Flet Dashamir Elezi, president i Shoqatës së Sommelierisë Shqiptare
Çfarë rekomandimi do të jepnit në sektorin e verërave shqiptare, një përzgjedhje prej 10 etiketash?
Pas një pune të jashtëzakonshme dhe thuajse private (pa subvencione shtetërore për politika bujqësore), një pjesë e prodhuesve shqiptarë kanë arritur suksese të vërteta edhe në fushën ndërkombëtare për këtë sektor.
Në fakt, disa prej tyre mundën që të dërgonin një sasi të konsiderueshme prodhimi edhe në tregun amerikan, falë mbështetjes së Sommelierisë Shqiptare dhe bashkëpunimit me enologët e profesionistët më të spikatur të huaj, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për këtë sektor.
Kantinat më të rëndësishme në aspektin cilësor dhe me një raport të mirë ekuilibruar të çmimit janë:
1. Kantina Belba në Kavajë, me verërat e saj: Belba Kavaljon në dy llojet (verë e bardhë dhe verë e kuqe), Chardonnay, Kavaljon Rezerve, Shesh i Zi.
2. Kantina Menea Korça me verërat shumë elegante si: Riesling, Mavrud, Merlot e Kabernet. Kjo kantinë gjithashtu prodhon raki ekselente të rrushit e frutave.
3. Kantina Kallmeti Lezhë me verërat: Kallmet klasik dhe Kallmet Prestigj
4. Kantina Caco në Pogradec, ku përveç verës së famshme Pamid, prodhon edhe verërat Lyhnid i Bardhë e i Kuq, Chardonnay e Merlot.
5. Kantina Balaj në Vlorë, me verërat nga kultivari autokton Vlosh, Syrah, Caberlot dhe Merlot
6. Kantina Faba në Fier, me verërat Juga e Bardhë dhe e Kuqe, Sangiovese, Merlot dhe Kabernello
7. Kantina Duka në Ishëm (Durrës) me verërat Cabernet sauvignon, Merlot dhe Tempranillo
8. Kantina Bardha në Marikaj me verërat Shesh i Zi, Shesh i Bardhë e Mavrud
9. Kantina Çobo në Berat me verërat Puls i Bardhë, Kashmer dhe Vlosh (e kuqja e Beratit)
10. Kantina Vreshti i Pashait në Sarandopol (Leskovik) e cila prodhon verëra natural me cilësi të veçantë
Gjithsesi ka edhe disa kantina të tjera që kanë verëra me cilësi në stabilizim e çmim që thuajse justifikon cilësinë e produktit.
Cili do të ishte rekomandimi juaj gjithashtu për 10 emra verërash të huaja?
Për sa u përket produkteve ndërkombëtare, në vendin tonë janë të “dashuruar” me verërat italiane, por ne duhet të jemi më të hapur në mendime për të shijuar edhe verëra të vendeve të tjera prodhuese. Për një çmim që mund të jetë i afrueshëm për çdo lloj “portofoli”, rekomandoj këto lloj verërash:
- Pinot Grigio
- Prosecco (për kë dëshiron verën e gazuar)
- Chardonnay
- Barbera d’Alba
- Valpollicela classico
- Sangiovese të rajonit të Romagnia-s
- Montepulciano d’Abruzzo
- Primitivo të zonës së Puglia-s
- Tempranillo
Verëra të krahinës Bordeaux (janë të shumëllojshme nga zona të ndryshme). Mjafton të kenë shkrimin në etiketë: Superieur i cili është tregues i një niveli cilësie.
- Vranac
- Cabernet Sauvignon
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Mirdita ! Desha te ju boj disa pyetje per export te verave? Si jan qmimet dhe kushtet? Per shtete ne EU Skandinavi . Ju pershendes Liridon