Studimi, rritja e çmimeve të cigareve me 10% ul kërkesën me 5%

14/07/2020 10:00 AM 0 komente

Rritja e çmimeve të cigareve ka një efekt të drejtpërdrejtë në kërkesën për këtë produkt. Një studim i Qendrës Amerikane të Bioteknologjisë për elasticitetin e çmimeve të cigareve në Shqipëri ka gjetur se, nëse çmimet e cigareve do të rriteshin në Shqipëri me 10%, kërkesa për cigare do të ulet me 5.7%.

Ndërsa rritja e të ardhurave me 10% shoqërohet me rritje të kërkesës me 2.4%.

Në vitin 2017, të ardhurat totale të buxhetit të gjeneruara nga taksimi i duhanit arritën në rreth 400 milionë euro, ose sa 1.4% e PBB-së gjatë periudhës.

Pesha e të ardhurave nga taksimi i duhanit në totalin e të ardhurave buxhetore ishte 5.1%. Pjesa më e madhe e të ardhurave vjen nga akciza. Duke marrë 2017 si një vit referencë dhe duke supozuar një ecuri të ngjashme fiskale, llogaritjet tregojnë se, të ardhurat buxhetore nga rritja e akcizës me 10 pikë përqindje do të rriteshin me 43 milionë euro në një vit fiskal, përfshirë edhe efektin pozitiv në TVSH prej 8.7%.

Duke kaluar shpenzimet për cigare në bazë të nivelit të jetesës, vërehet se familjet me një nivel më të lartë të shpenzimeve harxhojnë një pjesë të buxhetit të tyre për cigare. Koeficientët e shpenzimeve totale sugjerojnë se 10% e familjeve me nivelin më të lartë të jetesës shpenzojnë rreth 0.2 pikë përqindje më pak nga buxheti i tyre për cigare, se sa familjet me të ardhura mesatare.

Ekonomitë familjare në rajonin e Tiranës dhe Durrësit, rajonet më të mëdha dhe më të zhvilluara në Shqipëri, paguajnë çmime më të larta në krahasim me kategorinë bazë (rajoni i Beratit), i cili është një rajon me nivel mesatar zhvillimi.

Më konkretisht, familjet në kategorinë bazë shpenzojnë rreth 8.8% të buxhetit të tyre për cigare, ndërsa familjet në rajonet e tjera shpenzojnë mesatarisht nga 1.2 pikë përqindje më shumë në 3 pikë përqindje më pak të buxhetit të tyre për cigare.

Studimi tregon se rritja e barrës tatimore ndaj cigareve do të kishte një ndikim të rëndësishëm pozitiv në uljen e kërkesës së cigareve.

Modelet e konsumit të vendit pasqyrojnë një dominim të konsumatorëve meshkuj të rritur. Kur merren parasysh ndryshimet e të ardhurave të familjeve, niveli mesatar i arsimit është i lidhur negativisht me konsumin e duhanit.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of