Sonte, në mbrëmjen mes 13 dhe 14 shkurtit, në SoFi Stadium të Inglewood, Kaliforni, Cincinnati Bengals dhe Los Angeles Rams do të përballen në edicionin e 56-të të Super Bowl.
Kjo është një ngjarje planetare, e ndjekur në SHBA nga më shumë se 100 milionë spektatorë, dhe një makinë parash – NFL (National Football League) është kampionati më e pasur në botë, për qarkullimin e të ardhurave dhe vlerën e franchise.
Super Bowl
Për të krijuar një ide të vlerës ekonomike të Super Bowl, mjafton të mendoni që korporatat më të mëdha amerikane dhe jo vetëm, konkurrojnë për një spot publicitar prej 30 sekondash transmetim në maratonën e gjatë që e bën më të kripur ndeshjen me çeqe 5-6 milionë dollarë.
Në edicionin që do të zhvillohet sonte në SoFi Stadium, biletat u shitën sa hap e mbyll sytë, pavarësisht çmimeve rekord – për të parë ndeshjen në stadium, çmimi mesatar i një bilete ishte më shumë se 10 mijë dollarë, thuajse dyfishi krahasuar me vitin e kaluar, ku shifrat kapin majat duke arritur në 70 mijë dollarë për vendet në tribunën VIP. Biletat në vendet më të këqija në stadium kushtojnë më pak se një mijë dollarë. Gjithçka për një rit sportiv dhe publicitar.
Mosmarrëveshjet për vendin e organizimit të Super Bowl
Jo rastësisht, të fitosh të drejtën për organizimin e Super Bowl është si të mirëpresësh një finale të Kupës së Botës në futboll. Vendet ku do të zhvillohen edicionet e ardhshme janë njoftuar – në Arizonë, Las Vegas dhe New Orleans.
Megjithatë, komisioneri i NFL, Roger Goodell, prej disa vitesh po punon për rritjen e ligës në nivel ndërkombëtar dhe po vlerëson mundësinë ta çojë Super Bowl jashtë SHBA për herë të parë në vitin 2026. Kandidaturë për këtë event historik në Europë është skuadra londineze e Tottenham, që ka nisur bisedimet me NFL dhe ka ndërtuar stadiumin e ri posaçërisht për futbollin amerikan, me një fushë me bar artificial poshtë një fushe futbolli me bar të tërhequr.
Në vjeshtë, në Londër do të zhvillohen dy ndeshje të NFL, ndërsa Jacksonville Jaguars do të luajnë një nga ndeshjet e tyre në Wembley. Megjithatë edhe Bayern Munich (Allianz Arena këtë vit do të mirëpresë ndeshjen e parë të NFL në Gjermani, përpara se të alternohet me Frankfurtin deri në 2025) dhe Real Madrid shfaqen të interesuara, megjithëse Sidnej mund të fitojë për shkak të zonave kohore.
Xhiro e të ardhurave të NFL
Pavarësisht disa problemeve të imazhit të lidhura me politikat e pretenduara diskriminuese në lidhje me atletët dhe anëtarët e stafit që u përkasin pakicave dhe për rreziqet mbi shëndetin e lojtarëve, veçanërisht për dëmtimet në kokë, NFL është një ligë me shëndet të plotë që thyen rekorde pas rekordeve për sa u përket të ardhurave.
Nga viti 2023, 32 franchise e NFL do të marrin rreth 10 miliardë në sezon nga TV. Fox, ESPN, Amazon, NBC dhe CBS do të paguajnë gjithsej 110 miliardë dollarë deri në vitin 2033 për të transmetuar, edhe në platformat përkatëse streaming, në slote specifike ndeshjet e sezonit të zakonshëm dhe të play-off. Përveç të ardhurave nga TV, franchise mund të mbështeten te të ardhura të larta të lidhura me shitjen e biletave (me një mesatare prej mbi 60 mijë tifozësh në stadium), nga merchandising dhe sponsorizimet.
Këto të fundit po sjellin rezultate në rritje të vazhdueshme. Siç raportohet nga shoqëria e konsulencës IEG, në vitin 2021, NFL ka lidhur kontrata me vlerë 1.8 miliardë dollarë, me një rritje prej 12% krahasuar me vitin 2020, kur të ardhurat ishin 1.6 miliardë dollarë. Prandaj, liga e futbollit amerikan është vendosur të regjistrojë një qarkullim vjetor prej mbi 15 miliardë dollarësh.
Sponsorët
Tre sektorët më fitimprurës për NFL janë sektori teknologjik, ai që ka të bëjë me bastet sportive dhe lojërat e fatit dhe së fundi ai i pijeve alkoolike (ndërsa po tregohet kujdes ndaj kriptomonedhave). Microsoft, për shembull, ka një marrëveshje me NFL me vlerë 100 milionë dollarë në vit.
Prej pak kohësh, NFL ka rinovuar marrëveshjen me Anheuser-Busch, që paguan 250 milionë në vit për një partneritet që lidhet me birrën dhe hard seltzer. Ndërkohë DraftKings, FanDuel dhe Caesars janë partnerësh bastesh sportive prej vitit 2021, me kontrata pesëvjeçare, me vlerë pak më pak se 1 miliard dollarë.
Vlen të theksohet se rritja e sponsorizimeve është e përqendruar në ligë dhe në kampionat, ndërsa marrëveshjet e klubeve individuale shënuan të ardhura shtesë, me një rritje prej vetëm 4%. Jo rastësisht NLF sapo ka lejuar 18 skuadra të nënshkruajnë individualisht marrëveshje tregtare në 26 territore, duke përfshirë Kanadanë, Gjermaninë, Meksikën dhe Mbretërinë e Bashkuar.
/Il Sole 24 Ore