Ish-deputetja Jorida Tabaku, në një status në Facebook, ka thënë se qeveria po mban të fshehtë projektbuxhetin 2020, përtej afateve ligjore.
Në statusin e saj thuhet: “Shqiptarët sot duhet të ishin të informuar mbi Projektbuxhetin 2020, Kuvendi i Shqipërisë, si rregull, duhet të kishte hapur diskutimet mbi dokumentin më të rëndësishëm shtetëror në vend. Por, terri informativ dhe i transparencës ka mbuluar si çdo projektligj edhe atë të Buxhetit. Shumë pak njerëz kanë pasur mundësi të lexojnë projektbuxhetin 2020, qeveria është përkujdesur që ta mbajë të fshehur dhe të mos e shpërndajë.
Ajo çfarë kuptohet nga burimet që nxjerrin informacione është se projektbuxheti ka ulje të parashikimeve për rritjen ekonomike, si dhe nuk përpiqet të trajtojë me seriozitet problemet kardinale të ekonomisë së vendit. Ne sot jemi një nga vendet me borxhin më të lartë publik, të dhënat nga auditimi i KLSH raporton për një buxhet 9,16 miliardë euro dhe prej 69,7 %, këtu nuk është përllogaritur vlera e PPP-ve që do ta çonte borxhin në 81% të GDP-së. Praktikisht çdo qytetar i vendit duhet të paguajë mbi 3500 euro borxhin publik.
Në kushtet e një ekonomie të drobitur, pa asnjë burim rritjeje alternative, ku rritja ekonomike është kritike, buxheti i ri nuk ka prodhuar asnjë incentivë në lidhje me sipërmarrjen. Paketa Fiskale 2020 nuk prodhon asnjë rregullim në lidhje me problemet që hasin bizneset. Janë rregullime të parëndësishme, qoka të qeverisë apo një grupi të caktuar njerëzish me influencë, si fjala vjen qoka për uljen e tatimfitimit në 5% për industrinë fason të makinave, ndërsa fasonët e kanë tatimfitimin 15 %. Asnjë shpresë për biznesin e vogël që sot ka ulur masivisht qepenat, asnjë shpresë për fermerin që sot po hedh produktet në rrugë, asnjë shpresë për studentin që do të vazhdojë të ketë tarifat më të larta universitare me investime gjithnjë e më të ulëta në arsim nga qeveria, asnjë shpresë për punonjësit e për shtresën e mesme që sot po largohet masivisht.
Praktikisht metodologjia e politikës fiskale është njësoj si në këto 6 vjet, selektive, qoka për grupe të vogla biznesesh asnjë masë reale për të nxjerrë nga kriza ekonominë dhe asnjë masë reale për të rikthyer shpresën e besimin! Pesimizmi në ekonomi ka kapluar bizneset, familjet, investimet dhe shanset për një konkurrueshmëri në tregun e Investimeve të Huaja Direkte është përherë dhe më i vakët. Projektbuxheti 2020 nuk është incentivues për një rritje ekonomike, madje sipas parashikimeve vërehet se ai nuk përputhet në parashikimin e mbledhjes së të ardhurave as me Buxhetin Afatmesëm të qeverisë miratuar një vit më parë”, thuhet në status.
.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.