LeBron James nuk do të luajë në finalet e NBA këtë vit, por gjithsesi ka fituar një titull të ri: miliarder.
Sipas Forbes, 37-vjeçari, yll i Los Angeles Lakers, do të hyjë zyrtarisht në klubin me tre shifra, pasi fitoi 121,2 milionë dollarë vitin e fundit. Ai është i pari lojtar i NBA, i cili luan ende, që arrin statusin e miliarderit.
I vetmi yll i NBA, miliarder, është Michael Jordan, i cili e arriti këtë status vetëm në vitin 2004, më shumë se një dekadë pasi vari këpucët në gozhdë.
James i cili sapo mbylli një marrëveshje dyvjeçare prej 85 milionë dollarësh me Lakers, ka fituar 487 milionë dollarë nga paga gjatë karrierës së tij, sipas Spotrac. Forbes shkruan se ai ka fituar edhe 900 milionë dollarë në sponsorizime që kur hyri në ligë në vitin 2003.
Gjatë 19 viteve karrierë, James ka ndërmarrë sipërmarrje të shumta fitimprurëse biznesi. Në vitin 2016, ai nënshkroi një marrëveshje me Nike që thuhet se vlen më shumë se 1 miliard dollarë, edhe pse shifra nuk është konfirmuar kurrë nga James.
Ai ka gjithashtu aksione në kompaninë e prodhimit SpringHill me vlerë 300 milionë dollarë, raporton Forbes.
Ndër të tjera, James ka nënshkruar marrëveshje me zinxhirë si Blaze Pizza, në të cilin është investitor dhe zotëron 10% të aksioneve, që sipas Forbes arrijnë vlerën 30 milionë dollarë. Ai është investitor në Fenway Sports Group dhe mori një pjesë të fitimeve nga shitja e Beats tek Apple në vitin 2014, pasi zotëronte një pjesë të vogël të shoqërisë.
Forbes vlerëson se ai zotëron prona me vlerë 80 milionë dollarë, duke përfshirë një vilë rreth 37 milionë dollarë, 13,000 metra katrorë, në Beverly Hills.
/ CNBC