Synojmë që 70% e popullsisë mbi 15 vjeç të ketë llogari bankare deri më 2022

22/02/2020 10:04 PM 0 komente

Flet Luljeta Minxhozi, zv.guvernatore e Bankës së Shqipërisë

 

Luljeta Minxhozi, zv.guvernatore e Bankës së Shqipërisë, njëkohësisht edhe kryetare e Komitetit Kombëtar të Pagesave, shpjegon risitë dhe objektivat e projektligjit të ri të pagesave.

Ajo pohon se miratimi dhe zbatimi i këtij projektligji  vlerësohet se do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit në fushën e pagesave me vlerë të vogël, duke promovuar kështu efikasitetin e tyre dhe reduktimin e kostove që mbart përdorimi i tyre

Zonja Minxhozi, në Kuvend pritet të nisë diskutimi për miratimin  e një projektligji të ri në fushën e pagesave. Cili është qëllimi i tij?

Qëllimi i projektligjit, i hartuar me asistencën e Bankës Botërore dhe Bankën e Italisë, është krijimi i kuadrit ligjor për funksionimin e shërbimeve të pagesave në Republikën e Shqipërisë.

Për këtë qëllim, projektligji krijon kushte dhe rregulla për krijimin, licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pagesave dhe gjithashtu siguron transparencën e kushteve dhe kërkesat për informim mbi shërbimet e pagesave.

Propozimet e reja përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet përkatëse të përdoruesve dhe të ofruesve të shërbimeve të pagesave në lidhje me ofrimin e shërbimeve të pagesave.

Ligji i ri synon të promovojë përfshirjen financiare të popullsisë dhe nxitjen e përdorimit të instrumenteve elektronike të pagesave. Më konkretisht, ky projektligj vlerësohet se do të mbështesë ndjeshëm përmbushjen e objektivave të strategjisë kombëtare të pagesave.

Cilat janë këto objektiva?

I pari është nxitja e përdorimit intensiv të instrumenteve moderne të pagesave (plotësisht elektronike) me vlerë të vogël në të gjithë vendin, me qëllim arritjen e 10 pagesave jo me para fizike për frymë, deri në fund të vitit 2022.

Dhe i dyti, zgjerimi i mundësisë për aksesin në llogaritë e transaksioneve është një kusht i domosdoshëm për të arritur objektivin kryesor, duke synuar të arrijë një raport të zotërimit të llogarisë në nivelin 70% deri në vitin 2022.

Gjithashtu, ky projektligj synon paanshmëri dhe proporcionalitet në licencimin dhe rregullimin e ofruesve të shërbimit të pagesave dhe të mundësojë modele inovative të biznesit, të cilat lehtësojnë përdorimin për palët e treta (për shembull, shërbime agjenti) dhe burime nga jashtë. Ndryshimet forcojnë bazën ligjore mbikëqyrëse të BSH-së për shërbimet e pagesave dhe krijojnë një kuadër për mbrojtjen e konsumatorit, përfshirë mekanizmat monitorues dhe detyrues, si dhe duke zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë efektive.

Çfarë ndikimi do të ketë në shërbime dhe në kostot e pagesave?

Miratimi dhe zbatimi i këtij projektligji  vlerësohet se do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në nxitjen e konkurrencës dhe inovacionit në fushën e pagesave me vlerë të vogël, duke promovuar kështu efikasitetin e tyre dhe reduktimin e kostove që mbart përdorimi i tyre. Shërbimet inovative të promovuara nga ky projektligj konsistojnë në shërbimet e inicimit të pagesave dhe institucionet për shërbimin e informimit mbi llogarinë.

Me qëllim realizimin e shërbimeve të cituara më lart, në projektligj përcaktohet koncepti i shërbimit të llogarisë. Ky shërbim krijon konceptin e open banking duke detyruar bankat të ndajnë informacion mbi llogarinë e klientit me palë të treta, gjithashtu institucione të licencuara nga BSH (institucionet e shërbimit të inicimit të pagesës dhe institucionet për shërbimin e informimit mbi llogarinë).

Cilat janë instrumentet lehtësuese që ligji parashikon në shërbimet e pagesave?

Projektligji i ri synon të balancojë hapësirat për ofrimin e shërbimeve të pagesave midis bankave dhe institucioneve financiare jobanka, duke lejuar këto të fundit të hapin llogari pagese dhe emetojnë instrumente elektronike të pagesave dhe të eliminojnë praktikat bllokuese ndaj institucioneve financiare jo banka për arsye konkurrence.

Më konkretisht, projektligj sanksionon të drejtën e institucioneve të pagesave për të hapur llogari pranë një banke dhe për ofrimin e shërbimeve përkatëse. Në rast refuzimi, banka duhet të raportojë me shkrim pranë Bankës së Shqipërisë për arsyet e refuzimit. Kjo dispozitë synon të eliminojë praktikat abuzive të ndjekura nga bankat në kuadër të derisking.

Projektligji gjithashtu sanksionon të drejtën e institucioneve të pagesave për të marrë pjesë në sistemet e pagesave (direkt kur këto sisteme nuk janë me rëndësi sistemike dhe indirekt nëpërmjet një banke kur ato janë me rëndësi sistemike si në rastin e AIPS).

Në projektligj vihet një theks i lartë mbi transparencën, çfarë konkretisht?

