Sundimi i Londrës, si kryeqyteti i financave të botës, po vihet në rrezik

13/07/2019 10:04 PM 0 komente

Qendra të tjera financiare në Europë, rivale me të, po përpiqen t’i rrëmbejnë asaj kurorën

 

Londra, një prej qendrave financiare më të rëndësishme të botës, krenohet me qiellgërvishtësit e saj të vjetër dhe me ata të rinj që janë në ndërtim e sipër, shkruan The Economist. Kjo vërtetohet më së miri nga Shard, një prej ndërtesave më të larta jo vetëm në Londër, por edhe në të gjithë Bashkimin Europian, i cili të ofron pamjen e një horizonti të mbushur plot me ndërtesa të larta, njëra më e veçantë se tjetra. Nuk mund të lëmë pa përmendur Gherkin, Cheesegrater, Walkie & Talkie dhe në mesin e tyre, 22 Bishopsgate, e cila po ndërtohet në sheshin Mile.

Pavarësisht problemeve të shumta në lidhje me Brexit, mania e ndërtimit të kullave të larta duket se vazhdon me ritme edhe më të shpejta se më parë. Aktualisht, londinezët janë në pritje nëse ndërtesa prej 305 metrash, e njohur ndryshe me emrin Tulipani, dizajni i së cilës ka kontestime të shumta, do të marrë apo jo miratimin përfundimtar, për të nisur punimet.

Asnjë prej qendrave të mësipërme financiare nuk reflekton largimin e Britanisë nga Bashkimi Europian, por sapo Theresa May, Kryeministrja britanike asokohe u shpreh pas Referendumit të Brexit të 2016, se nuk kishte më kthim pas nga vendimi për t’u larguar nga tregu i vetëm, u duk sikur i gjithë shteti do të ndahej nga tregu i përbashkët më i madh i Europës. Në një situatë të tillë, rregullatorët në të dyja anët e Kanalit u përpoqën shumë për të siguruar vazhdimësinë e bizneseve dhe mbi të gjitha, për të ruajtur stabilitetin financiar. Firmave britanike iu kërkua që të vazhdojnë të hartojnë plane biznesi dhe të përfshijnë edhe hapjen e qendrave të reja në 27 vendet e tjera anëtare të BE-së (me përjashtim të Britanisë). Për pjesën më të madhe të këtij qyteti financiar, Brexit u zhvillua që vitin e kaluar.

Sipas organizatës londineze New Financial, 291 firma të mëdha financiare i kanë zhvendosur aktivitetet e biznesit apo një pjesë të stafit në vendet e tjera anëtare të BE-së. Shumë plane kontigjence u hartuan përpara 29 marsit, datë gjatë së cilës mendohej se Brexit do të kishte përfunduar. Sipas firmës së konsulencës EY, rreth 1 trilion paund (1.27 trilionë dollarë amerikanë) asetesh janë zhvendosur nga qyteti londinez. Për rivalët europianë të Londrës, Brexit shihet si një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë dhe ndaj ata po përpiqen që t’i rrëmbejnë asaj sa më shumë biznese që të munden. Një bankiere franceze e riatdhesuar thotë se kaq shumë britanikë janë zhvendosur në qendër të Parisit, saqë shpeshherë ajo është ndeshur rrugëve me miqtë e saj nga Londra. Në pritje të afatit tjetër të përfundimit të Brexit, më 31 tetor, një valë tjetër njerëzish pritet që të zhvendosen në shtetet e tjera të Bashkimit Europian.

Përveç infrastrukturës financiare, edhe të gjitha klasat e biznesit të BE27 po zhvendosen nga Londra drejt shteteve të BE-së. Bursa e Londrës ka zhvendosur tregtinë e obligacioneve qeveritare me vlerë 2.4 miliardë paund në Milano. Edhe Amsterdami ka fituar shumë si pasojë e tregtimit të obligacioneve qeveritare dhe tregtimit të marrëveshjeve të riblerjes në euro. Këto lëvizje nuk duken aspak të nxituara. Edhe pse forma përfundimtare e Brexit është e paqartë, vetëm nëpërmjet këtyre zhvendosjeve, Britania do të vazhdojë të veprojë në tregun e përbashkët.

