Vendosja e tarifës ka paraqitur sfidë për një pjesë të prodhuesve në Kosovë, për shkak të varësisë së tyre në lëndën e parë që vinte nga Serbia, si dhe për importuesit e produkteve finale.
Deri para tarifës, Serbia ishte partneri kryesor tregtar i Kosovës. Në vitin 2019, bazuar në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit, në Kosovë kishte një rritje mesatare të çmimeve prej 2.7%. Rritjen më të theksuar e kishin çmimet e ushqimit dhe pijeve me rreth 5.4%.
Instituti GAP ka publikuar gjetjet e një hulumtimi të zhvilluar para masave të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Në këtë hulumtim, GAP-i ka trajtuar ndikimin e taksës 100% në prodhim dhe çmimet e produkteve në Kosovë, duke krahasuar periudhën janar-tetor 2018 me periudhën janar-tetor 2019.
Sipas gjetjeve të raportit të GAP-it, del se ka një rritje të aktivitetit në sektorin e prodhimit (industrinë përpunuese) në Kosovë, por që është jo e theksuar dhe me trend më të ulët se në periudhën para vendosjes së tarifës.
“Në periudhën janar-tetor 2019, ky sektor kishte rritje për 10%, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit 2018, rritja e industrisë përpunuese ishte 16%. Për më shumë, trendi i punësimit mesatar përgjatë muajve të vitit 2019 ka ndjekur trendin e viteve të kaluara, duke mos pasur ndonjë devijim nga cikli i rënieve dhe ngritjeve të numrit të të punësuarve. Konkretisht, gjatë vitit 2019, numri i punonjësve në sektorin e industrisë përpunuese është rritur në mesatare për 7%, ndërsa në 2018 rritja ishte 10%. Por, një ndikim më i theksuar i tarifës 100% vërehet në çmimet e produkteve në Kosovë gjatë vitit 2019. Rritjen më të madhe e kishin çmimet e ushqimeve dhe pijeve të cilat janë rritur për rreth 6.1% në periudhën janar-shator 2019 krahasuar me 2018, që ishte edhe rritja më e lartë nga 2017”, thuhet në raportin e GAP-it.
Më tej, në raport thuhet se importet e produkteve nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina kanë rënë drastikisht pas hyrjes në fuqi të taksës 100%, ndërsa eksportet e Kosovës drejt këtyre vendeve kanë pësuar rënie më të lehtë.
“Eksportet e Kosovës drejt Serbisë dhe BiH, edhe pse kanë pësuar rënie, ajo nuk ka qenë aq e theksuar sikur në rastin e importit nga këto dy vende. Vlera e produkteve të eksportuara drejt Serbisë nga Kosova gjatë 2019 ishte rreth 17% më e ulët, nga 27 milionë euro në 2018 në 22.8 milionë euro në 2019. Ndërsa, vlera e produkteve të eksportuara drejt BiH nga Kosova gjatë 2019 ishte rreth 28% më e ulët se në 2018, nga 6.7 milionë euro në 2018 në 4.8 milionë euro në 2019”.
Po ashtu, thuhet se nga vendet që kanë pasur një rritje më të theksuar me pjesëmarrjen e tyre në importin total të Kosovës në vitin 2019 janë Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.
Lexo edhe këtë: Kryeministri Kurti propozon heqjen e taksës 100 për qind për lëndën e parë
GAP-i kujton se që nga 21 nëntori i vitit 2018, Kosova nisi aplikim e tarifës 100% për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina (BiH).
Deri në kohën e tarifës, Serbia ishte eksportuesi kryesor në Kosovë, mirëpo në të njëjtën kohë ajo mbetej edhe shteti që aplikonte më së shumti barriera tregtare për bizneset kosovare që eksportonin atje.
“Vendosja e tarifës ka paraqitur sfidë për një pjesë të prodhuesve në Kosovë për shkak të varësisë së tyre nga lënda e parë që vinte nga Serbia dhe për importuesit e produkteve finale. Përveç nevojës për të zëvendësuar produktet e importuara nga Serbia, bizneset janë përballur edhe me rritje të kostos së transportit”, ka theksuar Instituti GAP.
GAP-i thotë se qeveria aktuale ka propozuar një nismë për heqjen e tarifës 100%, fillimisht në lëndën e parë e më pas në tërë produktet.