Projektligji ka vënë në fokus rritjen e transparencës në shërbimet e ofruara nga tregu dhe të krijojë një kuadër të konsoliduar për mbrojtjen e konsumatorit. Projektligji parashikon krijimin e njësive brenda institucioneve për adresimin e mbrojtjes së përdoruesve të shërbimeve të pagesave (të ngjashme me atë të kredisë konsumatore) si dhe një njësi të posaçme për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve brenda Bankës së Shqipërisë.

Ky zhvillim është në linjë dhe me rishikimet e fundit të ligjit “ Për mbrojtjen e konsumatorit” nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Gjithashtu, synon të zgjerojë prezencën e shërbimeve të ofruara nga bankat në të gjithë territorin (përfshirë dhe zonat rurale) nëpërmjet prezantimit dhe rregullimit të modelit “të bankave, të cilat ofrojnë shërbime pagesash nëpërmjet  agjentëve” (aktualisht bankat operojnë vetëm me degë).

Baza e re ligjore synon të kontribuojë në krijimin e institucioneve financiare me një qeverisje të mirërregulluar dhe struktura për administrimin e rrezikut, duke ndihmuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në nxitjen e sigurisë dhe efikasitetit në tregun e shërbimeve të pagesave. Zbatimi i këtyre praktikave evropiane ndikon dhe në rritjen e besimit ndaj institucioneve shqiptare të pagesave në rrafshin ndërkufitar.

Veç të tjerash, synon të rregullojë më tej institucionet e parasë elektronike, për sa u përket kushteve të transparencës dhe të drejtave e detyrimeve të palëve.

Projektligji i ri për pagesat synon ngritjen e disa institucioneve të reja. Çfarë përfaqësojnë dhe çfarë funksioni do të kenë?

Po, është e vërtetë. Projektligji i ri për pagesat krijon së paku 3 institucione të reja që do t’i shërbejnë lehtësimit të shërbimeve të pagesave bankare.

I pari – institucionet për shërbimin e inicimit të pagesave

Ofruesit e shërbimeve të inicimit të pagesave zakonisht i ndihmojnë konsumatorët të bëjnë pagesa në internet dhe të informojnë menjëherë tregtarin për inicimin e pagesës, duke lehtësuar kështu tregtinë elektronike. Këto institucione mundësojnë shfrytëzimin e tregtisë elektronike edhe nga konsumatorë, të cilët nuk zotërojnë një kartë debiti apo krediti, por kanë një llogari bankare të aksesueshme nga interneti.

I dyti – institucionet për shërbimin e informimit mbi llogarinë

Shërbimet e informimit të llogarisë u mundësojnë konsumatorëve dhe bizneseve të kenë një pamje globale mbi gjendjen e tyre financiare, për shembull, duke u mundësuar konsumatorëve të konsolidojnë llogaritë e ndryshme rrjedhëse që mund të kenë me një ose më shumë banka dhe të kategorizojnë shpenzimet e tyre sipas tipologjive të ndryshme (ushqim, energji, qira, kohë të lirë etj.), duke i ndihmuar kështu në buxhetimin dhe planifikimin financiar.

I treti – institucionet për shërbimin e llogarisë

Lëshimi/emetimi i një instrumenti të pagesës është një nga shërbimet e pagesave që është brenda fushës së veprimit të direktivës. Secili ofrues i shërbimeve të pagesave, një bankë ose një institucion pagese, mund të emetojë instrumente pagesash. Instrumentet e pagesës nuk mbulojnë vetëm kartat e pagesave, siç janë kartat e debitit dhe kartat e kreditit, por çdo pajisje e personalizuar ose rregull i rënë dakord midis emetuesit dhe përdoruesit që përdoret për të iniciuar një pagesë.

Në këto kushte, institucionet e shërbimeve të llogarisë mundësojnë që ofruesit e shërbimeve të pagesave, të cilët nuk administrojnë llogarinë e përdoruesit të shërbimeve të pagesave, të kenë mundësi të emetojnë instrumente të pagesave të bazuara në karta dhe ekzekutimin e pagesave të kryera me to. Më në detaje, ofruesi i shërbimeve të pagesave nëpërmjet këtyre shërbimeve, mund të informohet, me pëlqimin e përdoruesit, mbi gjendjen e llogarisë në një institucion tjetër dhe kështu të mundësohet ekzekutimi i pagesës duke eliminuar dhe rrezikun e kredisë midis palëve.

Ju jeni kryetare e Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave. Çfarë objektivash ka ky komitet?

Rekomandimet e mbledhjes së pestë të Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave vitin e kaluar u fokusuan te krijimi dhe zbatimi i objektivave të parashikuara në strategji në lidhje me krijimin e një Task Force me përbërje gjithëpërfshirëse për hartimin e një Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar.

Është ngritur grup pune në mbështetje të digjitalizimit dhe automatizimit të mëtejshëm të pagesave qeveritare bazuar edhe në gjetjet dhe rekomandimet e evidentuara nga studimi i Bankës Botërore.

Është ngritur një grup pune me qëllim analizimin e kostove të kartave në tregun shqiptar dhe evidentimin e nevojave për ndërhyrje me qëllim rritjen e efikasitetit të këtij instrumenti dhe si rrjedhojë përdorimin e tyre në ekonominë shqiptare.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of