Suedi, hapet restoranti i parë për vetëm një klient

02/05/2020 9:20 AM 0 komente

Quhet Bord för en (d.m.th. tavolinë për një), në qytetin e vogël të Ransäter. Madje përfshin edhe shërbimin contactless: në vend të kamerierit, të shërben një lloj teleferiku që sjell ushqimin në një shportë pikniku. Kjo është përgjigjja (provokuese) ndaj koronavirusit.

 

Një tavolinë, një karrige dhe një fushë përreth. Ky skenar, mes ëndrrës dhe metafizikës, është përgjigjja suedeze ndaj koronavirusit. Një restorant, në mes të natyrës, në të cilin nuk shërben asnjë kamerier.

Restoranti ka lindur si ide e Rasmus Persson dhe Linda Karlsson, që vetëm disa muaj më parë do të dukej si një provokim artistik, por sot (në kohërat e distancimit social), merr kuptim. Të dy kanë krijuar Bord för en (d.m.th. tavolinë për një) dhe prenotimet mendohet se do të nisin nga data 10 maj deri më 1 gusht. Imazhet e para që qarkullojnë janë poetike – një tavolinë e shtruar me një mbulesë të bardhë dhe lule në të, në mes të natyrës, është emblema e vetmisë që ka shkaktuar Covid-19.

Në vend të kamerierit, ushqimi do të shërbehet në tavolinë me një lloj teleferiku, që do të sjellë në tavolinë një shportë pikniku. Menuja parashikon Råraka, Black & Yellow dhe Last days of summer – pjata karakteristike.

Do të vendosë klienti se kur do të paguajë. Nga një prenotim tek tjetri do të kalojnë të paktën 6 orë dhe gjithçka do të dezinfektohet për të shmangur infektimin.

Edhe pse Suedia nuk i ka mbyllur baret dhe restorantet, Karlsson e Persson thanë në një intervistë se dëshironin të hapnin “restorantin e vetëm të sigurt ndaj COVID-19 në botë”. Ideja u lindi ndërkohë që ishin në një vizitë te prindërit te Karlsson dhe duhet ta ndanin ushqimin nëpërmjet një dritareje të kuzhinës për të ruajtur distancimin social.

“Ne po përballemi me kohëra të vështira, shumë njerëz kanë humbur punën, njerëzit e dashur, mbase edhe mendjen. Ne i mirëpresim të gjithë, pavarësisht situatës financiare në të cilën ndodhen” – tha Karlsson.
“Ne duam të nxisim gjithë njerëzit të vijnë, të ulen dhe të kalojnë kohë cilësore me veten” – shtoi Karlsson.

Restoranti, unik në llojin e tij, do të qëndrojë i hapur deri më 1 gusht.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of