Vendi sapo ka kaluar ndër muajt më të vështirë në historinë e tij të pas tranzicionit. Situata e paprecedentë, e krijuar nga përhapja e infeksionit të COVID-19, detyroi një mbyllje që nuk ishte parë asnjëherë më parë. Si e gjithë bota, edhe Shqipëria, në këtë të panjohur të madhe, mes dilemës së dëmeve në ekonomi apo në jetë, zgjodhi të shpëtojë këto të fundit, si aseti më me vlerë, teksa humbjet në ekonomi janë të rikuperueshme.
Kur pjesa më e vështirë (për momentin) duket se është lënë pas, kemi dy lajme të mira:
-Së pari, niveli i vdekshmërisë totale në Shqipëri ka qenë i ulët. Të dhënat e siguruara nga “Monitor”, nga Drejtoria e Gjendjes Civile, tregojnë se totali i jetëve të humbura në 4-mujorin e parë të vitit ishte 2.7% më i ulët se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa për mars-prill ka një rritje të lehtë me 3%, por që më së shumti ka ardhur nga zonat që nuk kanë qenë një vatër e nxehtë e koronavirusit. Kjo është në kontrast me atë që përjetuan shumë shtete në botë, ku “Financial Times” raportonte se në 14 shtete që ajo kishte bërë analizë, kishte konstatuar një rritje të vdekshmërisë me 50% për marsin dhe prillin e këtij viti. Do të duhet një analizë e thellë për të parë nëse ky rezultat është i lidhur me faktorë gjenetikë e të vaksinimit të vendit, apo të izolimit, por cilado qoftë arsyeja, ky është një lajm i mirë.
-Së dyti, izolimi zgjati për gati 3 muaj, aq sa ishte dhe maksimumi që bizneset kishin deklaruar se do të mund të rezistonin, ndërsa përtej 3 muajve askush nuk guxonte të parashikonte se cilat do të ishin pasojat. Askush nuk e di se çfarë rezervon e ardhmja, por shpresojmë që izolime të tilla ekstreme të mos përsëriten më.
Lajmi më i keq, për momentin, është ekonomia. Përveç problemeve të saj strukturore dhe ngadalësimit që kishte nisur që vitin e kaluar, goditja e izolimit ishte e rëndë. Rreth 38 mijë vende pune kanë humbur (neto) zyrtarisht, deri në fund të majit. Këto janë vetëm informacionet zyrtare, por Shqipëria me informalitetin e saj, që Banka Botërore e vlerëson në mbi 30%, vlerësohet se ka pasur humbje edhe më të mëdha. Me ekonominë e ngadalësuar, konsumin e dobët, kërkesën nga jashtë të paqëndrueshme dhe turizmin që ende nuk po fillon, e ardhmja nuk premton shumë, të paktën në afatin e shkurtër.
Rikuperimi i vendeve të punës mbetet sfida më e madhe për momentin. Shqipëria ka dizavantazhin e modelit të saj të copëzuar ekonomik, me nivel të lartë të vetëpunësimit dhe shumë biznese të vogla në sektorin e tregtisë e shërbimeve, që vështirë se do t’i mbijetojnë tkurrjes së konsumit dhe konkurrencës nga zinxhirët e mëdhenj të organizuar. Tregtia dhe shërbimet janë dy sektorët më të mëdhenj të punësimit në vend. Banka Botërore vlerëson se ndërmarrjet e vogla janë më shumë në rrezik nga kriza, me 88% që janë të brishta ndaj kësaj situate. Në industrinë përpunuese, i treti që gjeneron më shumë vende pune, avantazhi i vetëm konkurrues, është krahu i lirë i fuqisë punëtore.
Shqipërisë i kanë munguar vendet cilësore të punës, për shkak të ekonomisë së saj jo konkurruese dhe tashmë po i ndien më shumë pasojat e kësaj (krahasimi i Bankës Botërore gjeti se rreth 30% e punonjësve kanë qenë të punësuar në kompani që janë mbyllur nga kriza, përkundrejt 23.4% në Mal të Zi, në Maqedoni 16% dhe në Serbi 7.8%.
Një strategji për të nxitur një ekonomi konkurruese me vende pune të qëndrueshme dhe cilësore me paga të rritura (sot paga mesatare në vend është më e ulëta në rajon) do të ishte një zgjidhje afatgjatë. Por, sërish po mbizotëron rendja drejt politikave afatshkurtra dhe populiste.
Vendimi i fundit i qeverisë për heqjen e tatimfitimit për bizneset e vogla (në fakt vetëm për një pjesë të vogël, se shumica me qarkullim vjetor deri në 5 milionë lekë nuk paguan as tani) nuk i zgjidh problemet thelbësore të ekonomisë (bizneset e vogla edhe sot nuk paguajnë taksa, por sërish nuk ia dalin të mbijetojnë, për shkak të kërkesës së dobët).
Kriza tregoi se të ardhurat nga puna të pjesës më të madhe të popullsisë ishin aq minimale, sa shërbenin sa për të plotësuar nevojat më minimale të jetesës. Ndaj nxitja e vendeve cilësore të punës do të ishte zgjidhja më e qëndrueshme për të ardhmen. Vendi ka probleme shumë më të thella, që kërkojnë një vizion dhe vullnet politik afatgjatë për t’u zgjidhur, përtej populizmit afatshkurtër elektoral, që ka mbizotëruar gjithnjë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.