Në këtë mënyrë, firmat financiare do të mund të zhvillojë aktivitetin e tyre në çdo vend të BE-së dhe të vazhdojnë të kenë rëndësi të madhe në menaxhimin e aseteve bankare dhe aseteve të menaxhimit (dhe më pak në menaxhimin e sigurimeve). Në vitin 2016, 5.476 firma me seli në Britani i ofruan shërbimet e tyre në qytete të ndryshme të BE-së, vetëm në sajë të aksesit që kishin në zonën europiane. Ndërkohë që edhe shumë firma të tjera të Zonës Ekonomike Europiane, ua ofruan shërbimet e tyre Britanisë. Duke përfshirë menaxherët e aseteve, siguruesit dhe në fund edhe bankat, Britania siguron një të katërtën e të gjitha shërbimeve financiare në BE27. Firma të ndryshme financiare drejtojnë operacionet e tyre në Europë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë nga Londra. Bankat amerikane të investimeve kanë më shumë se 90% të stafit të tyre europian në Londër.

Në vitin 2016, para referendumit, trajektorja e Qytetit financiar të Londrës ishte më e mirë se ajo e Nju Jorkut, u shpreh William Wright nga New Financial. “Londra është Londra, ashtu si të gjithë e njohin ndryshe si qendra financiare numër 1 ose 2 në botë, sepse BE-ja i lejoi asaj që ajo të shndërrohej në qendrën financiare të Eurozonës”, u shpreh një zyrtar i BE27. “Përpara fillimit të debatit për Brexit në vitin 2015, askujt nuk i kishte shkuar nëpër mend se shërbimet financiare për Europën do të zhvendoseshin jashtë Londrës”, u shpreh Bernard Mensah, President i Bankës së Amerikës, Merrill Lynch, për Europën dhe Lindjen e Mesme. “Ishte sikur sistemi gjyqësor britanik papritmas të mos funksiononte”.

Për qindra kompani të vogla që bëjnë biznes me BE27, heqja e pasaportave dhe pasiguria mbi të ardhmen e afërt është një kërcënim ekzistencial”, u shpreh John Liver, kreu i departamentit rregullator të EY. Shërbimet financiare përbëjnë 6.5% të prodhimit ekonomik të Britanisë dhe 11% të të ardhurave tatimore. Ky sektor, duke përfshirë edhe rrjetin e avokatëve, konsulentëve dhe lobistëve punëson rreth 2.2 milionë njerëz, jo vetëm në qendrat e njohura financiare, si në sheshin Mile, Canary Wharf dhe Edinburg, por edhe në vende si Cardiff dhe Bournemouth.

Dhe megjithëse përballë një situate të tillë, negociatorët e Britanisë nuk i kanë kushtuar asaj rëndësi. Qeveria britanike e ka marrë të mirëqenë faktin se ky qytet financiar është mjaftueshëm i fortë për të përballuar një situatën në fjalë dhe nuk është përpjekur për të ruajtur aksesin që ka pasur edhe më parë në BE. Ajo nuk u përpoq as në drejtim të “njohjes së ndërsjellë”, sipas së cilës BE-ja do të pranonte rregullat e Britanisë si një mënyrë për të vazhduar tregtinë në të ardhmen, duke qenë se edhe këto të fundit nuk është se ndryshoni shumë nga rregullat e BE-së. Ka shumë mundësi që këtij qyteti t’i jepet statusi i “ekuivalencës”, një status që BE-ja ua jep zakonisht vendeve të treta. Rreth gjysma e bizneseve të këtij qyteti mbështetet brenda vendit, një e katërta në BE27 dhe një e katërta në pjesën tjetër të botës. Në skenarin më të keq, ky qytet financiar mund të humbasë një të katërtën e biznesit të tij dhe disa nga aktivitetet e saj jashtë BE-së.

Sipas disa ekspertëve të dalë në pension, situata pritet të përkeqësohet, por ata shprehen se nëse rregullatorët do të punojnë së bashku, statusi i ekuivalencës mund të përdoret në të mirë të tij. Megjithatë, pengesat nuk janë thjesht teknokratike. BE dëshiron ta përdorë Brexit për të tërhequr një pjesë të mirë të bizneseve të rëndësishme në kontinentin europian, brenda zonës së saj.