“Vendimi për aplikimin e tarifës 100% ishte kryesisht i karakterit politik. Kjo analizë vlerëson ndikimin e tarifës 100% në prodhimin dhe çmimet e produkteve në Kosovë”.
Ndikimi në çmimet e produkteve ushqimore
Vendosja e tarifës ka paraqitur sfidë për një pjesë të prodhuesve në Kosovë, për shkak të varësisë së tyre në lëndën e parë që vinte nga Serbia, si dhe për importuesit e produkteve finale. Deri para tarifës, Serbia ishte partneri kryesor tregtar i Kosovës. Përveç nevojës për të zëvendësuar produktet e importuara nga Serbia, bizneset janë përballur edhe me rrijte të kostos së transportit, meqë vendet si Bullgaria, Sllovenia e Turqia, të cilat kanë zëvendësuar kryesisht produktet serbe në Kosovë, janë në distancë më të largët nga Kosova.
Për palët tjera, bizneset vendore të cilat nuk varen nga lënda e parë e prodhuar në Serbi si dhe importuesit të cilët importojnë nga vendet tjera, tarifa ka paraqitur mundësi për rritjen e prezencës së tyre në treg. Po ashtu, përveç rritjes së kostos së transportit, nëse kërkesa në treg nga konsumatorët ka mbetur e njëjtë edhe pas taksës, siç edhe reflektohet në vlerën e rritur të importeve, dhe oferta ka qenë e kufizuar, kjo ka ndikuar në rritje të çmimeve të produkteve në Kosovë nga prodhuesit dhe shitësit.
Në vitin 2019, bazuar në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit, në Kosovë kishte një rritje mesatare të çmimeve prej 2.7%. Rritjen më të theksuar e kishin çmimet e ushqimit dhe pijeve me rreth 5.4%. Meqë Kosova është varur në të kaluarën në masë të madhe nga importet nga Serbia, sidomos për produketet ushqimore meqë produktet ushqimore kanë një peshë të theksuar në shportën e konsumatorit në Kosovë, më poshtë kemi analizuar ndikimin e tarifës 100% në çmimet e ushqimeve.
Çmimet e ushqimit dhe pijeve në Kosovë, të shprehura përmes indeksit të çmimeve të konsumit, pas vënies së tarifës 100%, janë rritur për rreth 6.1% në periudhën janar – shtator 2019 krahasuar me periudhën e njëjtë 2018, që ishte edhe rritja më e lartë nga viti 2017. Rritja e çmimeve ishte e menjëhershme dhe më dominante në gjashtëmujorin e parë pas vënies së tarifës.
Në pjesën e dytë të vitit 2019, vërehet një tendencë rënëse e çmimeve krahasuar me periudhen e njëjtë 2018, mirëpo çmimet përsëri kanë qenë më të larta për rreth 3.3% Sa i përket çmimeve të importit, siç tregon edhe indeksi i çmimeve të importit të ushqimit dhe pijeve Ne ato në mesatare kanë qenë stabile nga fundi i vitit 2017, pra pa ndonjë rritje apo ulje të theksuar. Në periudhën janar – shtator 2019 ato janë rritur vetëm për 0.33% krahasuar me 2018.
Për shkak të përbërjes nga shumë produkte të indeksit të importit për ushqim dhe pije, është e nevojshme të bëhët një analizë me e detajuar e disa produkteve. Disa nga produket në të cilat kanë qenë ngritjet më të mëdha të çmimeve gjatë periudhës janar – tetor 2019 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak janë perimet, drithërat, kafja dhe mishi.
Në rastin e perimeve, drithërave dhe mishit rritja e çmimeve të konsumit është përcjellur edhe me rritjen e çmimeve të importit, ndërsa tek kafja vërehet se përkundër që ka pasur një rënie në çmimin e importit gjatë periudhës janar – tetor 2019 krahasuar me 2018, çmimet e konsumit kanë pësuar ngritje. Ngjashëm edhe për produktet e duhanit dhe sheqerërave, nuk ka pasur ndryshim në çmimet e importit, mirëpo ka rritje të çmimeve të konsumit. Produktet më lartë kanë peshë të theksuar në importet totale dhe shportën e konsumatorit. Por ka raste kur çmimet e konsumit janë rritur më pak se çmimet e importit ose kanë pësuar rënie sikurse tek pemët dhe qumështi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.