Suedia do të heqë dorë nga mos-rreshtimi ushtarak 200 vjeҫar dhe do të aplikojë për t’u bashkuar me NATO-n, së bashku me fqinjin e saj, Finlandën, një lëvizje kjo që do të ndryshonte gjeopolitikën e Europës dhe do të nënvizonte pasojat e padëshiruara të pushtimit të Ukrainës nga Vladimir Putin.
Në një ditë të rëndësishme për kombet nordike, Finlanda tha të dielën se do të aplikonte zyrtarisht për anëtarësim në NATO në ditët në vijim, ndërsa socialdemokratët që janë në pushtet në Suedi thyen traditën dhe thanë se do të vepronin njësoj si Finlanda.
“Europa, Suedia dhe publiku suedez po jetojnë një realitet të ri dhe të rrezikshëm. Rendi i sigurisë europiane, mbi bazën e të cilit Suedia ndërton sigurinë e saj, gjendet nën sulm”, tha Magdalena Andersson, kryeministrja e Suedisë dhe liderja e socialdemokratëve. “Ne, socialdemokratët, mendojmë se gjëja më e mirë për sigurinë e Suedisë është që të bashkohemi me NATO-n.”
Pushtimi brutal i Putinit në Ukrainë, një tjetër vend jo-anëtar i NATO-s që ndan kufirin me Rusinë, ka përmbysur mendimet e shumë dekadave për sigurinë në dy vendet nordike. Presidenti finlandez, Sauli Niinistö, e quajti atë një “ditë historike”, duke thënë se “një epokë e re po fillon”.
Kryeministrja Sanna Marin tha: “Ne nuk mund të besojmë më se do të kemi një të ardhme paqësore, të vetëm, kaq pranë Rusisë. Kjo është arsyeja pse po marrim vendimin për t’u bashkuar me NATO-n: ky është një akt paqeje, për t’u siguruar që nuk do të ketë më kurrë një luftë në Finlandë në të ardhmen.”
Socialdemokratët e Suedisë thanë se në aplikimin e tyre për në NATO do të shprehnin rezerva kundër vendosjes së armëve bërthamore dhe të bazave të huaja në tokën e tyre. Finlanda tha se nuk do të vendoste asnjë kusht.
Anëtarësimi i Finlandës dhe i Suedisë në NATO do të ishte një nga pasojat më të rëndësishme dhe më të mëdha të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pasi opinioni publik në të dyja këto vende ka qenë masivisht në favor të një lëvizjeje të tillë që nga muaji shkurt.
Anëtarësimi i mundshëm i këtyre vendeve në NATO do të transformonte arkitekturën e sigurisë në Europën veriore dhe do ta bënte më të lehtë për aleancën që të mbronte vendet baltike. Gjithashtu, kjo do të dyfishonte gjatësinë e kufirit të NATO-s me Rusinë, e cila ka kërcënuar me “pasoja serioze ushtarake dhe politike” nëse ndonjëri prej këtyre vendeve i bashkohet aleancës.
Vendimi zyrtar i qeverisë finlandeze për të aplikuar do të duhet të miratohet nga parlamenti, i cili mblidhet të hënën. Edhe qeveria e Suedisë do të miratojë aplikimin e saj të hënën, duke hapur kështu rrugën për mundshësinë e dërgimit të një kërkese të përbashkët për anëtarësimin e këtyre vendeve gjatë vizitës shtetërore të Niinistö në Stokholm të martën dhe të mërkurën.
Si Niinistö, ashtu edhe Marin, reduktuan frikërat se Turqia mund të bëhej pengesë për anëtarësimin e Finlandës në NATO, pasi Presidenti Recep Tayyip Erdoğan tha të premten se ai nuk mund të kishte një “pikëpamje pozitive” për kërkesat e mundshme të Finlandës dhe të Suedisë për anëtarësim.
Niinistö tha se ishte “pak i hutuar”, pasi kishte bërë një bisedë në prill me Erdoganin, në të cilën presidenti turk i kishte thënë: “Ne do ta vlerësojmë pozitivisht kërkesën tuaj”.
Erdogan, si arsyetim për kundërshtimin e tij, përmendi mbështetjen e Suedisë dhe të Finlandës për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka zhvilluar një kryengritje të armatosur prej dekadash kundër shtetit turk. Ajo është klasifikuar si një organizatë terroriste nga Ankaraja, SHBA-ja dhe BE-ja. Erdogan tha se vendet skandinave ishin “si një lloj shtëpie pritëse për organizatat terroriste”.
Por, Turqia duket se është e vetme në qëndrimin e saj, pasi shumica e vendeve anëtare të NATO-s kanë shprehur një mbështetje të fortë për pranimin e Finlandës dhe të Suedisë.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se ai ishte i bindur që pozicioni i Turqisë nuk përbënte një pengesë të pakapërcyeshme. “Turqia e ka bërë të qartë se qëllimi i saj nuk është që të bllokojë anëtarësimin” në NATO për Finlandën dhe Suedinë, u tha ai gazetarëve.
Duke folur pas një takimi jozyrtar të ministrave të jashtëm të NATO-s në Berlin, ai tha se ishte “i bindur që ne do të jemi në gjendje të adresojmë shqetësimet që ka shprehur Turqia, në një mënyrë që nuk do të vononte anëtarësimin apo procesin e pranimit”.
Stoltenberg shtoi se ndërkohë, NATO do të “shqyrtojë mënyra të tjera për të ofruar garanci për sigurinë, nëpërmjet rritjes së pranisë së NATO-s në rajonin e Baltikut, përreth Finlandës dhe Suedisë”.
Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit, tha se kishte folur me homologun e tij turk për shqetësimet e Ankarasë dhe deklaroi se pas takimit të ministrave të jashtëm ditën e dielë, ai ishte i bindur se mund të arrihet një konsensus.
“Nuk dua të karakterizoj bisedën specifike që patëm qoftë me ministrin e jashtëm, qoftë brenda vetë sesioneve të NATO-s, por mund të them këtë: dëgjova pothuajse nga të gjithë të pranishmit mbështetje shumë të fortë që Suedia dhe Finlanda t’i bashkohen aleancës”, tha ai.
Ministrat e Jashtëm të NATO-s e kaluan të dielën duke diskutuar për luftën në Ukrainë dhe për mënyrat se si ata mund të rrisin ndihmën për autoritetet në Kiev. Ata folën gjithashtu për konceptin e ri strategjik të NATO-s përpara samitit të aleancës që do të zhvillohet në Madrid, në muajin qershor.
Ky samit do të identifikojë sfidat e sigurisë me të cilat përballet NATO, si dhe do të përcaktojë detyrat politike dhe ushtarake që do të duhet të kryejë aleanca për t’i trajtuar këto sfida.
Annalena Baerbock, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, tha se nuk duhet të ketë vonesa në futjen e Suedisë dhe të Finlandës në NATO. “Nuk duhet të ketë një zonë gri”, tha ajo përpara konsultimeve të së dielës. “Ky nuk mund të jetë një proces i gjatë.”
Baerbock tha se shumë vende nuk do të kishin dashur kurrë që t’i bashkoheshin aleancës së mbrojtjes, “por tani ata po shtyhen për t’u anëtarësuar në NATO” si rrjedhojë e agresionit të luftës së Rusisë në Ukrainë./ Financial Times