Flet drejtori i Alpha Bank, Georgios Papanastasiou
Fokusi kryesor për 2018 do të jetë zbatimi i duhur i reformave ndaj informalitetit, që konsiston kryesisht në deklarimin e një bilanci të vetëm nga bizneset dhe që synojnë reduktimin e mëtejshëm të raportit të kredive me probleme në të ardhmen dhe deklarimin faktik të pagesave për punonjësit, që synon nxitjen e mëtejshme të kreditimit
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës suaj në vitin 2017?
Ekonomia shqiptare vazhdoi të rritet përgjatë gjysmës së dytë të vitit 2017, edhe pse me një ritëm më të vogël se sa gjysma e parë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.55% në tremujorin e katërt.
Zhvillimet në sistemin bankar ishin në linjë me politikat makroekonomike dhe politikën e kujdesshme mbikëqyrëse. Në dhjetor 2017, Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 16.6%, ndërkohë që raportet e përfitueshmërisë së sektorit, Kthimi nga aktivet (RoA) dhe Kthimi nga kapitali (RoE) ishin respektivisht 1.5% dhe 15.7%, më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Teprica e kredisë, e cila shfaqet e pandryshuar nga viti i mëparshëm, reflekton procesin e fshirjes së kredive të humbura nga bilanci i sektorit bankar dhe një kërkesë ende të brishtë për kredi. Raporti i kredive me probleme ra në 13.2% në dhjetor 2017 (kundrejt 18.3% në dhjetor 2016), duke pasqyruar përmirësimin e veprimtarisë ekonomike, efektet e masave për reduktimin e kredive me probleme, si dhe përpjekjet e vazhdueshme të bankave për të pastruar dhe për të ristrukturuar bilancet e tyre.
Në fund të 2017-s, Alpha Bank Albania arriti një pjesë tregu prej 5.7%, duke vazhduar financimin e sektorëve dhe projekteve të rëndësishme të ekonomisë, duke mbështetur financiarisht nevojat e ekonomive familjare nëpërmjet shërbimeve cilësore, si dhe mbështetjen e nevojave për financim të qeverisë shqiptare. Në linjë me zhvillimet e sektorit bankar, banka arriti të ruajë pozicionin e kapitalit, Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit prej 19.25%, si dhe ruajti bazën e likuiditetit, nëpërmjet një zgjerimi të kujdesshëm biznesi.
Alpha Bank Albania është një bankë likuide dhe e mirëkapitalizuar, që synon të kryejë veprimtari të gjera biznesi në periudhat në vijim. Portofoli i kredisë shënoi një shtesë modeste krahasuar me vitin e mëparshëm, duke arritur 337 milionë euro, në dhjetor 2017. Gjithashtu, banka ruajti vendin e saj ndër pesë bankat më të mira në tregun e biznesit me pakicë, me 8.20% pjesë tregu në veprimtarinë bankare të biznesit me pakicë.
Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2018?
Në nivel vendi, ulja e kredive me probleme në 2017, është një zhvillim pozitiv për t’u shënuar, që do të çlirojë burime të angazhuara për drejtimin e kredive me probleme, do të përmirësojë gradualisht perceptimin e sektorit bankar mbi riskun e kredisë dhe eventualisht do t’i japë një nxitje më të madhe rritjes së kreditimit në periudhat në vijim. Megjithatë, në mënyrë që ristrukturimi i kredisë të jetë i frytshëm, procesi duhet të kryhet në mënyrë të kujdesshme, duke u përqendruar në përmirësimin e aftësisë paguese të kredimarrësit si dhe përdorimit të stimujve të duhur për të siguruar ripagesë të rregullt të kredisë.
Sinjalet pozitive, si rritja e kërkesës për kredi në 2017 nga ndërmarrje të mëdha dhe ato të vogla e të mesme, mund të çojnë në zgjerim të mëtejshëm të kreditimit në vitin 2018 për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, me qëllime investimi ose kapitali qarkullues. Gjithashtu, një tendencë e ngjashme është parashikuar për kreditë konsumatore dhe ato hipotekore.
