Jo më vonë se data 31 tetor e këtij viti, qeveria shqiptare do të aktivizojë koncesionin e skanimit të kontejnerëve në dogana. Një taksë e re do të vihet mbi të gjitha deklaratat doganore 22 euro mbi vlerat 1000 euro dhe 5 euro nën këtë vlerë. Dështimi i anulimit të kontratës ka sjellë kosto të reja që përfshijnë jo vetëm biznesin, por edhe qeverinë, e cila ka hyrë garante për kompensimin e kostove. Bizneset paralajmërojnë: Do e reflektojmë në rritjen e çmimeve; nafta fillon ta zbatojë…
Blerina Hoxha
Biznesi shqiptar po vuan pasojat e papërgjegjshmërisë së qeverive që në ikje ose në ardhje e kanë bërë zakon të nënshkruajnë koncesione me karakter klientelist, në kurriz të biznesit dhe të ekonomisë në tërësi, me pasoja që shtrihen përtej mandateve të tyre politike. Por më e keqja është se, shembujt katastrofikë me koncesionet nuk po shërbejnë si precedentë për të frenuar përsëritjen e gabimeve në të ardhmen. E kundërta ndodh. Të gjitha qeveritë pas vitit 2000 janë ngutur të përfitojnë nga pjesa e mbetur e tortës madje të zgjerojë edhe më tej koncesionet, të cilat po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe me më shumë kosto.
Por të gjitha sa janë dhënë deri më tani nuk janë asgjë para një tjetër koncesioni që pritet të hyjë në fuqi jo më larg se në tetor të këtij viti, por i miratuar që në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokratike i cili, me nisjen nga aplikimi, do të shndërrohet në supertaksën e bizneseve që përdorin doganat për aktivitetin e tyre, ndërsa qeveria aktuale ia doli vetëm ta ulte, por jo ta anulonte.
Bëhet fjalë për koncesionin e skanimit të kontejnerëve, nga “S2 Albania” një konsorcium amerikano–shqiptar (51% të aksioneve zotërohen nga amerikanët e “Rapiscan Systems” dhe 49% nga kompania shqiptare ICMS), kontrata e rishikuar e të cilit u dorëzua në Kuvend në kulmin e fushatës për zgjedhjet vendore. Koncesioni i dhënë nga qeveria “Berisha” në ikje në fillim të vitit 2013 nis aplikimin pas pak muajsh, duke marrë 22 euro për çdo deklaratë doganore mbi 1000 euro dhe 5 euro për çdo deklaratë doganore nën 1000 euro (tarifa është përgjysmuar në raport me kontratën e mëparshme).
Pavarësisht uljes, kontrata e rishikuar e skanimit nuk është se ka lehtësuar barrën si për biznesin ashtu edhe për buxhetin. Në marrëveshjen fillestare deklaratat doganore deri në 1000 euro nuk paguanin për shërbimin, ndërsa me rishikimin do të paguajnë 5 euro. Gjithashtu në variantin e ri, buxheti i shtetit merr përsipër kompensimin e kostove të pambuluara me të ardhura në 7 vitet e para të aktivitetit të skanimit.
Nga kjo tarifë, koncesioni i skanimit të kontejnerëve që nuk aplikohet në asnjë vend tjetër të rajonit i kushton biznesit shqiptar 12 milionë euro në vit, në ulje gjithsesi nga kosto e kontratës së mëparshme prej 20 milion euro, sipas deklarimeve të sipërmarrjes, që i kërkoi qeverisë vitin e kaluar rishikimin e kontratës.
Kjo vlerë në raport me të ardhurat që mbledhin doganat në një vit zë 1.6% të totalit, duke u shndërruar për disa biznese sidomos ato të sektorit fason ndër taksat me barrën më të lartë në aktivitetin e tyre. Grosistë të tregut të karburanteve kanë pohuar se për disa prej tyre, taksa për skanimin do të krijojë një kosto 2-3 mijë euro në ditë, e cila pritet që të përcillet në çmimet finale të produkteve.
Kontrolli fizik me skaner ndaj kontejnerëve do të kryhet nga një kompani në një situatë tërësisht monopoli. Ky shërbim që aktualisht kryhet nga dogana synon rregullshmërinë në eksport dhe import, duke shmangur transportin e lëndëve narkotike, të qenieve njerëzore dhe mallrave kontrabandë.
