Bien aksionet e shitësve më të mëdhenj të Amerikës. Rritja e kostove ka prekur Walmart dhe Target
Walmart u forcua pa pushim gjatë pandemisë Covid-19. Investimet e tij shumëvjeçare në blerjet online, më në fund filluan të jepnin frytet e veta, pasi blerësit e frikësuar nga virusi nisën të përdornin aplikacionin online, shkruan The Economist.
Ndërsa inflacioni u rrit, “çmimet e ulëta të supermarketit” dukeshin edhe më tërheqëse. Dhe investitorët besonin se Walmart kishte fuqinë t’i ulte ato çmime edhe më tepër, duke i përthithur kostot e veta në rritje, pa ngarkuar blerësit, ose pa sakrifikuar fitimet.
Në maj, realiteti ekonomik më në fund preku edhe titanin e supermarketeve të Amerikës. Kompania raportoi të ardhura tremujore më të ulëta edhe se vlerësimet më konservatore të analistëve, duke fajësuar kryesisht pengesat e zinxhirit të furnizimit dhe rritjen e kostos së punës dhe transportit. Çmimi i aksioneve të saj ra me 11%, tkurrja më e madhe ditore që nga rënia e bursës ditën e së hënës së zezë, në vitin 1987.
Një ditë më vonë, aksionet u reduktuan me 7%. Në të njëjtën ditë, Target, një tjetër “yll pandemik” i shitjes me pakicë, raportoi rezultate të ngjashme zhgënjyese, duke humbur 25% të vlerës së tregut. Të dyja kompanitë humbën së bashku një kapitalizim tregu prej 65 miliardë dollarësh, në hapësirën e dy ditëve.
Historikisht, inflacioni ka qenë pozitiv për supermarketet e mëdha. Çmimet e ngritura rrisin vlerën nominale të shitjeve. Për sa u përket kostove më të larta për njësi, këto shpesh mund t’u kalohen blerësve, të cilët kanë më shumë gjasa të vazhdojnë të kenë nevojë për artikujt kryesorë të supermarketeve dhe kanë më pak të ngjarë të ankohen për fatura më të larta nëse gjithçka tjetër që blejnë, është gjithashtu më e shtrenjtë.
Megjithatë, këtë herë, shitësit me pakicë e kanë më të vështirë të kompensojnë rritjen e madhe të shpenzimeve operative. Shefi ekzekutiv i Target, Brian Cornell, parashikon një kosto shtesë prej 1 miliard dollarësh në transport këtë vit, pasi rritja e çmimeve të energjisë dëmton fitimet. Kjo gjë tashmë është duke rritur çmimet.
Walmart, zinxhir supermarketesh edhe më i madh se Target, është në një pozicion më të mirë për të përthithur disa nga kostot më të larta. Por edhe “përbindëshi i Bentonville” pret që fitimet të bien me 1% këtë vit. Përveç transportit më të kushtueshëm, Walmart raportoi kosto më të larta pagash, si rezultat i përpjekjes për të siguruar mjaftueshëm punëtorë mes valës Omicron të Covid-19.
Ai siguroi shumë rroba dhe orendi shtëpiake për të shmangur një krizë furnizimi, ndërkohë që u zbeh oreksi për këto mallra. Dhe marzhet e fitimeve pësuan rënie pasi klientët në gjendje të vështirë financiare u larguan nga markat më të shtrenjta, te produktet më pak fitimprurëse të supermarketeve.
Asnjëra nga firmat nuk është në një gjendje aq të keqe sa të shembet. Të ardhurat e Target u rritën në bazë vjetore, të paktën në terma nominalë. Po kështu u rrit edhe trafiku në dyqanet e tij – diçka që “është e rrallë të gjendet në dyqanet me pakicë këto ditë”, sipas bankës së investimeve Morgan Stanley. Shitjet e Walmart u rritën me 2.6%, duke arritur në 142 miliardë dollarë.
Themeluar nga një njeri që çmonte kursimin, shitësi më i madh me pakicë ka fituar tashmë një reputacion për cilësi me çmim të ulët – një virtyt i dobishëm në sytë e blerësve gjatë një recesioni, i cili nuk mund të përjashtohet më. Biznesi i tij i madh ushqimor ofron mbrojtje kundër rënies. Dhe blerësit më të pasur me kursime më të mëdha, mund të zgjedhin Walmart në vend të shitësve me pakicë të nivelit më të lartë, gjë që mund të ndihmojë në rritjen e fitimeve.
Çmimet e aksioneve të shitësve më të vegjël si Kroger dhe Dollar General, të cilët ende nuk kanë raportuar rezultatet e tremujorit të parë, janë zvarritur. Gjigantët e mallrave të konsumit mund të jenë të radhës. Firmat si Procter & Gamble (P&G) kanë rritur çmimet për të kundërshtuar uljen e fitimeve.
Tani ato mund të mendohen dy herë përpara se ta bëjnë këtë sërish, që të mos humbasin shitjet. Llogaritje të tilla zvogëlojnë fuqinë e tyre të çmimeve. Investitorët mund ta kenë marrë parasysh këtë gjë.
Më 18 maj, çmimi i aksioneve të P&G ra me 6%, madje edhe më shumë se tregu i lëkundur i aksioneve në tërësi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.