Vendosja e taksës 100 për qind nga ana e Kosovës për mallrat e Bosnja e Hercegovinës po vazhdon t’i sjell humbje të madh këtij shteti. Tash kur kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj nga vendosja e kësaj takse thuhet se eksporti drejt Kosovës ka rënë për 27 milionë euro.
Eksporti i mallrave nga Bosnja e Hercegovina në drejtim të Kosovës në gjashtë muajt e fundit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka rënë për 27 milionë euro.
Kështu ka thënë ministri boshnjak për Tregti të Jashtme dhe Lidhje Ekonomike, Mirko Sharoviq.
Ai ka treguar se nga vendosja e tarifës 100 për qind, ekonomia boshnjake është dëmtuar dukshëm.
“Kjo mund të shihet nëse marrim për shembull katër muajt e parë të vitit 2019, kur kemi eksportuar produkte me vlerë 500 mijë euro, ndërsa në katër muajt e parë të 2018 kemi eksportuar mallra me vlerë 20 milionë euro”, ka thënë ai.
Sipas Sharoviq, nëse tarifa 100 për qind nuk largohet deri më 1 korrik, atëherë kur do të mbahet samiti i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në Paris, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia do të marrin në konsideratë futjen e modeleve të ndryshme të kundërmasave.
E në Doganën e Kosovës kanë treguar se nga vendosja e taksës 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina ka dallime të madha në shifra.
Serbia, e cila para vendosjes së taksës ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë, për këto gjashtë muaj ka rënë si eksportuese e mallrave në vetëm 4 milionë euro. Kurse, në periudhën e njëjtë kohore gjatë vitit 2017, ky shtet eksportonte në Kosovë mbi 200 milionë euro.
“Në përgjithësi është vërejtur një rënie e theksuar e importeve me orgjinë serbe dhe atyre të Bosnjës. Nëse merret periudha janar-prill 2018 dhe krahasohet me periudhën e njëjtë të këtij viti vërehet se nga Serbia ka pasur rreth 134 milionë euro import, derisa në vitin 2019 kemi 2.4 milionë euro import që kemi një ulje prej 132 milionëve”.
Në bazë të statistikave të doganave, Turqia ka një rritje të importeve në Kosovë prej 31 për qind krahasuar me vitin e kaluar po ashtu produktet nga Gjermania kanë rritje prej 24 për qind, pastaj janë produktet nga Maqedonia me 53 për qind.
Taksa mbetet, nuk pranohen kushte
Ndonëse presioni i BE-së për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe sa vjen e shtohet, institucionet e Kosovës mbeten të palëkundura në mbajtën e tarifës në fuqi.
Teksa heqjen e taksës e kërkoi edhe delegacioni gjermano-francez që e vizitoi të hënën Kosovën, deputetët vlerësojnë se edhe nëse taksa hiqet Serbia nuk do të rikthehet në tavolinë të bisedimeve.
Deputeti nga radhët e partisë në pushtet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rasim Selmanaj, në një deklaratë për media ka thënë se që Qeveria e Kosovës mbetet e palëkundur në raport me heqjen e taksës, derisa nuk do të pranohet asnjë kusht nga Serbia.
“Qëndrimi ynë rreth taksës mbetet i njëjtë. Nuk ka dialog me kushte dhe vendimi për taksën është vendim sovran i Qeverisë së Kosovës dhe ne jemi të gatshëm për dialog, por jo dialog me kushte, kështu që qëndrimi mbetet i njëjtë”.
Deputeti i AAK-së theksoi se Kosova është e gatshme për dialog, mirëpo për dialog pa kushte.
Se taksa nuk do te hiqet e ka thënë ditë më parë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai madje këtë qëndrim e ka bërë të qartë para këshilltarët diplomatikë të presidentit të Francës Emanuel Macron dhe kancelares gjermane Angela Merkel.
Thaçi potencoi se “dialogu duhet të vazhdojë pa kushtëzime dhe se tarifat duhet të mbeten në fuqi”.
Gjithashtu, presidenti u shpreh se “Kosova nuk do të pranojë kritere tjera për liberalizimin e vizave, sidomos jo në formë të kërkesave për tarifat apo asociacionin”.
Kurse, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dy ditë ma parë ka takuar përfaqësuesit e Listës Serbe me të cilët ka diskutuar për masat që Serbia do t’i ndërmarrë kundër Kosovës për shkak të taksës ndaj mallrave serbe.
Vuçiq ka paralajmëruar masa të rrepta kundër Kosovës, pas Samitit të Parisit. Ai, po ashtu, ka thënë se nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh me Kosovën derisa të mos hiqet taksa.
“Masa shumë të fuqishme e shumë të rrepta kemi përgatitur, do të shikojmë që me to të mos i godasim njerëzit tanë ë Kosovë. Me to do të fillojmë pas takimit ë Parisit”, ka thënë Vuçiq.
Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendos taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qeveria këtë vendim e kishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.
Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në serbi.
Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi që pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës mirëpo, qeveria e Kosovës po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës.
Shfuqizim apo pezullim të taksës ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi.
/Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.