Panelet e ‘Sunac Guangzhou Grand Theatre’ janë vendosur në mënyrë të tillë që të krijojnë një efekt të valëzuar, i cili të sjell ndër mend palosjen e mëndafshit. Projekti mban firmën e studios ‘Steven Chilton Architects’
Një pëlhurë e kuqe prej mëndafshi, e zbukuruar me vizatime zogjsh të artë, duket se mbështjell teatrin e ri, ‘Sunac Guangzhou Grand Theatre’, në Kinë. Projekti, me një ndikim të madh, mban firmën e studios ‘Steven Chilton Architects’, e cila dëshironte t’i bënte homazh artit të mëndafshit.
Pjesa e jashtme e ndërtesës përbëhet nga panele të vendosura në një mënyrë të tillë që të krijojnë një efekt të valëzuar, i cli të sjell ndër mend palosjen e pëlhurës së çmuar. Porti tregtar i Guangzhou ka luajtur një rol kyç në tregtinë e mëndafshit dhe konsiderohet vendi ku lindi rruga detare e mëndafshit (një nga rrugët lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit), shpjegoi për revistën e arkitekturës ‘Dezeen’, Steven Chilton, themeluesi i ‘Steven Chilton Architects’.
“Ne u frymëzuam nga artet tradicionale dhe bashkëkohore që praktikohen zakonisht në rajon. Pëlhura e mëndafshit është prodhuar, pikturuar dhe qëndisur në qytet që nga dinastia Han” – shtoi Chilton. Përveç traditës së tekstilit, projekti arkitektonik të sjell ndër mend artin e tatuazheve – në mbulesën e kuqe dallohen vizatime të arta, në veçanti zogj, stili i të cilave pasqyron atë të tatuazheve kineze.
“Kultura e tatuazheve kohët e fundit ka marrë rëndësi si një mjet artistik i respektuar, e cila udhëhiqet nga një brez i ri që e përqafon atë si një shprehje e individualitetit”, – shpjegoi themeluesi i ‘Steven Chilton Architects’. Në qendër të ndërtesës ka një auditor rrethor, me 360 ekrane LED dhe një skenë e vendosur mbi një pishinë, e thellë nëntë metra.
Teatri, në fakt, është krijuar për të pritur edhe shfaqje në ujë. Ai do të hapet në vitin 2021 dhe do të mirëpresë dy mijë spektatorë.