Studioja e arkitektëve Zaha Hadid përfundon qiellgërvishtësen “Leeza Soho”, me atriumin më të gjatë në botë

21/11/2019 1:03 PM 0 komente

Qiellgërvishtësja me 45 kate “Leeza Soho” e projektuar nga studioja e arkitektëve Zaha Hadid në Pekin të Kinës, përmban atriumin më të gjatë në botë.

I porositur nga Soho China, zhvilluesi i Galaxy Soho dhe Wangjing Soho, “Leeza Soho”, përmban edhe një sërë dyqanesh dhe zyrash që e rrethojnë atriumin gjigant në qendër të saj.

Sipas studios projektuese, që tani drejtohet nga Patrik Schumacher, kjo qendër e re biznesi është me një rëndësi shumë të madhe për planin urbanistik të Pekinit, sepse ajo ndihmon rritjen e mëtejshme, por pa ndikuar në infrastrukturën ekzistuese në qendër të qytetit. Kjo kullë me një sipërfaqe 172.800 metrash katrorë, plotëson si kërkesat e biznesit të vogël ashtu edhe të atij të mesëm në Pekin.

Kjo kullë me 45 kate mbi tokë dhe me 4 kate të tjera nëntokë, përmban në qendër të saj edhe atriumin më të gjatë në botë, me një gjatësi prej 194.15 metrash, që ia kalon edhe atij të hotelit Burj Al Arab në Dubai.

Forma dinamike e atriumit e bën këtë jo vetëm më të veçantë por edhe shumëfunksional, sepse lejon që e gjithë drita të hyjë në çdo kat të qiellgërvishtëses.

Atriumi i “Leeza Soho” vepron edhe si një ndërlidhës shumë i mirë i të gjitha hapësirave që ndodhen brenda kësaj kulle.

Fasada e jashtme e xhamit është e izoluar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe është gjithashtu e përbërë nga panele xhamash me një kënd të caktuar, të cilët ndihmojnë shumë në ventilim. Për të mbrotjur sa më shumë mjedisin, çatia e kësaj kulle është mbushur më panele fotovoltaike.

Kulla “Leeza Soho” është një nga katër projektet që studioja e arkitektëve Zaha Hadid ka projektuar për zhvilluesin Soho China, përfshirë edhe dy të tjera në Pekin.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of