Taksa e mineraleve, gropa 24 milionë euro nga çmimet poshtë bursës

25/06/2015 9:18 AM 0 komente

Pse nuk u realizuan të ardhurat e planifikuara nga taksa e rentës minerare në vitin 2014? Përgjigjen e zbulon Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) nga auditimi i zhvilluar në dogana për periudhën 2013-2014, ku dëmi ekonomik është jo pak, por 23 726 000 euro. Nga KLSH-ja u evidentua edhe një mungesë në arkëtimin e të ardhurave prej 413000 eurosh.

Plani dhe realizimi

Sipas auditimit të KLSH-së, për vitin 2013 të ardhurat nga taksa e rentës minerare janë planifikuar në shumën 8 287 000 mijë lekë dhe janë realizuar në masën 95%, ndërsa për vitin 2014 janë planifikuar 7 999 000 mijë lekë dhe janë realizuar 6 260 008 mijë lekë ose 78%, me një mosrealizim prej 1 738 992 mijë lekë. Pra, për vitin 2014, megjithëse plani ka qenë më i ulët, mosrealizimi është i konsiderueshëm. Deficiti më i madh ka rezultuar në degët doganore Vlorë, Durrës e Qafë-Thanë, ku dhe gjatë auditimit janë evidentuar shkelje të ligjit. Në fillim të qershorit 2015, nga një korrespondencë mes KLSH-së dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (DPD) del se, kjo e fundit kërkon shtyrje afati nga KLSH-ja për plotësimin e rekomandimit për kthimin në arkën e shtetit të detyrimit. DPD-ja pret përgjigjen nga doganat homologe për çmimet e shitjes të këtyre mineraleve.

Auditimi

Auditimi u krye nga DPD-ja dhe degët Durrës, Fier, Vlorë, Kakavijë, Qafë-Thanë dhe Bllatë. KLSH-ja ka konstatuar se, gjatë periudhës 2013 – 2014, ka mangësi në procesin e vlerësimit të deklaratave doganore të eksportit nga subjektet ashtu dhe në llogaritjen dhe arkëtimin e taksës së rentës minerare. Si pasojë e mosllogaritjes dhe mosarkëtimit të taksës kombëtare për rentën minerare, dëmi ekonomik për buxhetin e shtetit është 3 321 665 015 lekë, ndërsa të ardhura të munguara në arkë janë 57 834 811 lekë. Në degën e Doganës Vlorë, ndër subjektet eksportuese të naftës bruto konstatohen kompani që kanë deklaruar çmim dukshëm me të ulët nga çmimi bruto i kuotuar në bursë në kohën e eksportimit dhe të njoftuar zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, mbi bazën e të cilit llogaritet dhe paguhet taksa kombëtare për rentën minerare. Si rezultat i diferencave të çmimit, të ardhurat nga kjo taksë janë më të ulëta në shumën 3 312 447 182 lekë, e cila përbën dëm ekonomik për buxhetin, i shkaktuar nga tri kompani. Ndërsa, në degën e Doganës Qafë-Thanë, ndër subjektet eksportuese të hekur-nikelit, konstatohen firma që kanë deklaruar çmimin mesatar rreth 9 dollarë/ton, i cili është shumë më i ulët nga çmimi i tregut të mineralit që nxirret në vendin tonë. Sipas KLSH-së, çmimi real ka qenë mesatarisht 34 dollarë/ton deri 43 dollarë/ton, i evidentuar nga të dhënat e publikuara të periudhës dhe i përllogaritur sipas kërkesave të vendimit të qeverisë të vitit 2012. Nga diferenca e çmimit të deklaruar dhe vlerës mesatare të tregut, të ardhurat nga taksa renta minerare e hekur-nikelit, janë më të ulëta në shumën 57 834 811 lekë. Ky dëm është shkaktuar nga nëntë subjekte eksportuese gjatë vitit 2013, në shumën prej 16 258 086 lekë dhe, nga shtatë firma gjatë vitit 2014, në shumën 41 576 725 lekë. Diferencat e konstatuara ndikojnë negativisht gjithashtu dhe në bazën e përllogaritjes së vlerës së tatueshme nga administrata tatimore. Në degën e Doganës Durrës, ndër subjektet eksportuese të mineralit të kromit, konstatohen kompani që kanë deklaruar çmim mesatar dukshëm më të ulët nga ai i përcaktuar prej Komisionit AdHock pranë Ministrisë së Financave, mbi bazën e të cilit, llogaritet dhe paguhet taksa për rentën minerare. Për pasojë, rezulton se, të ardhurat janë më të ulëta në shumën 15 337 725 lekë. Po ashtu, në eksportimin e artikujve “blloqe guri” dhe “pllaka guri”, rezultuan çmime më të ulëta nga ai i përcaktuar nga Komisioni AdHock pranë Ministrisë së Financave, mbi bazën e të cilit, llogaritet dhe paguhet taksa për rentën minerare. Si rezultat i diferencave, të ardhurat nga renta minerare për gurin e eksportuar, nëpërmjet Degës së Doganës, Vlorë, janë më të ulëta në shumën 825 206 lekë, e shkaktuar nga nëntë subjekte. Edhe nëpërmjet degës së Doganës Fier, nga e njëjta procedurë ka pasuar dëmi 655 891 lekë, për llogari të gjashtë subjekteve dhe, nëpërmjet degës së Doganës, Kakavijë, të ardhurat nga renta për gurin e eksportuar janë më të ulëta në shumën 7 736 736 lekë, e shkaktuar nga 27 firma.

Viti 2014

Financat: Rënia e eksporteve të mineraleve ndikoi negativisht në rritjen e ekonomike

Ministria e Financave ka gati buxhetin faktik të vitit 2014, ku rritja ekonomike fiksohet 1.89 për qind krahasuar me një vit më parë. Kjo shifër është pak më poshtë se objektivi zyrtar për PBB-në (2%). Duke bërë një analizë se cilët faktorë kanë ndikuar dhe të tjerë që kanë penguar rritjen ekonomike, nga Financat, vihet theksi te konsumi privat. Sipas ministrisë, në përmirësimet e vërejtura ka ndikuar zgjerimi i konsumit privat, si dhe, në një masë më të ulët, rritja e investimeve private dhe konsumit të sektorit publik. Të ardhurat e buxhetit për periudhën 12-mujore arritën në 366.7 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 12.1 për qind krahasuar me vitin 2013, ndërsa në raport me PBB u rritën në 26 për qind nga 24.1 për qind të PBB-së për vitin 2013. Por deficiti tregtar për periudhën janar – dhjetor 2014 është përkeqësuar me 9.4 për qind. Kontributin më të madh negativ në ecurinë e eksporteve e dha rënia e përshpejtuar prej 12.3 për qind e eksportit të kategorisë “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”.

/GAZETA SHQIP

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of