Një konflikt ka shpërthyer së fundmi ndërmjet Londrës dhe Autoritetit Europian të Letrave me Vlerë dhe Tregjeve, ku ky i fundit i ka ndaluar investitorët e BE-së që të tregtojnë asete në Londër. Në maj, Banka e Anglisë pati një përplasje të ashpër me “kolegët e saj të BE-së”, duke qenë se këto të fundit po përhapnin panik për Brexit, në mënyrë që bankat e huaja të mos ishin më të interesuara për Anglinë, por ta zhvendosnin interesin e tyre brenda zonës së BE-së. Por rregullatorët e BE-së kanë qenë të shqetësuar për ndikimin e Londrës në sovranitetin financiar dhe ekonomik të bllokut edhe përpara referendumit të Brexit.

 

Sovraniteti monetar

Në një publikim të fundit të ekonomistëve në Bankën për Marrëveshjet Ndërkombëtare, u theksua rëndësia e Londrës në operacionet financiare të BE-së. Pothuajse gjysma e të gjitha obligacioneve me vlerë 2.6 trilionë euro (3 trilionë dollarë amerikanë) të Eurozonës të blera nëpërmjet programit të blerjes së aseteve të BQE-së erdhën nga institucionet jashtë zonës së euros. Bankat në Britani ishin lehtësuesit kryesorë të shitjes së obligacioneve. Edhe fuqia e rregullatorëve të BE-së ndaj aktiviteteve kryesore të bllokut dhe, mbi të gjitha ndaj ruajtjes së stabilitetit financiar, është dobësuar, shprehet Olivier Guersent, Drejtor i Përgjithshëm i Njësisë së Komisionit Europian për stabilitetin financiar, shërbimet financiare dhe bashkimin e tregjeve të kapitalit.

“Nëse unë kam një zemër, dhe ajo është brenda meje, atëherë unë mund të mbështetem plotësisht tek ajo. Por nëse kam zemër mekanike e cila nuk ndodhet brenda meje, atëherë nuk mund të mbështetem plotësisht në të, sepse ajo nuk do të më ofronte mua sigurinë e së parës”, thotë z. Guersent. “Por si do të menaxhohej një krizë financiare nëse pjesa më e madhe e shërbimeve financiare ofrohen nga një vend i tretë”? shton Robert Ophèle, kryetar i Autoritetit të Tregjeve Financiare, rregullatori i bursës së Francës. Supozoni nëse BE-ja do të vendoste një rregullore për reduktimin e aksioneve të bankave (disa shtete i kufizuan ato gjatë krizës financiare të 2008-‘09). Në BE, Britania nuk mund ta refuzonte lehtësisht këtë gjë.

Ndërsa nga ana e saj, pasi të jetë larguar nga BE-ja, Britania nuk do të jetë më në gjendje të ndalojë zhvendosjen e detyruar të aktiviteteve financiare në Eurozonë. Katër janë çështjet kryesore që krijojnë shqetësim për këtë qytet financiar: institucionet e kleringut, tregtimi i aksioneve, menaxhimi i rrezikut dhe delegimi, në të cilin firmat hapin zyrat e tyre në një vend të BE-së, ndërkohë që fondet e tyre menaxhohen në një tjetër. Pas referendumit, bankat globale u erdhën në ndihmë bizneseve britanike në lidhje me zgjedhjen e mundësive më të mira në BE27, për hapjen e zyrave të reja në mënyrë që të vazhdonin biznesin, shprehet një avokat në Londër. Ndër kriteret kryesore ku u mbështetën për të bërë zgjedhjen e duhur ishin madhësia e shtetit në të cilin do të zhvendoseshin, politikat tatimore që ai ndjek, si dhe rregulloret në bazë të të cilave vepron.

“Frankfurti u pa si një alternativë e mërzitshme; Amsterdami, Luksemburgu dhe Dublini ishin shumë të vogla; Madridi dhe Milano kishin probleme tatimore dhe rregullatore ndërsa Parisi do t’i krijonte probleme të shumta në lidhje me ligjin e punësimit”, thotë më tej avokati. Megjithatë, rivalët europianë të Londrës po bëjnë maksimumin për të tërhequr sa më shumë biznese që të munden. Parisi është duke përmendur madhësinë e qytetit të tij, pasurinë kulturore, traditën shumëvjeçare të tregjeve financiare dhe afërsinë me Londrën. François Hollande, Presidenti i Francës deri në vitin 2017, kishte deklaruar në një fushatë se “armiku i vërtetë” i Francës ishte financa. Por Emmanuel Macron është më mikpritës se ai. Reformat e ndërmarra në tregun e punës dhe heqja e taksës së pasurisë kanë ndihmuar në këtë drejtim.

