Teksa Bashkia e Tiranës ka shumëfishuar taksat dhe tarifat për shërbimet, inspektorët bashkiakë në terren janë duke abuzuar edhe me ligjin e ri të taksave dhe tarifave vendore.
Rasti me shqetësues mbetet taksa e tabelës. Taksa e re e miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak të datës 30 dhjetor i përjashton nga taksimi tabelat për qëllime identifikimi me sipërfaqe deri në dy metër katror. Mbi këtë kufi edhe tabelat për qëllime identifikimi taksohen me 45000 lekë metri katror në vit.
Në zbatim të paketës fiskale bashkiake inspektorët kanë zbritur në terren duke regjistruar një me një të gjitha tabelat për qëllime identifikimi dhe për qëllime reklamuese. Mirëpo bizneset po ankohen se inspektorët bashkiakë janë duke abuzuar pasi po regjistrojnë si tabela reklamimi edhe tabelat për qëllime identifikimi. Tabelat reklamuese taksohen 45000 lekë metri katror në vit, duke filluar nga zero, pra pa kufi minimal, ndryshe nga ato identifikuese që taksohen mbi 2 metra katror.
Një biznes që ka afishuar emrin e aktivitetit në një tabelë 2 metër katror i duhet të paguajë 90 000 lekë taksa në vit, nga klasifikimi i gabuar i inspektorit bashkiak (përndryshe do të paguante zero). Bizneset pohojnë se inspektorët nuk po procedojnë me udhëzimet përkatëse për të qartësuar se kush është tabelë reklamimi dhe kush identifikimi. Të dhënat po regjistrohen në serverin e Bashkisë dhe shumë biznese mund të përballen me të papritura kur t’iu vijë shkresa e taksave vendore nga Bashkia.
Ndryshimi i taksimit të tabelës
Deri me 31 dhjetor 2015 për tabelat me qëllim identifikimi paguhej vetëm 120 lekë në vit pavarësisht nga madhësia. Ndërsa tabelat për qëllime reklamimi paguanin 45000 lekë në vit.
Ndërsa me ndryshimet e reja ligjore tabelat me qëllim identifikimi taksohen zero deri ne 2 metër katror dhe mbi këtë kufi 45000 mijë lekë për metër katror në vit. Ndërsa tabelat që kanë qëllim sinjalistiken taksohen 120 lekë në vit.
Tabelat me qëllim reklamimi taksohen me 45000 lekë metri katror në vit (e pandryshuar) dhe për tabelat elektronike të reklamimit kjo shumë dyfishohet, në 90000 lekë metri katror në vit. Tabelat për qëllime ekspozimi të ndryshme të panaire, spektakle, banderola taksohen 1 mijë lekë metri katror në ditë.
Bashkia e Tiranës i ka shumëfishuar taksat dhe tarifat ndaj biznesit, kryesisht për tabelat dhe zënien e hapësirave publike, por vendimi i këshillimi Bashkiak i datës 30 dhjetor nuk u bë bërë transparent dhe nuk ndodhet i publikuar ende në pjesën e dukshme të webit të Bashkisë. Monitor zbardhi pak ditë më parë tabelat e plota. http://www.monitor.al/bashkia-shumefishon-barren-fiskaletaksa-e-re-per-arsimin-nga-4000-37000-leke-per-bizneset-ne-vit/
Taksat e mëparshme për tabelat e bizneseve:
Taksat e reja të vendosura për bizneset nga Bashkia Tiranë:
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.