Për vitin 2018, Alpha Bank Albania do të vazhdojë të forcojë praninë e vet në sistemin bankar, duke mbështetur nevojat e ekonomive familjare dhe duke ofruar shërbime financiare të personalizuara për bizneset. Ne do të vazhdojmë të promovojmë shërbimet bankare jo-cash, nëpërmjet bashkëpunimit ekskluziv me marka prestigjioze ndërkombëtare për sa u përket produkteve të kartave dhe gjithashtu, duke ofruar shërbime cilësore me konsumatorin në qendër, nëpërmjet rrjetit të gjerë të ATM-ve në të gjithë vendin, si dhe platformës në web dhe celular (për sistemin Android dhe iOS).
Banka e Shqipërisë ka prezantuar së fundmi një plan masash për të ulur nivelin e euroizimit në vend. Si e vlerësoni këtë plan masash, sa efektiv do të jetë ai dhe çfarë duhet bërë për të ulur përdorimin e euros në vend?
Procesi i de-euroizimit është nisur nga Banka e Shqipërisë, me synimin e rritjes së përdorimit të monedhës vendase. Ky është një proces afatgjatë, i cili do t’i japë rezultatet në një kohë të mëvonshme dhe ne besojmë se, nën udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e Bankës së Shqipërisë, ky tranzicion do të jetë i qetë. Alpha Bank Albania mirëpret çdo nismë që synon të forcojë monedhën vendase, ndaj banka përgjatë 2017-s ka hedhur në treg produkte konkurruese në Lek. Gjithsesi, ne kemi vënë re se klientët janë ende skeptikë për kalimin e depozitave nga Euro në Lek, pavarësisht se normat e interesit janë më të larta në monedhën vendase. Nga ana tjetër, gjatë kohëve të fundit është vënë re se klientët që janë duke aplikuar për kredi, janë më të gatshëm për të kërkuar kredi në monedhën e njëjtë me të ardhurat e tyre, për të mos u ekspozuar ndaj riskut të kursit të këmbimit.
Sistemi bankar është përfshirë së fundmi në një valë shitjesh e blerjesh. Si e vlerësoni këtë tendencë dhe si pritet të ndikojë në sistemin bankar?
Disa grupe të caktuara bankare perceptojnë se, sipas dinamikave aktuale të tregut, blerja ose shkrirja mund të jetë një mundësi e mirë për t’u zgjeruar, për të rritur pjesën e tregut, për të rritur bazën e klientëve, për të përmirësuar mundësitë në ofrimin e financimit dhe për të operuar në një rrjet më të gjerë njësish.
Gjithsesi, këto lloj transaksionesh mund të mbartin ndonjëherë risqe operacionale dhe biznesi, si për shembull për shkak të mospërputhjes së kulturës organizative, përkeqësimit të shërbimit ndaj klientëve dhe perceptimit të bankës, ose edhe çështje të përputhshmërisë. Për këto arsye, Banka e Shqipërisë mbikëqyr dhe monitoron në mënyrë të kujdesshme ndryshimet strukturore ekzistuese dhe ato të mundshme, si dhe konsolidimin e mëtejshëm të sektorit bankar nëpërmjet blerjeve apo shkrirjeve.
Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Është parashikuar që aktiviteti i sektorit bankar dhe sistemit financiar do të jetë i qëndrueshëm në rritje përgjatë 2018.
Si edhe deri më sot, fokusi kryesor për 2018 do të jetë zbatimi i duhur i reformave ndaj informalitetit, që konsiston kryesisht në deklarimin e një bilanci të vetëm nga bizneset dhe që synojnë reduktimin e mëtejshëm të raportit të kredive me probleme në të ardhmen dhe deklarimin faktik të pagesave për punonjësit, që synon nxitjen e mëtejshme të kreditimit.
Ekspozimi i sektorit bankar ndaj risqeve të ndryshme është i përmbajtur dhe treguesit kryesorë financiarë, të lidhur me kapitalizimin, likuiditetin dhe përfitueshmërinë mund të përballojnë risqet operacionale në kushte normale dhe të tregojnë fleksibilitet në kushte potenciale të jashtëzakonshme. Për më tepër, tendenca rënëse e kredive me probleme parashikohet të vazhdojë edhe në vitet në vijim.
Gjithashtu, përqafimi i teknologjisë dhe inovacionit do të jetë sfidë për sistemin bankar, që do të nxisë bankat të arrijnë avantazh konkurrues dhe të përmbushin pritshmëritë e klientëve për përvoja të reja të veprimtarisë bankare, si dhe shërbimesh dhe produktesh, në të ardhmen e afërt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.