Taksat e tabelave/ Bizneset ankohen për abuzime nga inspektorët bashkiakë

01/03/2016 10:13 AM 0 komente

Teksa Bashkia e Tiranës ka shumëfishuar taksat dhe tarifat për shërbimet, inspektorët bashkiakë në terren janë duke abuzuar edhe me ligjin e ri të taksave dhe tarifave vendore.

Rasti më shqetësues mbetet taksa e tabelës. Taksa e re e miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak të datës 30 dhjetor i përjashton nga taksimi tabelat për qëllime identifikimi me sipërfaqe deri në dy metër katror. Mbi këtë kufi, edhe tabelat për qëllime identifikimi taksohen me 45000 lekë metri katror në vit.

Në zbatim të paketës fiskale bashkiake, inspektorët kanë zbritur në terren duke regjistruar një më një të gjitha tabelat për qëllime identifikimi dhe për qëllime reklamuese. Mirëpo bizneset po ankohen se inspektorët bashkiakë janë duke abuzuar pasi po regjistrojnë si tabela reklamimi edhe tabelat për qëllime identifikimi. Tabelat reklamuese taksohen 45000 lekë metri katror në vit, duke filluar nga zero, pra pa kufi minimal, ndryshe nga ato identifikuese që taksohen mbi 2 metra katror.

Një biznes që ka afishuar emrin e aktivitetit në një tabelë 2 metër katror i duhet të paguajë 90 000 lekë taksa në vit, nga klasifikimi i gabuar i inspektorit bashkiak (përndryshe do të paguante zero). Bizneset pohojnë se inspektorët nuk po procedojnë me udhëzimet përkatëse për të qartësuar se cila është tabelë reklamimi dhe cila identifikimi. Të dhënat po regjistrohen në serverin e Bashkisë dhe shumë biznese mund të përballen me të papritura kur t’iu vijë shkresa e taksave vendore nga Bashkia.

 

Ndryshimi i taksimit të tabelës

Deri më 31 dhjetor 2015, për tabelat me qëllim identifikimi paguhej vetëm 120 lekë në vit, pavarësisht nga madhësia. Ndërsa tabelat për qëllime reklamimi paguanin 45000 lekë në vit.

Ndërsa me ndryshimet e reja ligjore, tabelat me qëllim identifikimi taksohen zero deri në 2 metër katror dhe mbi këtë kufi 45000 mijë lekë për metër katror në vit. Ndërsa tabelat që kanë qëllim sinjalistikën taksohen 120 lekë në vit.

Tabelat me qëllim reklamimi taksohen me 45000 lekë metri katror në vit (e pandryshuar) dhe për tabelat elektronike të reklamimit kjo shumë dyfishohet, në 90000 lekë metri katror në vit. Tabelat për qëllime ekspozimi të ndryshme në panaire, spektakle, banderola taksohen 1 mijë lekë metri katror në ditë.

Monitor 719

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of