Vetëm për periudhën 2014-2020, Suedia do ta përkrahë Kosovën me afër 70 milionë euro, në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim të nënshkruar mes të dyja vendeve në tetor të vitit që shkoi. Kjo përkrahje do të orientohet për sundim të ligjit, demokratizim dhe zhvillim ekonomik.
Kështu u tha pas një takimi që sekretarja e shtetit për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ulrika Modeer zhvilloi në Prishtinë me zëvendësministrin kosovar të Integrimit, Ramadan Ilazi.
“Tani jemi në pritje të realizohet vizita e paralajmëruar e komisionerit të BE-së për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos, në Kosovë, në mënyrë që të lëvizim tutje në këtë proces me rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë zëvendësministri Ilazi.
Ndërkaq sekretarja e shtetit (zëvendësministre) për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Suedisë znj. Ulrika Modeer, ka theksuar se Kosova dhe Suedia janë partner të fortë dhe ka vlerësuar lartë bashkëpunimin në mes të dyja vendeve.
“Kosova dhe Suedia kanë partneritet për një kohë të gjatë në reforma dhe zhvillim duke pasur fokus klimën dhe mjedisin, qeverisjen demokratike, reformën e administratës publike si dhe zhvillimin ekonomik. Pasi që Kosova është duke lëvizur më pranë BE-së, ne jemi fokusuar në reformat dhe respektimin e të drejtave të njeriut, në mënyrë që të promovohet zhvillimi socio-ekonomik. Në aspektin ekonomik, mbështetja bilaterale e Suedisë në Kosovë arrin në rreth 9 milionë euro në vit”, ka theksuar Modeer. / albinfo.ch
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.