Cilat janë variantet përfundimtare të ndryshimeve fiskale që pritet të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm. Nga ndryshimet për ngarkesën fiskale të pagave, uljen e dividendit deri te shtrëngimet për të luftuar evazionin e individëve me të ardhura të larta
Nga 1 janari 2019 marrin fuqi ligjore disa ndryshime në legjislacionin fiskal që prekin kryesisht kategori të biznesit dhe punonjësit me paga të larta.
Nga një janari ngarkesa fiskale për të punësuarit me paga të larta ulet. Fasha e pagës që taksohet me 23% do të rritet në 150,000 lekë nga 130,000 lekë në muaj që është aktualisht. Nëpërmjet kësaj mase, Ministria e Financave përllogarit që të ulet barra tatimore për rreth 15.400 punëmarrës, me një efekt negativ në buxhetin e shtetit me rreth 1 miliard lekë. Kjo kategori punonjësish do të ketë përfitim mujor 2600 lekë. Ndryshim tjetër i rëndësishëm është ulja e tatimit mbi dividendin në 8% nga 15% që është aktualisht. Kjo masë ka efekt statistikor negativ me 1 miliard lekë në të ardhurat buxhetore të 2019, por Ministria e Financave parashikon të rrisë arkëtimet me rreth 2 miliardë lekë, për shkak të rritjes së pritshme të deklarimeve e kompanive që paguajnë këtë tatim.
Kuvendi, gjatë miratimit të ndryshimeve, vendosi që norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8% do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitin 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kusht që tatimi mbi dividendin, që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019, ndërsa tatimi mbi dividendin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.”
Presidenti i Republikës ktheu dekretin e këtij projektligji me argumentin se cenon barazinë fiskale te taksapaguesve dhe gjithashtu sipas institucionit të Presidentit, ligji nuk mund të ketë efekte paravepruese, pasi në ketë rast krijon efektet e një amnistie fiskale.
Ndryshime janë paraparë edhe në ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, ku themelore është përjashtimi nga TVSH-ja e lëndëve të para për industrinë fasone dhe gjithashtu, propozohet që furnizimi i makinave bujqësore, i përjashtuar jo vetëm në import, por edhe brenda vendit.
Ndryshime me efekt në nivelin e tatimit janë bërë edhe në ligjin për akcizat. Rritja vijoi ndryshimin e nivelit të akcizës për produktin e duhanit të grirë, purot, cigarillos dhe cigaret me zëvendësues duhani, duke e çuar taksimin në 6 mijë lekë për kilogram nga 4400 që është aktualisht. Gjithashtu, u shtua një produkti të ri “duhan me ngrohje”, në listën e mallrave të akcizës.
Zhavorri bituminoz do të tatohet me akcizë 0.3 lekë për kilogram. Qeveria kishte propozuar që akciza e bitumit të rritet me 2 lekë për kilogram, dukë vënë në vështirësi aktivitetin e 5 operatorëve të fushës, pasi taksimi zë më shumë se 80% të çmimit, por Kuvendi miratoi një taksim shumë më të ulët.
Në ligjin për taksat kombëtare janë propozuar dy ndryshime kryesore. I pari, projektligji propozon që përqindja e rentës minerare nga 6%, të bëhet 9%, për “Mineralet e kromit për eksport”. Kjo masë, sipas Ministrisë së Financave, synon të nxisë përpunimin e mineralit në vend, me synim rritjen e vlerës së shtuar.
Ndryshimi i dytë synon uljen e taksës së ambalazheve mbi produktet e plastikës në 35 lekë, nga 100 lekë për kilogram që është aktualisht. Për prodhimin brenda vendit, niveli i propozuar i taksës është 25 lekë/kg. Ndryshimet kanë përfshirë edhe ligjin për taksat vendore, të cilat synojnë riparimin e paqartësive në zbatimin e ligjit ekzistues.
Ndërhyrje janë bërë edhe në ligjin për procedurat tatimore. Ndryshimet synojnë të limitojnë mundësitë për shmangie fiskale. Në propozimet e paraqitura në këtë projektligj, synohet gjithashtu përdorimi i mënyrave alternative të vlerësimit tatimor, kur nga administrata tatimore konstatohet se tatimpaguesi kryen veprime apo transaksione, të cilat synojnë përfitimin e një avantazhi tatimor në kundërshtim me legjislacionin tatimor dhe rezultojnë fiktive mbi prova dhe fakte.
Parlamenti rrëzoi përjashtimin e fishekzjarrëve nga akciza, teksa qeveria kishte propozuar që për shkak të vështirësisë në kontrollin e tyre ky produkt të përjashtohej. Parlamenti vendosi të trefishojë gjobën për bizneset që mbajnë pulla akcize më shumë se inventarët.
Nga 1 janari 2019, norma e kompensimit për prodhuesit bujqësorë, nga 20% që është aktualisht bëhet 6%. Shkak për uljen e nivelit të kompensimit u bë dështimi i skemës së re të rimbursimit të TVSH që qeveria nisi të aplikojë pas vitit 2014. Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, e kundërshtoi këtë masë ligjore, duke rekomanduar se Parlamenti mund të korrigjonte skemën e rimbursimit të TVSH-së në vend që të reduktonte përfitimet e kompensimit të fermerëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.