Taksa 100 për qind, për herë të parë bilanci tregtar me Serbisë kthehet në favor të Kosovës

18/07/2019 11:04 AM 0 komente

 Për herë të parë thuajse pas dy dekadash ka ndryshuar krejtësisht bilanci tregtar mes Kosovës dhe Serbisë. Tashmë Kosova ka kaluar me eksport Serbinë. Brenda pesë muajve të këtij viti Kosova ka eksportuar 28 milionë euro, derisa Serbia në Kosovë ka futur mallra në vlerë prej 9 milionë euro.

 

Efektet e taksës ndaj Serbisë të vendosur nga Qeveria e Kosovës muaj më parë kanë filluar të vërehen dukshëm.

Gjatë pesë muajve të parë të këtij viti duke iu referuar të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se vlera totale e produkteve të importuara nga Serbia në Kosovë ka arritur vlerën prej më shumë se 9 milionë eurosh, derisa prodhuesit kosovarë në këtë shtet kanë eksportuar produkte në vlerë prej më shumë se 28 milionë eurove.

Për herë të parë thuajse pas dy dekadash ka ndërruar krejtësisht bilanci tregtar mes Kosovës dhe Serbisë.

Derisa nga përfundimi i luftës e deri më tash importi nga ky shtet ka qenë qindramilionësh e eksporti shumëfish më i vogël.

Në bazë të të dhënave, të cilat janë publikuar  nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), shihet qartë se importi nga Serbia në janar të këtij viti ka qenë 800 mijë euro, nga 31 milionë euro sa ka qenë në janar të vitit 2018.

E kjo taksë duket se do të vazhdojë të qëndrojë edhe për një kohë të gjatë.

Kryeministri Ramush Haradinaj në kuvendin e tetë zgjedhor të degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Vushtrri, ka shfrytëzuar rastin edhe njëherë që ta përmend vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe dhe dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se taksa nuk do te hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën si shtet.

“Guxim është t’i thuhet sot Serbisë që s’mund të na e rrezikosh ekzistencën tonë. Taksa është shtet, nëse s’mundesh për të mbajtur taksën deri në njohje, nuk do të marrim njohjen reciproke të dy shteteve. Është komponentë e të shtet-bërjes, nuk është votë”.

Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendos taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qeveria këtë vendim e kishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.

Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në serbi.

Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi që pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës mirëpo, qeveria e Kosovës po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës.

Shfuqizim apo pezullim të taksës ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi./Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of