Frankfurti, nga ana e tij, thekson ndikimin e tij bankar, duke qenë se në të ndodhet Banka Qendrore Europiane, plus prej shumë kohësh ai njihet ndryshe edhe si kryeqyteti bankar dhe rregullator i Gjermanisë. Ai renditet i dhjeti në Indeksin e Qendrave Financiare Globale (GFCI), një renditje konkurrueshmërie. Dhe në këtë renditje, Frankfurti është shumë më i mirëpozicionuar në krahasim me Parisin që renditet në vend të 23-të.

Fillimisht, një pjesë e konsiderueshme e stafit të firmave të ndryshme në Londër nuk kanë pranuar për t’u zhvendosur në qytete të ndryshme europiane, por duke qenë se janë të detyruar, ata do të preferonin të zgjidhnin Parisin për stilin e jetesës, edhe për shkak se në krahasim me Frankfurtin, popullsia është shumë e plakur në disa prej zonave periferike të tij. Sipas New Financial, qyteti gjerman ka tërhequr numrin më të madh të aktiviteteve bankare, rreth 44 prej tyre. Parisi ka tërhequr një gamë të gjerë të firmave financiare; Dublini dhe Luksemburgu janë më të favorizuara për menaxherët e aseteve; Amsterdami është i favorizuar nga firmat tregtare dhe ofruesit e infrastrukturës së tregut.

Megjithatë, zhvendosjet që kanë ndodhur deri më tani janë vetëm fillimi. Sipas një këshilltari të qeverisë franceze, bankat po zhvendosin vetëm disa pjesë të vogla të aktiviteteve të tyre për momentin, ndërsa zhvendosjet më të mëdha pritet të ndodhin vetëm pasi situata të jetë qartësuar plotësisht. Por për Londrën, dëmi mund të jetë i konsiderueshëm në këtë drejtim. Shenjat paralajmëruese të një situate të tillë janë shfaqur. Numri i ofertave fillestare publike në Londër ka shënuar një rënie prej 23 për qind gjatë 2018 në krahasim me 2017.

Ndërkohë që Frankfurti, nga ana tjetër, shënoi nivelin e tij më të lartë që nga fundi i shekullit të kaluar. Edhe pse Londra nuk ra në renditjen e Indeksit të Qendrave Financiare Globale (GFCI) gjatë marsit të 2018, ajo u la pas nga Nju Jorku në renditjen e indeksit të këtij viti. Catherine McGuinness, anëtare e Korporatës së Londrës, organi që drejton sheshin Mile, shprehet se më shumë institucione do të vazhdojnë të zhvendosen në qytete të tjera jashtë Britanisë. Ajo i druhet faktit se numri i tyre mund të jetë më i lartë se ai që do të jetë i nevojshëm ligjërisht.

Institucionet aziatike janë veçanërisht të shqetësuara nga situata kaotike që ka krijuar Brexit. Nomura, një bankë japoneze investimesh, nuk e konsideron më Londrën si qendrën financiare globale dhe ka marrë edhe masa për të reduktuar numrin e punonjësve në atë shtet. Bankat amerikane të investimeve janë ndër kritikët më të fortë të dëmit që do t’u shkaktojë Brexit shërbimeve financiare. “Është pak, por e sigurt, që gjatë dekadës së ardhshme, Londra nuk do të jetë më qendra financiare që ka qenë dikur, edhe në rastin e Brexit të vijës së butë”, thotë Jamie Dimon, shefi i JPMorgan Chase. Në dekadën e ardhshme, Londra do të shohë zhvendosjen e bizneseve të saj kryesore në qytetet europiane të BE27, në Nju Jork dhe në qendrat financiare në Azi, shprehet z. Mensah i bankës së Amerikës, Merrill Lynch.