Ministria e Financave, që ka kryesuar negociatat për ndryshimin e marrëveshjes, ka orientuar bizneset që të interesohen nëpërmjet ligjvënësve për efektet dhe ndryshimet. Sipas burimeve në fjalë, Ministria e Financave nuk mund të nxjerrë asnjë udhëzim, për sa kohë ka paraqitur ndryshimin e ligjit për këtë koncesion, i cli mund të miratohet apo edhe mund të mos miratohet. Kjo, sipas financave, varet nga ligjvënësit dhe udhëzimet do të dalin pasi të ketë një VKM. Burimet në fjalë pohuan se “Barra e biznesit është lehtësuar, nuk është rënduar, ndërsa buxheti nuk ka asnjë barrë, përfshirë edhe pagesen e vitit të parë prej 11, 3 milionë euro, pagesë, e cila rikuperohet nga rritja në vitet në vijim e deklaratave doganore.
Djalli fshihet në detaje
Rapiscan çoi në Gjykatën e Arbitrazhit anulimin e koncesionit të skanimit të kërkuar nga qeveria shqiptare. Për të siguruar mbrojtjen qeveria pagoi me 490 mijë euro zyrën avokatore të “Omnia” në administrim të Cherie Bler, gruas së ish-kryeministrit britanik Tony Bler. Siç duket, çështja nuk ka qenë në favor të qeverisë shqiptare, e cila rrezikonte të penalizohej në rreth 360 milionë dollarë në formën e dëmshpërblimit për “Rapiscan” në këmbim të prishjes së kontratës.
Në këto kushte, zyra avokatore e “Omnia” i ka rekomanduar qeverisë shqiptare të rinegociojë kontratën me “Rapiscan Systems”. Në kontratë fillestare tarifa e skanimit ishte 39 euro. Me rishikimin në arbitrazh, këtë vit, u ra dakord që tarifa e skanimit të jetë 22 euro, por kjo vlerë do të vilet mbi të gjitha deklaratat doganore me vlerë 1000 euro e sipër, ndërsa deklaratat doganore nën 1000 euro do të tatohen me 5 euro. Me variantin e parë, deklaratat doganore deri në 1 mijë euro nuk tatoheshin.
Nisur nga deklaratat aktuale doganore me një rritje të sasisë së tyre me 5% në vit, koncesionari përfiton një shumë prej 210 milionë eurosh në 16 vitet në vijim. Luigj Aliaj, i Shoqatës së Hidrokarbureve tha se, qeveria mund të kishte kufizuar numrin e deklaratave që do të aplikohet tarifa në pamundësi të prishjes të kontratës. Me një penalizim kolektiv duke taksuar të gjitha deklaratat doganore i bie që koncesioni të shndërrohet në një taksë të re doganore me vlerë më të lartë. Aliaj, por edhe përfaqësues të tjerë të biznesit pohojnë se kostot që do të krijohen do të përcillen te konsumatori. Por e keqja shkon përtej kësaj. Porti i Durrësit, për shkak të kësaj tarife që nuk ekziston në asnjë vend tjetër, do të shmanget nga biznese që përdorin Shqipërinë për transit. Më e rënda është se bizneset do të paguajnë për një shërbim që nuk u ofrohet. Skanimi shërbehet vetëm për kamionët e mallrave dhe kontejnerët, por jo për importet me vlera më të ulëta dhe me mjete të tjera. Por Ministria e Financave sqaron se, nuk ka asnjë rrezik për të humbur përfundimisht konkurrueshmërinë e kompanive shqiptare, të cilat do të paguajnë gjysmën e tarifës, krahasuar me atë që parashikohej në kontratën e parë.
22 euro çdo deklaratë doganore
Sipas kontratës së rinegociuar, skema e pagesës së biznesit për skanimin do të kryhet mbi bazën e deklaratës doganore. Pagesën do ta kryejnë të gjitha bizneset. Në vitin bazë që merret si pikënisje për llogaritjet, numri i deklaratave doganore me vlerë mbi 1 000 (një mijë) euro është afërsisht 400 mijë copë. Numri i deklaratave doganore me vlerën nën 1 000 (një mijë) euro është rreth 35 mijë copë. Është konsideruar një rritje mesatare vjetore e deklaratave doganore prej 6%.
