Asambleja e Nobel e Karolinska Institutet vendosi t’i japë sot Çmimin Nobel 2022 në Fiziologji ose Mjekësi, Svante Pääbo, “për zbulimet në gjenomet e hominidëve të zhdukur dhe evolucionin njerëzor”.
Njerëzimi ka qenë gjithnjë kureshtar për origjinën e tij. Prej nga vijmë dhe çfarë lidhje kemi me ata që erdhën para nesh? Çfarë na bën ne, Homo sapiens, të ndryshëm nga njerëzit e tjerë?
Falë kërkimit të tij pionier Svante Pääbo arriti diçka në dukje të pamundur – sekuencimin e gjenomës së Neandertalit, një i afërm i zhdukur i njerëzve të sotëm. Ndër të tjera bëri zbulimin e bujshëm të një Hominidi të mëparshëm të panjohur, Denisova.
Është e rëndësishme të theksohet se Pääbo ka zbuluar edhe se kalimi i gjeneve nga këta hominimë tashmë të zhdukur te Homo Sapiens ka ndodhur si pasojë e migrimit nga Afrika rreth 70 mijë vite më parë. Ky fluks i vjetër gjenesh drejt njerëzve aktualë ka rëndësi fiziologjike sot, për shembull për sa i përket mënyrës se si sistemi ynë imunitar reagon ndaj infeksioneve.
Hulumtimet e Pääbo i kanë dhënë jetë një disipline shkencore tërësisht të re – paleogjenetikës. Duke zbuluar ndryshimet gjenetike që i dallojnë të gjithë njerëzit e gjallë nga homininët e zhdukur, zbulimet e tij sigurojnë bazën për të eksploruar atë që na bën në mënyrë unike njerëz.
Studiuesi suedez 67-vjeçar Pääbo është një nga themeluesit e paleogjenetikës – duke rikuperuar ADN e njerëzve primitivë dhe duke e rindërtuar atë pavarësisht moshës, dëmeve të pësuara dhe kontaminimit, ai ia doli të krijojë një pemë gjenealogjike të të parëve tanë, duke e përfunduar historinë e ndërtuar me eshtra arkeologjike.
Pääbo ka koordinuar projektin e kërkimit, duke arritur në 2009 sekuencimin e plotë të njeriut të Neandertalit, duke konfirmuar se një pjesë e gjeneve të tij është e pranishëm edhe te njeriu i sotëm.
Gjatë pandemisë u zbulua, ndër të tjera, se prania ose jo e disa gjeneve që datojnë nga Neandertalët ndikojnë në mënyrën se si i përgjigjet sistemi ynë imunitar koronavirusit.