Pjesa më e madhe prej nesh me zi po presin të veshin kostumet e frikshme të Halloween pas përfundimit të punës, po pse të presim gjer atëherë?
Sipas një sondazhi nga ana e kompanisë që studion kulturën e një vendi pune, O.C.Tanner, të vishesh me një kostum Halloween në zyrë ka disa përfitime pozitive që lidhen me punën.
Kompania bëri një sondazh tek 953 punonjës që punojnë me kohë të plotë duke i pyetur: “A jua lejon kompania juaj të visheni me një kostum Halloween në punë?”.
45% e të intervistuarve u përgjigjën “po”, 35% thanë “jo”, ndërsa 20% nuk ishin të sigurt. Megjithatë, 61% e të intervistuarve mendojnë se punonjësit e kompanisë duhet të lejoheshin të vishnin atë ditë një kostum Halloween.
Studimi gjeti edhe se, nga 953 personat që u morën në studim, ata që mund të veshin një kostum Halloween në vendin e punës tregojnë më shumë angazhim se ata që nuk lejohen të veshin një kostum të tillë.
Për shembull, 73% e atyre që mund të veshin kostum Halloween në punë janë më shumë të motivuar të kontribuojnë për suksesin e kompanisë për të cilën punojnë, krahasuar me 58% e atyre që nuk mund të vijnë në punë me një kostum të tillë.
Ndër të tjera, 68% e atyre që mund të veshin një kostum për Halloween ishte krenar t’u thoshin njerëzve të tjerë se për cilën kompani punonin, krahasuar me 58% të atyre që s’munden. 65% e atyre që mund të veshin një kostum Halloween në punë do t’ua rekomandonin kompaninë e tyre një miku si një vend i mirë për të punuar krahasuar me 49% e atyre që nuk munden.
Në fund, 73% e atyre që mund të veshin një kostum për Halloween mbështesin plotësisht vlerat mbi të cilat ngrihet kompania ku punojnë krahasuar me 58% e punonjësve që nuk lejohen të veshin një kostum Halloween.
Në përgjithësi, të intervistuarit që mund të veshin një kostum Halloween në punë kanë mendime më pozitive për kompaninë e tyre krahasuar me homologët e tyre.
O.C. Gary Beckstrand, zv.president i Tanner, thotë se Halloween është tregues i një kohe festive që u jep mundësinë punonjësve të “bëhen bashkë dhe të jenë socialë”. Kjo ndikon në rritjen e moralit në vendin e punës.
Megjithatë, thotë ai, shumë kompani hezitojnë të marrin pjesë në këto festime duke dëmtuar në këtë mënyrë angazhimin e punonjësve.
“Duke u dhënë mundësinë të socializohen dhe të kënaqen, ju krijoni një frymë miqësore”, – thotë Beckstrand.
Aftësia për të festuar me kolegët tuaj sjell mirëqenie, thotë zv.presidenti, dhe mirëqenia emocionale në zyrë është po aq e rëndësishme për punonjësit sa edhe mirëqenia fizike, shpjegon ai.
*Ruth Umoh
Burimi: CNBC