Mbledhja vjetore e liderëve të biznesit dhe politikës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos është shtyrë për shkak të përhapjes së Omicron.
Takimi ishte parashikuar të mbahej në Zvicër nga data 17 deri në 21 janar, por tani është planifikuar për “në fillim të verës”.
WEF tha se kushtet aktuale të pandemisë “e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë mbajtjen e një takimi global fizikisht”. Në vend të kësaj, pjesëmarrësit do të marrin pjesë në një seri sesionesh online.
“Shtyrja e takimit vjetor nuk do të pengojë zhvillimet përmes mbledhjeve të vazhdueshme online të liderëve nga biznesi, qeveria dhe shoqëria civile,” tha Prof Klaus Schëab, themelues dhe kryetar ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror.
Vitin e kaluar, takimi vjetor i WEF u zhvendos nga Davos në Singapor për shkak të Covid në muajin gusht, ngjarje që edhe kjo u anulua.
Zvicra është bërë vendi më i fundit që ka futur kufizime të reja për Covid-19, duke përfshirë një urdhër të detyrueshëm për të punuar nga shtëpia, pasi varianti Omicron i Covid po përhapet në Europë.
“Megjithë protokollet e rrepta shëndetësore, transmetueshmëria e Omicron dhe ndikimi i tij në udhëtime dhe lëvizshmëri e kanë bërë të nevojshme shtyrjen,” tha WEF.
WEF synon të “përmirësojë gjendjen e botës” duke bashkuar udhëheqës nga biznesi, politika, organizata humanitare dhe akademia.
Konferenca e nisur për herë të parë në vitin 1971 – e cila kritikohet nga disa si elitare – deri vitin e kaluar mbahej çdo vit në vendpushimin e skive alpine të Davos./ BBC