Tabelat ku afishohen çmimet apo reklamat e karburanteve jo gjithmonë respektojnë kërkesat e Kodit Rrugor. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë mblodhi në një takim operatorët kryesorë të tregut, duke kërkuar që të rishikohet ky aspekt për të ulur riskun që sjellin tabelat e pakontrolluara për drejtuesit e mjeteve.
Problemi me tabelat
Gjiknuri, i shoqëruar nga drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Inspektoratit Qendror Teknik e Industrial nënvizoi gjatë takimit me operatorët e tregtimit të karburanteve respektimin e masave të pastrimit të akseve që ka nisur prej pak ditësh.
“Kemi filluar me punën për heqjen e çdo objekti të paligjshëm që është në kundërshtim me Kodin Rrugor. Janë kryesisht tabela, struktura apo reklama që pengojnë shikueshmërinë gjatë lëvizjes së mjeteve dhe bëhen shpesh burim aksidentesh. Kuptohet, një ndër pikat më problematike të trashëguara kanë qenë dhe karburantet, pavarësisht masave që u ndërmorën gjatë 4-vjeçarit të parë, ndonjëherë edhe pa sukses nga ministria e shkuar dhe këtë duhet ta them. Një problem që duhet zgjidhur sa më shpejt është ajo e tabelave shumë të mëdha ku reklamohen markat dhe listohen çmimet e karburanteve. Shpesh këto tabela konfuzojnë shoferët e makinave dhe bëhen burim aksidentesh”, u shpreh Gjiknuri.
Grup pune për formatin e ri
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u dakordësua me operatorët për krijimin e një grupi të përbashkët pune që do të përcaktojë një standard të ri të reklamimit të karburanteve dhe ndriçimit gjatë natës, në përputhje me Kodin Rrugor.
“Ministria me Autoritetin Rrugor do të ngrejnë një grup pune bashkë me përfaqësuesit e operatorëve për të përcaktuar një standard. Kjo duhet të jetë uniforme për të gjithë dhe patjetër nuk duhet të ndikojë në konkurrence të pandershme. Ju jeni operatorët kryesorë ndaj ju kërkova tu thërras për bashkëpunim dhe kërkoj nga ana juaj që të gjejmë një zgjidhje të shpejt për këtë problem. Tu lihen disa ditë afat pasi dhe ju kërkoni masat tuaja, në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor. Përndryshe, jemi të detyruar që të ndërhyjmë ligjërisht. Preferoj më përpara dialogun dhe zgjidhjen me mirëkuptim, të punojmë sëbashku për t’i dhënë një zgjidhje permanente sipas standardeve ligjore këtij problem”, nënvizoi Gjiknuri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Na informon për tabelat e karburanteve