Nga të dhënat historike të 10 viteve të fundit, rritja mesatare vjetore luhatet nga 5 në 13%. Pagesa mesatare për deklaratë me vlerë mbi 1 000 (një mijë) euro, për gjithë periudhën, rezulton 22 euro. Për deklaratën doganore me vlerë të barabartë ose më të vogël se 1 000 euro, pagesa respektive do të jetë 5 euro.
Dështimi i anulimit
Kontrata fillestare e koncesionit e fituar që në vitin 2011 është nënshkruar në datën 10 prill 2013, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “S2 Albania”, sh.p.k., dhe “Rapiscan Systems”, INC. Me 28 prill 2015 qeveria shqiptare dhe Rapiskan ranë dakord për rinegocimin me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve dhe të tarifës së shërbimit të skanimit.
Deri në shtator 2013, ky shërbim nuk ofrohej. Kishin filluar punimet vetëm në dy pika kontrolli. Kundërshtimi dhe rezistenca e biznesit ishte e konsiderueshme, sidomos në lidhje me tarifën shumë të lartë të shërbimit. Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës rekomandoi rishikimin e kontratës koncesionare.
Në këto kushte, Këshilli i Ministrave e vlerësoi të nevojshme zgjidhjen e kësaj marrëveshjeje. Në vijim, pas vlerësimit fillestar të mundësisë për zgjidhjen e njëanshme të kësaj marrëveshjeje, e cila rezultoi e pamundur, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe qeveria zgjodhën si mundësi ftesën për bashkëbisedim me ofruesin e shërbimit për rishikim të kontratës në mars 2014).
Në periudhën maj-shtator 2014, filluan negociatat nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave me shoqërinë e kontraktuar për rishikimin e kontratës. Bisedimet vështirësoheshin nga fakti që marrëveshja ishte miratuar nga qeveria e mëparshme dhe ishte ratifikuar nga Kuvendi. “Rapiscan” nuk e konsideroi opsion të mundshëm negocimin dhe e çoi çështjen në gjyq ndërkombëtar, duke kërkuar zhdëmtimin në arbitrazhin e Parisit për prishjen e koncesionit të kontejnerëve në shumën rreth 350 milionë dollarë. Çështja i kaloi Avokaturës së Shtetit dhe në mbështetje të saj u zgjodh firma avokatore ndërkombëtare “Omnia Strategy LLP” (“Omnia”) e cila e këshilloi qeverinë shqiptare se nuk kishte rrugë tjetër përveçse rishikimit të kontratës.
Çfarë ndryshoi
Negociatat e rishikimit i kryesoi ministri i Financave dhe në përbërje të tij ishin ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Avokatura e Shtetit, përfaqësues të Këshillit të Ministrave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Në relacionin e dërguar në Kuvend thuhet se, në kuadër të bisedimeve, nga ana e Republikës së Shqipërisë u kërkua rishikimi tërësor i kësaj marrëveshjeje, me qëllim bërjen më të favorshme, por pala tjetër nuk pranoi të diskutonte gjë tjetër nga kontrata përveç vlerës së kontratës dhe saktësimit të jetëgjatësisë së saj. Konkretisht, janë rishikuar mënyra e përllogaritjes së vlerës gjithsej që “Rapiscan” do të përfitojë në këmbim të shërbimit të ofruar dhe afati i zbatimit të kontratës.
Grupi negociator paraqiti për negocim shumë pika për rishikim, por, pas bisedimeve të gjata, u arrit që të negocioheshin vetëm pikat më të ndjeshme dhe më të kundërshtuara në opinionin publik që kishin të bënin me vlerën e kontratës dhe saktësimin e jetëgjatësisë së saj. Të tjerat kishin të bënin me hyrjen në fuqi të ndryshimeve. Në lidhje me çmimin e kontratës u negociua metoda e përllogaritjes së vlerës që do të përfitonte “Rapiscan”. U kërkua që çmimi i kontratës të mos përcaktohet nga numri i deklaratave doganore shumëzuar me tarifën për deklaratë doganore me 39 euro për deklaratë, por të jetë çmim fiks, duke filluar nga 11.3 milionë euro në vitin e parë.
Duke analizuar elementet e kostos zë për zë dhe fitimin e mundshëm të kompanisë, u konkludua se, caktimi i një çmimi fiks 39 euro për deklaratë dhe një numër gjithmonë në rritje i deklaratave (të paktën në bazë të të dhënave të 10 viteve të fundit), të çonin në një kontratë që do të sillte fitime gjithmonë në rritje të papërcaktuar të shoqërisë “Rapiscan”.
