Synimi i klubeve europiane, të cilët e themeluan, është menaxhimi drejtpërdrejtë i të ardhurave të kompeticioneve. Roli i Bankës JP Morgan si financuese
Në fund, klubet e mëdha europiane ia dolën. Mbrëmjen e 19 prillit lindi Super League, një kompeticion i ri që synon të revolucionarizojë futbollin europian. Dhe Botërorin. Themeluesit janë 12 klube të mëdha, ndër më të pasurat dhe me më shumë tifozë. Gjashtë shoqëri janë angleze (Arsenal, Chelsea, Liverpool, Manchester City, Manchester United dhe Tottenham), tre spanjolle (Atletico Madrid, Real Madrid e Barcellona), tre italiane (Milan, Inter dhe Juventus).
Këtyre mund t’u shtohen shumë shpejt edhe tre klube, duke e çuar numrin e themeluesve që do të kenë të drejtë të marrin pjesë në kompeticionin e ri në 15, i cili do të organizohet jashtë radarëve të UEFA-s dhe FIFA-s.
Super League, në të cilën nuk bëjnë pjesë skuadrat gjermane dhe franceze, për shkak të zgjedhjes së tyre, është një ide të cilën shoqëritë e mëdha e kanë prej kohësh, edhe pse deri para pak orësh, asnjëra nuk e kishte hedhur “bombën”.
Arsyet janë ekonomike. Klubet në majë të piramidës dëshirojnë t’i menaxhojnë drejtpërdrejt të ardhurat e një kompeticioni për të cilin garantojnë se do të jetë më i bukur dhe tërheqës se Champions League. Shoqëritë e drejtuara nga Real Madrid dhe Juventus nuk duan më ndërmjetësim e UEFA-s dhe as detyrimin ta ndajnë tortën me skuadrat më të vogla që mbledhin “royalties”, duke mos i dhënë, sipas të mëdhenjve, vlerë të shtuar turneut.
Roli i Bankës JP Morgan
Në kompeticion do të marrin pjesë 20 skuadra, me 15 themelueset që do të marrin pjesë me të drejtë dhe pesë klube që do të kualifikohen në fushë. Në botën e financës, ideja e kompeticionit pëlqehet dhe JP Morgan konfirmoi për Reuters se është financuese e të gjithë sistemit. Banka amerikane është gati të nënshkruajë një çek prej 3.5 miliardë eurosh për fillimin e këtij kompeticioni dhe 3 miliardë euro të tjera si paradhënie mbi të ardhurat.
“Super League – siç shpjegohet – do të organizohet dhe menaxhohet nga një kompani specifike, e cila do të investohet nga secili klub me një pjesë të barabartë. Marrëveshja parashikon angazhimin e secilit klub që të miratojnë një pjesë të kapitalit aksioner të kompanisë, me një investim fillestar prej 2 milionë eurosh i cili mund të rritet, nëse është e nevojshme, deri në 8 milionë euro shtesë “.
Përgjigjja ligjore e 12 klubeve
12 klubet e Super League-s kanë gati një përgjigje ligjore ndaj kërcënimeve të padive për dëmtimet e avancuara nga UEFA. Sipas “Le Parisien”, klubet i kanë dërguar një letër presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, dhe atij të UEFA-s, Aleksander Ceferin, në të cilën paralajmërojnë se kanë depozituar “dokumentin” e tyre në gjykata të ndryshme, duke mos specifikuar se cilat janë dhe përmbajtjen e tyre.
Ceferin (UEFA): Një pështymë në fytyrë atyre që e duan futbollin
Reagimi i presidentit të Federatës Europiane të Futbollit Aleksander Ceferin, ishte i ashpër: “Mendoj se propozimi i Super League-s është si një pështymë në fytyrë të gjithë atyre që punojnë në futboll dhe për ata që e duan futbollit” – tha pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. “U bëjmë thirrje të gjithëve, tifozëve, medias, politikanëve dhe organeve të qeverisë së futbollit të na bashkohen, që ky plan të mos bëhet realitet”.
