Taksa mbetet,  sot skadon ultimatumi i Serbisë drejtuar Kosovës  

06/05/2019 10:30 AM 0 komente

Kosova ka vendosur taksën doganore prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës më 21 nëntor të vitit të kaluar. Nga atëherë e deri më tash është thënë se Serbia ka humbur miliona euro për shkak të takës. Kurse, presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka dhënë afat deri më sot Qeverisë së Kosovës ta heqë taksën ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, me ç’rast ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj vendit.

 

Sot skadon ultimatumi i presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq drejtuar Qeverisë së Kosovës që ta heqin taksën 100 për qind, në të kundërtën ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj vendit.

“Nëse taksa ndaj mallrave serbe nuk hiqet deri më 6 maj, do të mbahet një seancë speciale e Komitetit Kryesor të SNS, në të cilin do të dalim me masa kundër Prishtinës”, ka deklaruar presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Mirëpo, ky ultimatum duket se nuk u ka bërë fare përshtypje institucioneve të Kosovës. Në Ministrinë e tregtisë dhe Industrisë kanë thënë se taksa nuk do të hiqet.

“Taksa nuk do të hiqet sot. Ajo nuk do të hiqet me këso ultimatume e afate. Ajo mund të hiqet vetëm kur Serbia do ta njoh Kosovën si shtet”, kanë thënë në MTI.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka thënë se taksa hiqet kur të pushojnë arsyet e vendosjes se saj,

Limaj thënë se deri të taksa është ardhur për shkak se cenimit të sigurisë nacionale nga ana e shtetit serb e deri sjelljet e këqija të Serbisë në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Taksa do të hiqet në momentin kur pushojnë arsyet pse është vendos. Serbia jo vetëm që s’po i nalë këto veprime, por përkundrazi. Një nga arsyet pse s’bën të hiqet taksa është edhe mohimi i krimeve nga serbët të kryera nga ana e tyre në Kosovë”.

Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut përfituan nga taksa

Taksa e  Kosovës për mallrat nga Serbia, e cila ekonominë serbe brenda vitit e dëmton rreth 500 milionë euro, po iu bën mirë disa vendeve të ish Jugosllavisë, por edhe vendeve më të zhvilluara të botës.

Sipas shënimeve në të cilat thirret gazeta  e Beogradit “blic”, Kosova në muajin shkurt e ka shtuar importin për 13,4 për qind, përkatësisht 27 milionë euro më shumë në krahasim me vitin 2018.

Kosova furnizimet më së shumti i ka rritur nga Sllovenia, e cila në raport me një vit më parë, në Kosovë ka shitur më shumë mallra për 9,3 milionë euro.

Në vendin e dytë është Maqedonia e Veriut e cila në shkurt ka plasuar mallra me vlerë 7 milionë euro më shumë se sa në shkurtin e vjetëm.

Pasojnë Shqipëria e Turqia që e kanë shtuar eksportin për 6 milionë euro.

Vendin e pestë e ndajnë Gjermania e Kina. Ato eksportin në Kosovë e kanë rritur për 5 milionë euro. Rritje të konsiderueshme ka pasur edhe Kroacia, rreth 1,5 milion euro e ngritje eksporti prej 400 mijë eurosh ka pasur edhe Mali i Zi.

Serbia ka humbur 500 milionë euro

Kosova ka vendosur taksën doganore prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës më 21 nëntor të vitit të kaluar. Nga atëherë e deri më tash është thënë se Serbia ka humbur miliona euro për shkak të takës.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra Serbe për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se vendosja e taksës nga Qeveria e Kosovës, i ka kushtuar ekonomisë së Serbisë dëme prej më shumë se 500 milionë euro në vit.

Gjuriq gjatë një konference për shtyp ka thënë se deklarata e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se një dëm i tillë arrin në vetëm disa miliona është e pavërtetë.

“Përpjekjet për të zvogëluar dëmin për të pakësuar presionin që Prishtina vuan nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, nuk janë asgjë më shumë se një shtrembërim i realitetit”.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi kishte thënë se vendosja e taksës ndaj produkteve serbe është vendim i drejt dhe legjitim nga institucionet e Kosovës.

Gjithsesi, ai kishte pranuar se këto produkte po hyjnë në Kosovë edhe përmes rrugëve tjera.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk është shumë i shqetësuar për vendosjen e taksës sepse mallrat serbe po futen në Kosovë dhe nga Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia por edhe në formë të kontrabandës në për fat të keq”, ka thënë ai për mediat në Kosovë, pas përfundimit të Samitit të Berlinit.

“Ai humb disa miliona euro, por ka fituar një reputacion në kuptimin e imazhit se si Serbisë gjoja po i ndodh një padrejtësi – sillen si viktima. Taksa vendim i drejt dhe duhet të mbetet në fuqi. Unë e kam përkrahur këtë ide nga fillimi. As s’kam bërë thirrje për pezullim, as për heqje – është gënjeshtër e kulluar”, kishte thënë Thaçi.

Taksa 100 për qind e vendosur për produktet e Serbisë dhe Bosnjës ‘paralizoi’ procesin e dialogut, sepse qeveria e Serbisë e vendosi kusht largimin e taksës për vazhdimin e dialogut.

Ndryshe Qeveria e Republikës së  Kosovës më 9 nëntor të vitit të kaluar pati marrë vendim për vendosjen e masës 10 për qind për produktet e Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës duke përjashtuar këtu brendet ndërkombëtare.

Mirëpo kjo taksë nuk mbeti e tillë, dhe pikërisht një ditë pas dështimit të Kosovës për anëtarësim në organizatën INTERPOL më 21 nëntor të vitit të kaluar, kjo taksë u rrit në 100 për qind.

Përveç kësaj ky vendim parashihte edhe largimin  dhe mos të lejimin hyrjes në treg të produkteve me  etiketën ‘Kosova dhe Metohija’, gjë e cila është duke vazhduar edhe tani. Mirëpo më vonë taksë 100% u vendos edhe për bendet ndërkombëtare.

 

/Fatos Shala për Monitor.al/.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of