Duke marrë në konsideratë vetëm një rritje minimale prej 5% të deklaratave, vlera e kontratës “Rapiscan” për 15 vjet do të ishte në 316 milionë euro. Pra, vlera e kontratës lihej e hapur dhe mund të rritej shumë, në varësi të rritjes së numrit të deklaratave doganore. Kjo mënyrë dhe kjo shumë u konsideruan të pajustifikuara, prandaj u kërkua të kalohej nga një çmim fiks për deklaratë dhe vlerë të papërcaktuar të kontratës në një vlerë të caktuar vjetore të kontratës.
Rishikimi, buxheti merr përsipër pagesat
Në kontratën e rishikuar, specifikisht në nenin 10, buxheti i shtetit merr riskun e mbulimit të kostove për koncesionin e skanimit. Kjo do të thotë se, në 7 vitet e ardhshme, buxheti i shtetit do të financojë kostot e “Rapiscan” që nuk mbulohen dot nga të ardhurat.
“Diferencat e pambuluara të kostove me të ardhurat (pagesën mesatare për deklaratë), në vitet e para të kontratës (ligjit), i mbulon buxheti. Më pas, llogaritet që të ardhurat do të mund të mbulojnë kostot që paguajmë. Në përputhje me kontratën ekzistuese në fuqi, sipas ligjit nr. 123/2013, këto dy marrëveshje, së bashku me tarifën e re të shërbimit, duhet të miratohen sipas Kushtetutës dhe ligjit në Kuvendin e Shqipërisë” thuhet në relacionin që shoqëron Kontratën e re në Kuvend. Por Ministria e Financave sqaroi se, nuk i financon buxheti kostot e Rapiscan, por ato mbulohen nga të ardhurat nga skanimi i deklaratave doganore për çdo import, eksport dhe tranzit.
Sipas variantit të kontratës që po diskutohet në Kuvend, gjithsej do të jenë 5 pika të tilla, tre fikse dhe dy të lëvizshme. Tarifa që qeveria do të paguajë ndaj “S2 Albania” do të llogaritet dhe do të paguhet në këste mujore të njëjta, secila në vlerën e 1/12 të tarifës vjetore të vendit. Tarifa e shërbimit të vendit do të jetë pa TVSH. Tarifa vjetore e vendit gjatë 12 muajve të parë, duke filluar nga data e fillimit, do të jetë 2.2 milionë euro për një pikë, ose 11.3 milionë euro për të 5 vendet. Në çdo 12-mujor, vlera e tarifës vjetore të vendit do të rritet me koeficientin 1.03, në mënyrë që tarifa vjetore e vendit të bëhet 2.3 milionë euro në vitin e dytë pas datës së fillimit e kështu me radhë, deri në datën e përfundimit të funksionimit. Tarifa koncesionare mbetet e njëjtë, 2% e tarifës së shërbimit të vendit dhe do të mbahet nga tarifa e që i paguhet koncesionarit nga autoriteti. Sipas kësaj metode, për 15 vjet gjithsej, “Rapiscan” kufizohet në 210.17 milionë euro ose në 206 milionë euro (pas zbritjes së tarifës koncesionare).
Ministria e Fiancave sqaron se, në variantin konservativ duke marrë në konsiderate historikun e dhjetë viteve të fundit të deklaratave doganore, kursimi nga rishikimi shkon nga 100 deri 180 milionë euro (nesë do të merrnim në konsideratë trendin e këtyre deklaratave për 6 mujorin e parë të 2015 dhe një situatë normale të ekonomisë dhe të biznesit, kursimi nga rishikimi i kontratës shkon rreth 300 milionë euro).
