Ministria e Financave dhe ajo e Transportit kanë nxjerrë një udhëzim që vendos afate për veljen e taksës prej 10 euro që paguajnë qytetarët për çdo biletë avioni që blejnë. Kjo taksë quhet “tarifë shërbimi për kalimin me avion të kufirit të Republikës së Shqipërisë” dhe paguhet nga çdo qytetar brenda çmimit të biletës.
Nuk bëhet fjalë për një taksë të re, pasi ajo ka qenë ekzistente gjithmonë, por udhëzimi detajon mënyrën e arkëtimit të saj, pasi deri më tani janë shfaqur problematika në këtë drejtim. Në fakt bëhet fjalë për ndryshim të udhëzimit nr 40., datë 24.12.2008. Sipas udhëzimit të ri, Tirana International Airport (TIA), në zbatim të Marrëveshjes së koncesionit dhe këtij udhëzimi, kryen të gjitha procedurat për regjistrimin e kësaj tarife shërbimi në sistemin e IATA-s. Pas këtij regjistrimi, çdo shoqëri ajrore, në momentin e shitjes së biletave, duhet t’i shtojë vlerës së biletës, si dhe ta pasqyrojë në të, edhe vlerën e kësaj tarife shërbimi.
Aeroporti duhet të llogarisë shumën që do të paguhet nga ana e shoqërive ajrore, mbështetur në dokumentin e udhëtimit të pasagjerëve. Ajo që specifikohet në këtë rast është afati brenda datës 5 të muajit pasardhës, ku TIA ka për detyrë të rakordojë me shoqëritë ajrore tarifën e paguar pranë tyre në muajin parardhës. Autoriteti aeroportual si institucion taksabledhës duhet tju faturojë shoqërive ajrore brenda datës 10 të muajit pasardhës shumën për t’u paguar nga këto shoqëri në llogarinë bankare të hapur për këtë qëllim nga TIA. Kjo taksë do të menaxhohet mbi bazën e faturimeve të bëra.
TIA ka për detyrë të kërkojë nga shoqëritë ajrore likuidimin e shumave të faturuara brenda datës 15 të muajit pasardhës. Në rast moslikuidimi brenda kësaj date, TIA dërgon një njoftim të dytë në rrugë elektronike ose me postë shoqërive ajrore ku kërkon likuidimin e menjëhershëm të shumave mbi bazën e faturimeve të realizuara. Sasinë e parave të mbledhura TIA e deklaron dhe transferon në llogarinë e drejtorisë rajonale tatimore ku është e regjistruar, brenda datës 15 të muajit pasardhës. Për tarifat e shërbimit të përfshira në këtë udhëzim nuk aplikohet TVSH dhe ato shkojnë në buxhetin e shtetit. Udhëzimi hyn në fuqi më 2 tetor.
/Scan TV
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.