Megjithatë, askush nuk e mendon se kjo qendër e rëndësishme financiare do ta shikojë në heshtje dhe pa bërë asgjë me fatin e saj. Optimistët mendojnë se edhe në rastin më të keq, nëse Londra do të humbasë një pjesë të konsiderueshme të bizneseve të saj të lidhura me BE-në, ajo do të mund të gjenerojë të ardhura nga pjesa tjetër e botës. Një mënyrë për të mbrojtur qytetin do të ishte që Britania të shndërrohej në një zbatuese rregullash, sidomos në drejtim të rregulloreve financiare europiane. Por rregullatorët britanikë (dhe sidomos industria e madhe e sigurimeve, e cila ka më pak biznese në vendet e BE27) mendon se Britania është një nga shtetet më të rëndësishme për t’iu bindur rregullave të BE-së. Megjithatë, edhe nëse do ta merrnim të mirëqenë realizimin e këtij skenari, ai mbart në vetvete një rrezik të madh, sepse në të ardhmen rregullatorët e BE-së mund të synonin qëllimisht “për t’i bërë keq” Londrës.

Zyrtarët europianë do ta dinin fare mirë se ku të godisnin lehtësisht, shprehet Jonathan Hill, ish-komisioneri i Britanisë, përgjegjës për shërbimet financiare. Madje nëse do të donin, ata mund të lëshojnë fare lehtësisht raketat Exocet në Londër. Një mundësi tjetër është që kjo qendër financiare të përqafojë një të ardhme me rrezik më të madh. Koncepti i politikanëve mbështetës së Brexit, “Singapore-on-Thames”*, për heqjen e rregulloreve, reduktimin e taksave të korporatave dhe prioritizimin e konkurrencës, shpeshherë krahasohet me Big Bangun e viteve 1980. Banka e Anglisë dhe Autoriteti Rregullator Financiar (FCA) po kërkojnë të arrijnë një kompromis. Sipas një “rregulloreje të veçantë”, Britania do të shndërrohej në një sistem që do të bazohej shumë në rezultatet e arritura dhe që do të drejtohej nga gjashtë parime bazë, duke përfshirë hapjen ndaj pjesës tjetër të botës, ndjeshmërinë ndaj modeleve të biznesit dhe nxitjen e konkurrencës.

Padyshim që, heqja e pasaportave pas daljes nga BE-ja nuk është e vetmja gjë që Britania do të humbasë, sepse së bashku me të po rrezikohet edhe reputacioni i saj për ruajtjen e stabilitetit politik dhe parashikueshmërinë. Në përgjithësi, qeveritë britanike të së kaluarës i kanë mbështetur shumë shërbimet financiare. Por Brexit e ndryshoi një qasjen në fjalë. Reputacioni që znj. May fitoi ishte ai që ajo po tregohej shumë e armiqësore ndaj qytetit. Edhe zëvendësuesi i saj i mundshëm, Boris Johnson, në një deklaratë të fundit tha një shprehje e cila mbeti në mendjen e shumë njerëzve “në djall biznesi” dhe se ai do të vazhdonte rrugën e mbështetjes së Brexit të vijës së ashpër, edhe nëse ky i fundit do të kishte një ndikim të keq tek bizneset.

Kancelari në hije, John McDonnell, kohët e fundit ka filluar të ballafaqohet me problemet e këtij qyteti. Por planet e Partisë Laburiste, të cilat përfshijnë tatime më të larta mbi të pasurit dhe duke përdorur një të dhjetën e pasurisë së firmave të mëdha për punëtorët dhe rikonstruksionin e shërbimeve të tilla si hekurudhat, etj., shihen me shumë skepticizëm. Shumë besojnë se historia e së kaluarës së shteteve të tjera mund të rezultojë e njëjtë edhe për Britaninë. Në shekullin e 18-të, financuesit e Amsterdamit udhëhiqnin botën, por ata humbën besimin në të ardhmen e qytetit nën drejtimin e Napoleonit dhe u shpërngulën në Londër. Për një qendër financiare që përballet me kërcënimet e një Brexit jo të qetë dhe të një qeverie të kahut të majtë, e kaluara duhet të shërbejë si një prej mësimeve më të mira, duke bërë që një situate të tillë t’i kushtohet e gjithë vëmendja e nevojshme.

*Singapore-on-Thames – është koncepti i preferuar për t’u ndjekur nga politikanët britanikë mbështetës të Brexit, të cilët mendojnë se ndarja nga Luksemburgu dhe Brukseli, do t’i kthejë Londrës fuqinë financiare të dikurshme, njësoj siç ndodhi me Singaporin në momentin që u nda nga Malajzia.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of