Pagesa, si ishte me variantin fillestar
Me kontratën e vjetër, qeveria duhet t’i paguante “Rapiscan” me baza ditore të gjitha pagesat e tarifës së shërbimit të skanimit për deklaratë që Autoriteti do të ketë mbledhur nga palët e treta në lidhje me shërbimet e përcaktuara, duke zbritur çdo tarifë të aplikuar nga banka në lidhje me një pagesë të tillë të bërë nga Autoriteti për “Rapiscan”, tarifa këto, të cilat do të përballoheshin nga “Rapiscan”. Në fund të çdo muaji, Autoriteti do t’i siguronte “Rapiscan” një deklaratë që parashtron numrin e deklaratave doganore dhe llogaritjen e shumës së pagesës bashkekzistuese. Për çdo muaj kalendarik, palët do të ballafaqonin të dhënat e tyre në lidhje me pagesat e përcaktuara këtu brenda 5 ditëve pune pas përfundimit të muajit përkatës (duke përfshirë çdo muaj të pjesshëm kalendarik). Pasi të pesta vendet të kishin filluar operimin, çdo pagesë do të llogaritej si numri total i deklaratave doganore për mallrat që hyjnë dhe dalin nga territori i Republikës së Shqipërisë, përfshirë importet, eksportet dhe transitin ndërkombëtar (ashtu siç përdoret në këtë Marrëveshje, termi “deklaratë” do të thotë çdo deklaratë dhe “deklaratat” do të thotë të gjitha deklaratat për periudhën e përcaktuar), gjatë periudhës përkatëse, shumëzuar me normën deklarative. Për shmangien e dyshimit, numri i deklaratave do të përfshijë të gjitha deklaratat në të gjithë Republikën e Shqipërisë, duke përfshirë edhe deklaratat e përpunuara në të gjitha pikat doganore.
Ky numër nuk do të përfshinte deklaratat, vlera e të cilave është më pak se, 1000 euro. Tarifa e shërbimit të skanimit do të ishte 39.00 € dhe TVSH-ja do të aplikohej në masën 0%. Tarifa e shërbimit të skanimit për deklaratë do të paguhej në monedhën zyrtare të Republikës së Shqipërisë, duke aplikuar të njëjtin kurs këmbimi të monedhës që autoriteti doganor shqiptar aplikon në lidhje me mbledhjen e detyrimeve doganore sipas Kodit Doganor dhe dispozitave zbatuese të tij.
Afati
Në kontratën fillestare ishte i paqartë afati i jetëgjatësisë së kontratës koncesionare, pasi lidhet me fillimin e pikës së pestë të kontrollit, e cila është e papërcaktuar. Kontrata në fuqi, nga mënyra se si është formuluar, në lidhje me kohën se kur do të duhej të vihej në punë pika e pestë dhe lidhja e këtij momenti me fillimin e afatit prej 15 vjetësh të kontratës së koncesionit, praktikisht, e bënte kontratën pa afat, sepse “Rapiscan” nuk kishte një afat se kur do të vihej në punë pika e pestë.
Nga rezultatet e negocimit u ra dakord që brenda vitit të parë të jenë funksionale pesë pikat e kontrollit (tre fikse dhe dy të lëvizshme). Jetëgjatësia e secilës pikë do të jetë e përllogaritur në mënyrë individuale dhe ka një afat prej 15 vjetësh.
Për efekt pagese, jetëgjatësia është 15 vjet dhe shuma prej 210 milionë eurosh është e patejkalueshme. Si hapësirë kohore e sigurimit të shërbimit, kontrata koncesionare shkon 16 vjet (kjo sepse pika e fundit e kontrollit mund të bëhet funksionale në fund të vitit të parë).
Pagesat për shoqërinë dhe komisioni për koncesionarin janë pa TVSH. Ndërsa pagesat për arbitrazhin u paguan nga “Rapiscan”.
Zgjidhja e konkluduar midis palëve pezullon aktualisht shqyrtimin e konfliktit në arbitrazh dhe kërkon angazhim të strukturave ligjvënëse për miratim dhe ratifikim të ndryshimeve dhe pas këtij miratimi e ratifikimi do të ndërpritet procedura e arbitrazhit.
