Flet Nerada Kulla, “Marigo Souvernirs”
Tregu i suvenireve i është rikthyer normalitetit pas dy viteve pandemi por siç po ndodh me të gjithë, kostot janë rritur edhe për këtë segment.
Nerada Kulla, nga “Marigo Souvernirs” në Durrës, pohon se bizneseve të këtij profili i është dashur të ulin marzhin e fitimit për të mos prekur çmimet finale, pasi konsumatorët kanë tendencën të ulin shpenzimet për produktet e luksit.
Sipas saj, këtë vit po vihet re shpenzim më i matur i turistëve për suvenire, ndërkohë që preferencat që kanë secili prej tyre lidhen ngushtë me vendet nga vijnë.
Mund të themi që panorama është pak më e ndryshme në raport me periudhën e pandemisë. Për mua që kam vite në treg dhe një klientelë besnike, ecuria nuk ka qenë keq.
Heqja e kufizimeve dhe rritja e numrit të turistëve ka dhënë efektet e saj pozitive, por nuk kemi arritur të shpëtojmë dot nga rritja e kostove as ne si biznes.
A e keni reflektuar këtë rritje kostosh te çmimet për produktet që ofroni?
Kostot na janë rritur jo pak, por të paktën kam vendosur të ul marzhin tim të fitimit dhe të amortizoj këtë efekt për të mos ta përcjellë te klienti. Suveniret janë një shpenzim luksi që bëhet nga turistët pra jo diçka e domosdoshme, ndaj nëse çmimet rriten, turisti menjëherë vendos ta eliminojë këtë si shpenzim nga buxheti i tij total për pushime.
Si e perceptoni sjelljen konsumatore të turistëve këtë vit, a shpenzojnë mesatarisht sa më parë apo më pak?
Është një vit ku turistët vihet re se janë shumë të matur në shpenzime. Kërkojnë ulje dhe hyjnë në negociata, pasi ju duket shtrenjtë, kjo edhe për faktin që jemi në një periudhë krize.
Cilat janë grupet e turistëve që vizitojnë dyqanin tuaj dhe janë në Durrës nga ajo që vini re?
Dominojnë polakët, nordikët, gjermanët, francezët, por shoh që ka dhe spanjollë.
Ndërkohë janë edhe italianët që janë rritur dukshëm në numër dhe vijnë kryesisht për atë turizmin shëndetësor apo estetik.
Si ka ndryshuar modeli juaj i biznesit nga viti në vit në funksion të turizmit, duke qenë se e keni aktivitetin drejtpërdrejt të lidhur me të?
Po përpiqemi që vit pasi viti të ofrojmë cilësi më të mirë, por edhe gamë më të gjerë produktesh dhe sa më të veçantë. Produktet unë i bëj në Turqi, pra aty bëj porosinë dhe i brandoj. Po krijojmë një markë që nuk është vetëm specifike për Durrësin ku ka qenë fokusi ynë gjatë viteve të mëparshme.
Marka në vijim do të jetë Shqipëria me gjithë aspektet më të veçanta. Gama e produkteve po rritet vazhdimisht. Ne testuam vitin e shkuar me trastat e copës që ishin shumë të preferuara dhe janë ende të pëlqyera nga të huajt por kam vënë re që edhe shqiptarët po i blejnë dhe përdorin gjithmonë e më shumë.
Kjo kishte nisur që para heqjes së qeseve, por tani është përforcuar. Shoh shumë të reja që kanë filluar t’i përdorin në përditshmëri si çanta dhe kjo na nxit që të jemi më krijues në dizenjo, koncept dhe më kërkues në cilësi.
Këtë vit kemi çuar disa produkte të reja për t’i prodhuar në Turqi me dizenjo të veçanta dhe do të marrim atë që quhet si “tester” që është produkti i parë i cili na vjen në dyqan.
Cilat janë preferencat e turistëve për suvenirë këtë vit nga ajo që vini re në dyqanin tuaj?
Sjelljet dhe preferencat janë të ndryshme, por sipas kombësisë krijon dhe një ide për atë që kërkojnë. Për shembull, polakët vijojnë të mbetet të interesuar për pijet dhe alkoolin.
Nordikët janë më shumë për gjërat autentike dhe përfaqësuese të vendit, gjermanët preferojnë shumë thurjet, punimet me dorë, qilimat e vegjël, si dhe bunkerët, kurse italianët mbeten shumë të pasionuar pas gjërave të sportit si dhe bizhuteritë.
Sa të lehtë e keni të siguroni punime me dorë apo thurje, të cilat janë shumë tradicionale për kërkesat që keni në dyqan?
Më parë ishte Kruja kryesore për këto gjëra, por tani pjesa më e madhe e tyre po i marrin në Kinë këto. Punoj në Kavajë ku jam e lidhur me një zonjë që punon në shtëpi.
Përgjithësisht, ato që angazhohen në punët e dorës si qilima të vegjël apo produkte të tjera, sipas kërkesës, i përkasin moshës së tretë dhe mendoj që në të ardhmen do jetë e vështirë të sigurojmë gjëra kaq autentike dhe origjinale të punuara me dorë, që kanë vlerë shumë të madhe për dyqanet e suvenireve.
LEXONI EDHE:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.