Edhe për vitin 2018 pritet që sektori i turizmit të jetë i mbarë. Ardit Çollaku, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Turizmit thotë se për herë të parë këtë vit, të kemi edhe operatorin më të madh italian, që quhet AlpiTour. Gjermanët pritet të vizitojnë sërish vendin.
Një tjetër treg i synuar është edhe ai aziatik.
Çollaku thotë se ky është një treg që ne kemi mundësi të marrim turistë, gjatë gjithë vitit. Jo më turistë sezonalë, sepse pikërisht këta lloj turistësh nuk janë të fokusuar te turizmi i bregdetit, por kulturor. Një tjetër plan, është vendosja e chart-erit të parë me Rusinë në 2018.
Si ishte viti 2017 për turizmin? Ishte brenda pritshmërive tuaja?
Ne si agjenci e fillojmë punën një vit përpara dhe rezultatin e presim vitin pasardhës. Për vitin 2017 është punuar në vitin 2016, të cilin e kemi nisur me fushatën që ka bërë agjencia me ministrinë dhe institucione të tjera, e cila ka qenë e fokusuar në hapjen e tregjeve të reja në arenën ndërkombëtare. Përmes kësaj forme, mund të përfitonim edhe turistë të huaj që vijnë në vendin tonë.
Ndërsa gjatë gjithë vitit 2017, ne e intensifikuam fushatën tonë, duke u fokusuar kryesisht në tre tregje kryesore: tregu gjerman, italian dhe ai aziatik. Në 2017-n, për të dytën herë, ishim të pranishëm edhe në Tokio, në një stendë të përbashkët me disa vende të rajonit. Them se vitin 2017 e filluam mbarë, sepse që në janar të këtij viti ne kemi qenë në një nga panairet më të mëdha në Gjermani, që është panairi i Shtutgardit, ku për herë të parë ishte “country partner”, me një ndër stendat më të mëdha që kemi pasur ndonjëherë në fushën e turizmit, mbi 300 metra katrorë, ku u shpërnda edhe një sasi e madhe e materialeve promocionale. Ndikimi ishte shumë i madh, pasi ne u pasqyruam në shumë media gjermane, dhe feedback nuk mungoi.
Shumë grupe turistësh nga Gjermania që erdhën në vendin tonë, kanë pasur fokus edhe promovimin që u bë atje. Nga ana tjetër, kemi organizuar ture familjarizuese me operatorë apo media gjermane, që kryesisht i përcaktuam gjatë këtij panairi. Një tjetër treg ku kemi përqendruar promovimin tonë ka qenë ai i Italisë. Për herë të parë gjatë vitit 2017, ne e kemi rritur pjesëmarrjen tonë, duke marrë pjesë në tre panaire dhe duke zhvilluar disa takime b-2-b, operatorëve tanë turistikë, ndërmjetësimit të AKT dhe operatorëve italianë në koordinim me Ambasadën tonë atje. Kjo ka bërë të mundur, që për herë të parë këtë vit, të kemi edhe operatorin më të madh italian, që quhet AlpiTour, i cili ka një bashkëpunim të ngushtë me AKT.
Çfarë projektesh keni për 2018?
Gjatë vitit 2018 do të bëhet një fushatë promocionale në media, përmes këtij operatori, AlpiTour, në koordinim me ne, si dhe me ndihmën që po i japim me vizitat e gazetarëve që ata duan të sjellin në Shqipëri. Gjithashtu, është synuar edhe tregu francez, ku për herë të parë, në bashkëpunim me ambasadën tonë andej, është hapur një zyrë informacioni për vendin tonë. Por, synimi ynë kryesor lidhur me atë që duam ta quajmë si turizëm të qëndrueshëm është hapja për tregun aziatik.
Përveç Japonisë, në të cilin siç e thashë, promovohet Ballkani bashkërisht, si produkt i vetëm, synojmë promovim më të gjerë, përmes agjencive të marketingut të kontaktuara. Kemi filluar një bashkëpunim të drejtpërdrejtë edhe me TurkishAirline, ku do të promovojmë vendin tonë në takime me operatorë vendas atje. Në tremujorin e parë të 2018 do të zhvillojmë takime në Kore dhe Tokio, duke synuar një treg më të gjerë. Këto takime i kemi kërkuar prej kohësh, pasi ky është një treg që ne kemi mundësi të marrim turistë, gjatë gjithë vitit. Jo më turistë sezonalë, sepse pikërisht këta lloj turistësh nuk janë të fokusuar te turizmi i bregdetit, por kulturorë.
Operatorët japonezë na kanë bërë me dije se rinia është shumë e interesuar të zbulojë destinacione të reja, të shpenzojë disa ditë në kryeqytetet ballkanike, për të shijuar edhe jetën e natës. Nuk do të synojmë më vetëm moshat më të rritura. Një tjetër aspekt i planifikuar është ai i shtrirjes së fushatës promocionale në 2018 në media, në shtete të së cilave nuk kanë qenë më parë të pranishëm. Si p.sh.: Kina. Në këtë rast, Kina ka hapur një zyrë koordinimi në Budapest, për vendet e Europës Lindore dhe Qendrore, dhe për 2018 është shpallur nga Europa si “viti i Kinës”.
Ne do të bëjmë një propozim, nisur nga ky fakt, që çdo kryeqytet europian, ashtu sikurse dhe Tirana, duhet të bëjë një pasqyrim të një objekti sipas natyrës kineze. Dhe në të njëjtën mënyrë të reflektohet në Kinë, një objekt sipas natyrës shqiptare. Ky reciprocitet do të ketë efekte edhe në fushën e turizmit, Kina është një treg prej 1.5 mld. Nostalgjinë e viteve 1970 të shqiptarëve do të donim ta përdornim në të mirën tonë, për tërheqjen e vizitorëve të huaj. Për vitin 2018, nisma e Ministrisë së Turizmit, në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme dhe AKT, do të sjellë një lirim të vizave për kinezët.
Do të ishte një hap i mirë, pasi Mali i Zi dhe Serbia e kanë bërë realitet. Shqipëria, duke u bërë pjesë e pandashme e këtij qarku rajonal, do të ketë përfitimet e veta. Një tjetër plan, është vendosja e chart-erit të parë me Rusinë në 2018. Ndërsa një synim i vendosur për këtë vit, është vendosja e kryeqytetit, Tiranës, si produkt i një pakete rajonale. Kjo iniciativë do të ndërmerret duke qenë se ka shumë operatorë të huaj që ofrojnë paketa turistike me lëvizje dhe kemi planifikuar që Tirana të jetë pjesë e shumë paketave të tilla.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.