Qeveria miratoi në mbledhjen e kësaj të mërkure mënyrën sesi do të organizohet dhe funksionojë Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë . Kjo drejtori sipas vendimi do të ketë si funkson kyç administrimin në nivel qëndror nga pikpamja ligjore dhe metodologjike e taksës vendore mbi pasurinë e paluajtshme. Drejtoria ka disa dhjetra detyra dhe përgjegjësi në bazë të së cilës do të jetë edhe asistenca dhe rakordimi me njësitë vendore që janë edhe përfitueset direkte të kësaj takes. Po keshtu do te asistoje edhe zgjidhjen e konflikteve mes ketyre njesive.
Duke nisur nga data 1 prill taksa e pronës do të fillojë të vilet sipas formulës së re të miratuar nga qeveria që ka në bazë çmimin referencë të zonës ku ndodhet prona.
Qeveria në ligjin “Për taksat vendore” caktoi përqindjen që do të llogaritet si taksë nga vlera totale e ndërtesës ku shkalla e taksës mbi ndërtesat, e cila aplikohet si përqindje e bazës së taksës është 0,05 % për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim dhe 0,2 % për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomie. Po kështu 30 % e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore, për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.
Agjenti i mbledhjes së kësaj takse sikurse është deklaruar edhe më herët do të jetë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe këtë e konfirmoi më herët edhe Ministri për Financat dhe Ekonominë Arben Ahmetaj.
Vendimi i plotë i qeverisë për Drejtorinë e Taksës së Pasurisë
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DREJTORISË SË PËRGJITHSHME TË TAKSËS SË PASURISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 9, të nenit 4, të ligjit nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Krijimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë, si person juridik publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për financat, me seli në Tiranë.
- Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë ka si mision kryesor administrimin në nivel qendror nga pikëpamja ligjore dhe metodologjike e taksës vendore mbi pasuritë e paluajtshme.
- Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë ka këto funksione dhe përgjegjësi:
- a) Menaxhon regjistrin qendror të bazës të të dhënave të pasurive të paluajtshme (Kadastra fiskale);
- b) Harton metodologjinë në lidhje me administrimin e taksës mbi pasuritë e paluajtshme dhe monitoron zbatimin e saj;
- c) Përpunon dhe bashkërendon të dhënat në lidhje me nivelin e vlerësuar të taksës së pasurisë së paluajtshme për ndërtesat, si dhe detyrimin e taksës me metoda alternative të vlerësimit;
ç) Monitoron dhe asiston njësitë e vetëqeverisjes vendore për procedurat e ndjekura në llogaritjen e bazës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme, me qëllim zbatimin e metodave të vlerësimit të vlerës së taksueshme, të përcaktuara në metodologjinë e miratuar nga Këshilli i Ministrave;
- d) Kryen sondazhe periodike mbi vlerësimet e bëra për llogaritjen e bazës së taksës vendore të ndërtesës në zona/nënzona të caktuara, si dhe për saktësinë e procedurës së ndjekur në vlerësim;
- dh) Kërkon korrektimin e të dhënave për vlerësimin e bazës së taksës vendore për ndërtesat, kur konstaton parregullsi dhe gabime në zbatimin e procedurave të vlerësimit;
- e) Asiston dhe udhëheq njësitë e vetëqeverisjes vendore në procesin e hedhjes së informacionit dhe të dhënave në sistemin qendror, në llogaritjen e bazës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme, të shumës së taksës vjetore dhe të pagesave me këste për të gjitha kategoritë e ndërtesave;
ë) Analizon procesin e mbledhjes së taksës vendore mbi pasuritë e paluajtshme nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, si dhe kërkon informacion periodik mbi të ardhurat e realizuara nga taksa e pasurive të paluajtshme;
- f) Përpunon dhe analizon të dhënat në nivel kombëtar mbi pasuritë e paluajtshme, vlerën e tyre për qëllime taksimi dhe mbledhjen e taksës mbi pasurinë e paluajtshme, si dhe rakordon me njësitë e vetëqeverisjes vendore të dhënat e raportuara prej tyre për shumën e mbledhur nga kjo taksë;
- g) Rekomandon ndryshime në kuadrin ligjor në rastet e nevojshme;
- gj) Harton dhe propozon pranë ministrisë përgjegjëse për financat kuadrin ligjor të nevojshëm, për llogaritjen e taksës vendore mbi truallin dhe të taksës vendore mbi tokën bujqësore;
- h) Asiston njësitë e vetëqeverisjes vendore në zbatimin e procedurave të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme dhe të llogaritjes së taksës vendore mbi to. Trajnon stafet e njësive të vetëqeverisjes vendore, përgjegjëse për administrimin e taksës mbi pasuritë e paluajtshme;
- i) Orienton njësitë e vetëqeverisjes vendore në realizimin e procesit të ndarjes nënzonale të territorit, përcaktimit të çmimeve mesatare të vlerësuara që përdoren në rastet kur nuk ka të dhëna, kur të dhënat janë të paplota ose kur të dhënat e disponueshme nuk përputhen;
- j) Asiston në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis njësive të vetëqeverisjes vendore dhe agjentit të autorizuar për mbledhjen e taksës së ndërtesës, të cilat lindin ose krijohen gjatë procesit të shkëmbimit të informacionit dhe/ose mbledhjes së taksës. Gjithashtu, asiston në zgjidhjen e problematikave që mund të lindin, ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore dhe institucioneve apo organeve që disponojnë të dhëna informuese, për identifikimin e pasurisë së paluajtshme ndërtesë/njësi pronësore dhe që ndihmojnë në llogaritjen e vlerës së ndërtesës/njësisë pronësore për qëllim taksimi;
- k) Informon, në mënyrë periodike, ministrin përgjegjës për financat për ecurinë e mbledhjes së taksës vendore të pasurisë së paluajtshme, problematikat e evidentuara dhe propozon zgjidhjet e mundshme për mbarëvajtjen e procesit të administrimit të taksës;
- l) Mban lidhje institucionale me organe dhe institucione të tjera për çështje që lidhen me zbatimin e legjislacionit të fushës;
- ll) Informon publikun për ndryshimet në legjislacionin e fushës dhe zbatimin e tij.
- Struktura dhe organika e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat.
- Drejtori i Përgjithshëm është përgjegjës për administrimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë dhe e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët.
- Marrëdhëniet e punës së titullarit dhe të nëpunësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë rregullohen në bazë të dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës.
- Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare. Stema përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimet “Republika e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë”, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474. datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
- Vula e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pronës ka formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjen e vulave zyrtare”. Vula, prodhohet, administrohet dhe ruhet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
- Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë miratohet nga ministri përgjegjës për financat, me propozimin e titullarit të institucionit.
- Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë dhe Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 prill 2018.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.