“Jemi duke vlerësuar ende situatën me ekipin ligjor, është ende shpejt, njoftimi erdhi mbrëmjen e 19 prillit, nuk kemi ende një zgjidhje, por do të përpiqemi të zbatojmë të gjithë sanksionet që mundemi. Natyrisht, i para e mundshëm, duhet të pezullojmë të gjithë nga kometicionet tona” vijoi presidenti i UEFA-s, duke njoftuar se “lojtarët që do të marrin pjesë dhe do të luajnë me ekipet e Super League-s nuk do të mund të luajnë as në Botëror, as në kompeticionet europiane dhe në asnjë ndeshje kombëtare”.
“Jo” e FIGC (Federatës Italiane të Futbollit)
“Jo” e prerë Super League-s edhe nga presidenti i FIGC, Gabriele Gravina. “Futbolli u përket tifozëve. Reforma e vetme e zbatueshme është ajo e lindur nga propozimi i UEFA-s për Ligën e Kampionëve, çdo përpjekje “për t’u arratisur” është e papranueshme dhe e dëmshme për futbollin europian. Pjesëmarrja në këtë projekt i përjashton vetë klubet nga konteksti i njohur nga FIFA”
Bayern Munchen dhe Borussia, kundër
Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund, dy klube gjermane në bordin e European Club Association (ECA), dolën fuqimisht kundër planit për të krijuar një Super League. Ceo i Borussia Dortmund Hans- Joachim Ëatzke, u shpreh: “Ne bëmë një takim të dielën në mbrëmje, nëpërmjet një konference virtuale dhe konfirmuam vullnetin e klubeve të përfshirë për të mbështetur reformën e parashikuar nga Champions League, duke hedhur poshtë planet për të krijuar një Super League. Të dy klubet gjermane të përfaqësuara (Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund) shprehën të njëjtin këndvështrim.
Komisioni i BE: Projekt që bie ndesh me vlerat tona
Në këtë çështje ndërhyn edhe politika e niveleve më të larta. Autoritetet e Brukselit thanë se “duhet të mbrojmë një model sporti europian të mbështetur në vlera, i mbështetur tek diversiteti dhe përfshirja. Nuk ka hapësirë për t’ua rezervuar atyre pak klubeve të pasura dhe të fuqishme që duan lidhje të ngushta me gjithçka që shoqatat përfaqësojnë” – shkruan në TWitter zv.presidenti i Komisionit Europian, Margaritis Schinas. “Universaliteti, përfshirja dhe diversiteti janë elementet kryesore të sportit europian dhe stilit tonë të jetës europiane” – shton Schinas.
Boris Johnson: “Do të bëjmë gjithçka që është e mundur që kjo të mos ndodhë”
Nëse mes Brukselit dhe Londrës, pas Brexit, dashuria është në minimum, kjo çështje, si për paradoks, I afron. Boris Johnson ngre tonin, duke konfirmuar jo vetëm kundërshtimin e qeverisë britanike ndaj Super League-s, por edhe se është gati të bashkëpunojë me “autoritetet e futbollit, në mënyrë që projekti të mos ecë përpara në mënyrën e propozuar deri tani”.
Pas censurës së qartë të shprehur të dielën në mbrëmje, të hënën, Kryeministri britanik foli sërish në lidhje me turneun e ri, në të cilin do të marrin pjesë gjashtë klube angleze, duke e cilësuar “një lajm jo të mirë për tifozët. Ne do të vlerësojmë gjithçka që mund të bëjmë së bashku me autoritetet e futbollit për të siguruar që ky plan të mos realizohet” – tha kryeministri.
Tifozët e gjashtë klubeve angleze: “Akt shqetësues”
Në Angli, edhe tifozët duket se nuk e kanë pritur shumë mirë. Tifozeritë e organizuara të gjashtë klubeve që nënshkruan aktin e krijimit të Super League-s shprehën qëndrimin e tyre njëzëri dhe të vendosur kundër kompeticionit, duke e cilësuar “zhgënjyes, egoist dhe në kundërshtim me vlerat e sportit” nëpërmjet një deklarate të përbashkët. Nga Londra në Manchester, e deri në Liverpool, reagimi i tifozëve nuk vonoi të vinte, “me gjithë zemër kundër krijimit të një kompeticioni i destinuar të shkëputet nga Champions League”, shkruhet në komentin e Chelsea Supporters Trust. Po aq i ashpër edhe qëndrimi i tifozëve të Tottenham’s Supporters Trust: “Kur është e tepërt, është e tepërt”.
Burimi: Il Sole 24 Ore