Detyrimet e “Rapiscan”
“Rapiscan” ka themeluar shoqërinë “S2″ në Shqipëri e cila ka objekt biznesi ofrimin e shërbimeve të përcaktuara. Marrëveshja e koncesionit është transferuar në tërësi te shoqëria, në mënyrë të tillë që detyrimet e “Rapiscan” sipas kësaj marrëveshjeje do të jenë vetëm detyrimet e shoqërisë. Por, “Rapiscan” do të veprojë si garantues në lidhje me të gjitha detyrimet që do t’i transferohen shoqërisë në përputhje me termat dhe kushtet e kontratës, për gjithë kohëzgjatjen. Çdo transferim i kuotave brenda shoqërisë do të kushtëzohet nga miratimi paraprak nga qeveria e Shqipërisë, miratim ky që nuk mund të vonohet ose të mbahet në mënyrë të paarsyeshme, përveç rasteve të mëposhtme në të cilat transferimi do të kryhet vetëm me njoftimin e “Rapiscan” para Autoritetit. Kuotat mund të transferohen te një filial i “Rapiscan” dhe transferimi deri në 24% të interesit në shoqëri të çdo pale. Shoqëria gjithashtu ka detyrimin të përmbushë planin e biznesit në përputhje me propozimin, të kryejë investimin sipas afatit të parashikuar në përputhje me propozimin dhe të arrijë cilësinë e kërkuar, të drejtojë dhe të administrojë sistemin e skanimit gjatë kohëzgjatjes dhe të mbulojë dëmet e shkaktuara palëve të treta për faj të tij. “Rapiscan” detyrohet të informojë qeverinë për situatat e njohura që mund të ndikojnë ndjeshëm dhe negativisht në zbatimin e projektit të koncesionit dhe të veprojë në përputhje me legjislacionin shqiptar gjatë aktivitetit të saj. “Rapiscan” ka detyrime të lidhet me serverin ose sëitch-in lokal më të afërt të vendit, siç mund të jetë rasti për qëllimet e transferimit të imazheve dhe analizimin e të dhënave të tyre, të sigurojë trajnim për analizimin e imazheve të doganierëve shqiptarë të caktuar nga qeveria.
Anëtarësimi në BE, zgjidhje
Në momentin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ose në çdo kohë pas këtij anëtarësimi, qeveria shqiptare do të ketë të drejtë të kërkojë rishikimin e kontratës së skanimit në mënyrë të tillë që të sigurojë përputhjen në mënyrë të plotë me kriteret e detyrueshme për anëtarësim të Bashkimit Europian. Nëse qeveria vendos të ndryshojë kontratë, “Rapiscan” do të ketë të drejtë, pa paragjykuar ndonjë të drejtë tjetër, të ofruar nga ligji, të zgjidhë këtë kontratë pa pësuar ndonjë penalitet ose pasojë ligjore përkundrejt qeverisë.
Konkurrenca: Ja si mund të anulohej koncesioni i skanimit
Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave, rishikimin e kontratës koncesionare për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit.
Pasi ka bërë një vlerësim të Kontratës, Autoriteti ka këshilluar institucionet publike që duhet të respektojnë parashikimet e Ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, për të kërkuar paraprakisht vlerësimin ligjor të Autoritetit të Konkurrencës në dhënien e miratimit të akteve që kanë si objekt ose pasojë dhënien e të drejtave ekskluzive ose kufizime sasiore në tregje ose sektorë të ndryshëm të ekonomisë.
Në procesin e rishikimit të Ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar qeverisë që të mbahet parasysh direktiva e re e BE-së, e datës 26 shkurt 2014 mbi dhënien e kontratave të koncesioneve.
Kjo direktivë kërkon që të ndahen qartë tregjet nga shërbimi publik dhe këto të fundit përgjithësisht t’i mbeten shtetit si detyrime, pasi nëse kalojnë nga shteti te privati, kanë kosto shtesë për biznesin dhe konsumatorin dhe eliminojnë mundësinë e zgjedhjes së biznesit apo konsumatorit, pasi ofruesi është gjithmonë ekskluziv (i vetëm).
Në rastin e skanimit të automjeteve, instrumenti ligjor për rishikimin e kontratës koncesionare është procesi i rishikimit të Kodit Doganor dhe sipas nenit 18.2.1 të Ligjit 123/2013 për miratimin e marrëveshjes koncesionare.
Përmbajtja e kontratës rekomandohet si vijon: “Ministria e Financave duke marrë parasysh specifikat e shërbimit doganor për të luftuar kontrabandën dhe evazionin fiskal mund të kontraktojë koncesionarin vetëm për blerjen e pajisjeve dhe shërbimin ta kryejnë organet doganore”, ka sugjeruar konkurrenca, zgjidhje kjo që nuk ka mundur të adoptohet nga qeveria.
———————
Skanimi, çfarë sjell
Është parashikuar që kompania amerikane “Rapiscan Systems” të instalonte skanerë për kontrollin e imtësishëm të kontejnerëve. Tarifa për këtë shërbim do të paguhet nga bizneset që importojnë apo eksportojnë mallra. Deri tani ky proces kryhej nga punonjësit e administratës tatimore, doganierët, të cilët pasi njiheshin me deklarimin përmes deklaratës tatimore me të dhënat dhe sasinë e mallit që ndodhen në kontejnerin për zhdoganim, verifikonin fizikisht ngarkesën.
