Tabela e taksave krahasuese në rajon: Shqipëria kryeson në TVSH, tatim fitim, kontribute

23/11/2015 8:47 AM 0 komente

Sidomos në kontributet që paguhen nga punëdhënësit, Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të taksës në rajon, por rendimentin më të ulët fiskal!

Shqipëria, së bashku me Serbinë kanë nivelin më të lartë të taksave në rajon, në TVSH, kontributet e sigurimeve, që paguhen nga punëdhënësi dhe tatimin mbi korporatat. Jo më kot, të dy këto shtete kanë nivelin më të lartë të taksave në përqindje ndaj fitimit, përkatësisht 36.5% Shqipëria dhe 39.7% Serbia.

TVSH

Sipas një tabele të nxjerrë nga të dhënat e Bankës Botërore, Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të TVSH-së, në 20%.

Në Maqedoni, niveli më i lartë i TVSH-së është 18%, ndërkohë që vendi ka dhë një TVSH të reduktuar prej 5% për produkte ushqimore, produkte mjekësore, makineri bujqësore, publikime, shitja e parë e ndërtesave dhe apartamenteve si dhe transporti dhe akomodimi.

Mali i Zi e ka TVSH-në 19%, Bosnja 17% dhe Kosova në nivelin më të ulët prej 16%.

Taksa mbi korporatat

Ndërsa përpara vitit 2008, i gjithë rajoni u fut në një garë të ethshme se kush i ulte sa më shumë taksat dhe zbatonte taksë të sheshtë në nivelin e afër 10%, me përshkallëzimin e krizës ekonomike, rezulton se vetëm Serbia dhe Shqipëria e rritën taksën mbi korporatat në 15%. Shtetet e tjera vazhduan të ruajnë norma të ulëta të tatimit që paguajnë sipërmarrjet.

Mali i Zi ka aktualisht nivelin më të ulët të kësaj takse në rajon, në 9%, ndërsa Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë atë në 10%.

Kontributet e paguara nga punëdhënësi

Shqipëria, së bashku me Serbinë renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht. Megjithatë, Serbia po tregohet më agresive se Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja, duke i “joshur” të huajt me subvencione direkte për punonjësit.

Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Kjo është një nga arsyet kryesore që Maqedonia rezulton me normën më të ulët të taksës ndaj përqindjes së fitimit të bizneseve (12.9%). Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi.

Megjithëse Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të kontributeve të sigurimeve shoqërore në rajon, ajo ka dhë të ardhurat më të ulëta në buxhet, çka nënkupton që te kjo taksë kryhet dhe evazioni më i lartë. Taksa e punës sjell sot në buxhetin shqiptar të ardhura në nivelin e rreth 4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërkohë që mesatarja rajonale është 8-10% e PBB-së më e lartë.

MONITOR_TAB_NIV_KRAHSA 1

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of