Në Kosovë 36% e punëtorëve të sektorit privat paguhen me para në dorë.
Po ashtu, punëtorët privat janë më pak të informuar për të drejtat e tyre në vendin e punës. Ndërkaq, rreth 80 për qind e grave në Kosovë janë ekonomikisht joaktive.
1 Maji, që është shënuar dje, njihet si Dita Ndërkombëtare e Punës, manifestim i cili lindi nga përpjekjet e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejta dhe kushte më të mira të punës.
Me shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Punës, Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta socio-ekonomike ka prezantuar disa hulumtime në lidhje me të drejtat e punëtorëve në vendin e punës.
Sipas këtyre hulumtimeve është vërejtur se pagesa e punonjësve me para në dorë është ende e pranishme në tregun e punës, faktor ky që lidhet drejtpërdrejt me shkallën e lartë të informalitetit në Kosovë.
Nga rreth 5 mijë punonjës të anketuar, ka rezultuar që 36% e tyre paguhen me para të gatshme.
Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta socio-ekonomike thotë se niveli i ulët i zbatimit të legjislacionit në fushën e punës tashmë është evident, me theks të veçantë në sektorin privat duke filluar nga mungesa e kontratave të punës, shkelje të kontratave ekzistuese të punës, mohimi i lejes së lehonisë, mungesa e kushteve bazë të sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, pjesëmarrja e lartë e informalitetit në punë, e deri tek mungesa e sigurimeve shoqërore dhe atyre shëndetësore.
Sipas tyre, niveli i ulët i zbatimit të legjislacionit në mënyrë direkte lidhet me mungesën e monitorimit të zbatimit të kornizës legjislative nga organet relevante, gjegjësisht nga Inspektorati i Punës.
Punëtorët privat më pak të informuar për të drejtat e tyre në vendin e punës.
Punonjësit e sektorit privat në krahasim me atë publik janë dukshëm më pak të informuar për të drejtat e tyre në vendin e punës, thekson Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta Socio-ekonomike.
Sipas koalicionit, vetëm 15 për qind e ankesave drejtuar Inspektoratit të Punës i përkasin sektorit privat.
“Numri i ankesave drejtuar Inspektoratit të Punës është treguesi kryesor i ngritjes së ndërgjegjësimit të punonjësve për të kërkuar të drejtat e tyre në vendin e punës”, thekson koalicioni.
“Statistikat tregojnë se punonjësit e sektorit privat në krahasim me atë publik janë dukshëm më pak të informuar për të drejtat e tyre në vendin e punës”.
Rreth 80 për qind e grave në Kosovë janë ekonomikisht joaktive
Rreth 80 për qind e grave në Kosovë janë ekonomikisht joaktive të cilët janë persona që nuk kanë punë, thekson Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta Socio-ekonomike.
Sipas koalicionit, gratë amvise janë një nga kategoritë kryesore që bëjnë pjesë në popullsinë ekonomikisht joaktive e që janë të gatshëm për punë.
“Gratë amvise janë një nga kategoritë kryesore që bëjnë pjesë në popullsinë ekonomikisht joaktive të cilët janë persona që nuk kanë punë, janë të gatshëm për punë, por që kanë hequr dorë së kërkuari punë sepse besojnë se nuk mund të gjejnë atë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ndërsa, te burrat shkalla e joaktivitetit është 43.5 për qind.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.