Projekti i kontrollit me skanim nga “Rapiscan” u parashikua të zbatohej minimalisht në pesë pika doganore kufitare, përfshirë dhe Portin e Durrësit. Sipas vendimit, që parashikon edhe kushtet e tenderit për përzgjedhjen e firmës koncesionare, në Portin e Durrësit do të vendosej të paktën një skaner fiks. Ndërsa vendndodhja për skanerët e tjerë do të përcaktohej nga autoritetet doganore, bazuar në ndryshimin e fluksit dhe analizës së riskut. Në vendimin e Ministrisë së Financave mësohet se në këto pika doganore do të skanoheshin 100% e kontejnerëve dhe automjeteve që transportojnë mallra. Ndërkohë, në listën e mjeteve që do të skanohen, mund të shtohen me kërkesë të autoritetit doganor, edhe mjetet e transportit të udhëtarëve.
——————-
Kush e zotëron biznesin e skanimit
Koncesioni i skanimit në fakt është një konsorcium, i regjistruar “S2 Albania” në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit më 22 maj të vitit 2013, vetëm një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme të atij viti që solli edhe rotacionin politik.
“S2 Albania”, sipas ekstraktit në QKR, ka për qëllim zbatimin e marrëveshjes së koncesionit si dhe çdo aktivitet tjetër lidhur me çështjen ose i kërkuar për të realizuar zbatimin e marrëveshjes. Shoqëria ka të drejtën të kryejë çdo transaksion si veprimtari tregtare, financiare, qiradhënie, qiramarrje ose pengu që mund të konsiderohet i dobishëm ose i nevojshëm për arritjen e objektit të shoqërisë.
S2 është pronësi të “Rapiscan Systems” 51% dhe 49% ndaj kompanisë shqiptare ICMS.
ICMS është regjistruar në QKR, më 2 korrik të vitit 2008, me formën ligjore sh.p.k. Aktiviteti i kësaj, sipas QKR, është përqendruar në import-eksportet e mallrave të ndryshme, shërbime konsulencë për studime fizibiliteti në fushën tregtare, shërbime kontrolli, teste, analiza fizike e kimike, në fushën tregtare apo ligjore, për sistemet e menaxhimeve ose produkteve të shërbimeve, në fushën e sigurisë tregtare, të peshëmatjes e kalibrimit. Administratori i kompanisë është Olti Peqini. Shoqëria “ICMS” sh.p.k nuk do të shesë kuotat që ajo zotëron te shoqëria koncesionare “S2 Albania” sh.p.k, pa miratim nga Banka Kombëtare Tregtare sh.a. Në bilancet e saj rezulton vetëm një humbje prej 140 milionë lekësh që i takon vitit fiskal 2012.
“Rapiscan Systems” është një nga ofruesit më të mëdhenj në botë të shërbimeve të sigurisë sipas të dhënave në ueb-in zyrtar të kompanisë. Që nga viti 1993 “Rapiscan” ofron shërbimet e sigurisë për agjencitë qeveritare dhe operacionet private të sigurisë në mbarë botën.
Produktet e “Rapiscan” janë të pranishme në bazat e NATO-s, në Bashkimin Europian, në Manchester Airport Group, në Doganën e Mbretërisë së Bashkuar, në Aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kongut, në departamentet amerikane për sigurinë dhe ato të mbrojtjes etj.
“Rapiscan Systems” është degë me pronësi të plotë ndaj “OSI Systems” (NASDAQ: Xhel), ka selinë në Torrance, Kaliforni dhe ka linja të prodhimit në Finlandë, Indi, Malajzi, Singapor, Meksikë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.
Skanimi nis në tetor 2015
Sipas kontratës së rishikuar, qeveria duhet të bëjë të gjitha përpjekjet për të garantuar se marrëveshja e rishikuar duhet të bëhet aktive jo më vonë se data 31 tetor 2015. Kjo datë mund të ndryshohet në një datë të mëvonshme me marrëveshje të ndërsjellë midis palëve.
Në bazë të Marrëveshjes së Koncesionit, “S2” do të bëjë të gjitha përpjekjet e arsyeshme që të provojë gatishmërinë për fillimin e operimeve në vendin e Portit të Durrësit brenda 10 ditëve pune nga data e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Amendimit.
