuara në këtë studim priren të jenë kronike ose të përsëritura, kështu që ne mund të parashikojmë se ndikimi i COVID-19 mund të jetë me ne për shumë vite” – tha ai.  / Mashable

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of