Taksat kombëtare, ndryshon renta dhe taksa e ambalazheve

25/12/2018 4:48 PM 0 komente

Më 1 janar 2019 hyjnë në fuqi ndryshimet e legjislacionit të taksave kombëtare, sipas dispozitave të mëposhtme:

Në nenet 1, 2, 3, 4 dhe 5 të projektligjit që ndryshojnë nenet 3, 4, 5, 8 dhe 9 të ligjit aktual, propozohet rishikimi i dispozitave që lidhen me taksën e ambalazheve të plastikës dhe të qelqit, duke bërë një kategorizim si të produktit, ashtu edhe të nivelit të taksës, për të reflektuar problematikën e evidentuar nga strukturat e Bashkimit Europian që lidhet me diferencimin e taksës në import dhe në prodhimin vendas, si dhe për të përmbushur kërkesat e industrisë vendase të prodhimeve ushqimore, për kufizimin e konkurrencës së pandershme.

Në vitin 2008, kur u miratua ligji nr. 9975, në kategorinë e taksave kombëtare përfshihej edhe taksa për ambalazhet plastike të lëngjeve. Në mesin e vitit 2010, për produktet plastike, aplikohej akcizë në masën 100 lekë/kg plus TVSH, më pas me ligjin nr. 83/2012 kjo taksë u ndryshua në taksën e ambalazheve të plastikës dhe qelqit, duke saktësuar përkufizimin e taksës, në mënyrë që të mos kishte dallime në llojet e produkteve të ambalazhit që ishin subjekt i taksës, ndërsa niveli i saj u diferencua sipas llojit të ambalazhit.

Në Paketën Fiskale për vitin 2017, Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në kuadër të politikës për stimulimin e industrisë vendase, amendoi ndryshimin e

përcaktimeve të bëra në pikën 8, të nenit 4, të ligjit bazë, duke propozuar që taksa për ambalazhet e prodhuara nga riciklimi i mbetjeve në vend, nga 50 lek/kg, të vendosej në masën simbolike 1 lekë/kg. Në janar 2019 rikategorizohen:

Taksa e materialeve/artikujve plastikë dhe e ambalazheve plastikë të importuara, e cila u vendos në masën 35 lekë/kg.

Taksa e lëndëve të para në formë primare të importuar dhe që përdoret për prodhimin në vend të produkteve të plastikës, u caktua 25 lekë/kg.

Taksa e ambalazheve prej qelqi për ambalazhet e importuara dhe të prodhuara në vend u caktua 5 lekë/kg. Kjo taksë do të zbatohet edhe në rastet kur materiali i qelqit zë të paktën 80% të masës së përgjithshme të ambalazhit që ambalazhon produkte të tjera.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of