Në varësi të faktit se kur ndodh data e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Amendimit, “S2” do të provojë gatishmërinë për fillimin e operimeve në përputhje me Marrëveshjen për të pesë Vendet. Në bazë të nenit 9.2 të Marrëveshjes së Koncesionit dhe përveç kur bihet dakord ndryshe me shkrim nga palët, konfirmimi i instalimit do t’i njoftohet qeverisë, jo më vonë se një vit nga data e fillimit të operacioneve (“Afati i Instalimit”).
——————
Bizneset: Kostot do reflektohen në çmime
Logjika e do, por edhe praktika e thotë që çdo taksë dhe tarifë ndaj biznesit reflektohet në çmimet finale. Kjo do të vlejë edhe për tarifën që do vihet mbi deklaratat doganore e cila, sipas bizneseve, do të reflektohet në çmime. Muharrem Hoxha, me aktivitet në dhënien me qira të kamionëve dhe kontejnerëve në transport ndërkombëtar, “Riu Transport” tha se, klientët e tij janë shumë të shqetësuar për tarifën që shkon për llogari të skanimit. Biznese të veçanta bëjnë me dhjetëra deklarata doganore në ditë, por për shkak të aktivitetit që kanë edhe në transit, kostot për to, do të jenë shumë të larta. Mirëpo siç kanë lajmëruar tregtarët, kjo tarifë e palogjikshme sipas tyre, do të shkarkohet në çmimet finale dhe me shumë gjasa, do të jetë konsumatori ai që do të paguajë. Kjo tarifë rrezikon të rrisë të gjitha çmimet e importit lajmërojnë ekspertë të sektorit të doganave. Shoqata e Hidrokarbureve lajmëroi se, nëse tarifa e skanimit aplikohet për çdo deklaratë doganore, rritja e mëtejshme e çmimeve të karburanteve do të jetë e pashmangshme. Në fakt, çmimet e naftës u rritën me tre lekë për litër që javën e kaluar dhe një nga arsyet që tregtarët thanën nën zë është dhe pritshmëria e hyrjes në fuqi të marrëveshjes së skanimit të kontenjerëve.
——————
Skanimi, fasoni më i godituri
Të gjithë bizneset që ushtrojnë aktivitetin e tyre nëpërmjet eksport- importit do të ekspozohen ndaj kostove të larta të skanimit. Por biznesi i fasonit do të jetë më i godituri për shumë e arsye. Këto biznese do të paguajnë 22 euro për çdo deklaratë të lëndës së parë për prodhimin e veshjeve dhe këpucëve. Por do të paguajnë sërish 22 euro për çdo deklaratë rieksporti të produktit final. Kjo masë, sipas bizneseve, është një goditje e rëndë ndaj sektorit, i cili këtë vit po vuan barrën e lartë fiskale dhe çmimin e lartë të energjisë, të cilët kanë ndikuar në frenimin e rritjes së eksporteve. Por më e rënda është se, bizneset që po shkojnë drejt prodhimit gjysmë të gatshëm apo të gatshëm që konsiderohen si pjesa më e shëndetshme e sektorit, rrezikojnë të “fundosen” nga tarifa e skanimit.
Flamur Hoxha, administrator i linjës së prodhimit të veshjeve “Kler”, thotë se ai merr vetëm pëlhurën nga ortakët, Italinë, dhe e realizon vetë prodhimin final duke përfshirë edhe kujdesin për aksesorët. Sipas tij, bizneset që realizojnë prodhim të gatshëm bëjnë shumë deklarata doganore gjatë një muaji, për shkak të natyrës që ka kjo punë. Duke qenë se në Shqipëri mungon organizimi në klastera për të mbështetur prodhimin fason, bizneset që realizojnë një produkt që nga prerja deri te qepja u duhet të importojnë përveç copës, që nga etiketat, kopsat, penjtë dhe elementet e paketimit. Hoxha thotë se, nëse do të duhet të paguhet 22 euro për çdo deklaratë doganore, atëherë kostot do të jenë të papërballueshme dhe kalimi biznesit fason drejt prodhimit të gatshëm rrezikon të fundoset përfundimisht dhe të humbasë njëkohësisht konkurueshmërinë në rajon.
Sipas tij, tarifa e skanimit vjen më e rëndë te fasoni, pasi kostoja që krijohet, nuk mund të shkarkohet te çmimet finale. Rritja e mëtejshme e tyre e bën Shqipërinë jo avantazhuese në një treg që po shkon gjithnjë e më shumë drejt lehtësirave për bizneset e fasonit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.