Sipas një hetimi të kryer nga shoqatat europiane të konsumatorëve te 250 produkte, thuajse 66% e tyre nuk e kaluan kontrollin e sigurisë. Produktet për fëmijë, më të rrezikuara
Shifrat e ecommerce vijojnë të rriten, por a janë të sigurta ato produkte? Sipas një kërkimi të kryer në nivel europian nga disa shoqata konsumatorësh, thuajse dy të tretat e artikujve të blerë në platformat e mëdha të shopping online si Aliexpress, Amazon, eBay, LightInTheBox apo Wish, nuk i respektojnë standardet europiane dhe nuk janë të sigurta për shëndetin.
Sipas të dhënave të shoqatës Altroconsumo, që së bashku me shoqata të tjera zhvilluan hetimin dhe provat te 250 produkte të blera online, më shumë se 66% e tyre nuk i kaluan kontrollet e sigurisë. Mbi të gjitha lodrat për fëmijë, produktet kozmetike, bizhuteritë, pajisjet elektronike, madje edhe veshjet, të cilat në bazë të legjislacionit në fuqi të BE-së rezultuan të mos e respektojnë ligjin.
Në veçanti, nga 29 lodra për fëmijë, prej gome, 9 prej tyre (31%) rezultuan me një sasi të paligjshme ftalati, thuajse 200 herë mbi maksimumin e lejuar nga ligji. Edhe në rastin e veshjeve për fëmijë, shumica e tyre rezultuan jo në përputhje me standardet. Nga 16 veshje, 14 prej tyre (88%) paraqisnin rreziqe të mundshme për shëndetin e fëmijëve.
Situata nuk është pozitive as në sektorin elektronik, ku nga 36 pajisje- karikues USB, karikues të jashtëm, adaptor, 26 rezultuan të rrezikshëm dhe mund të shkaktojnë korrent. Po ashtu edhe 70% e bizhuterive të analizuara paraqesin një përqendrim të kadmiumit dhe metale të tjera, mbi normat e lejuara.
Shoqatat që kryen këtë studim, kërkuan menjëherë nga institucionet europiane dhe shtetet anëtare të ndërhyjnë me një rregullore që detyron “marketplace” të njoftojnë klientët e tij mbi rreziqet që lidhen me disa produkte,në pritje që të largohen nga platforma.
Nga pikëpamja ligjore, faqet e blerjeve online nuk janë përgjegjëse drejtpërdrejt për shkeljet, por duhet të sigurojnë kontroll më të madh për artikujt që tregtohen nga shitësit e tyre. Shpresa është që institucioneve europiane t’u jepet më shumë fuqi për të kontrolluar edhe cilësinë e produkteve që vihen në shitje nga ecommerce dhe jo vetëm pjesën fiskale.
Burimi: Wired