Debati nëse Britania duhet të vendosë një taksë për fitimet e papritura mbi kompanitë e naftës dhe të gazit që operojnë në Detin e Veriut është rindezur pas rritjes së fitimeve të BP.
Kjo taksë e aplikueshme vetëm një herë, është një ndër masat e shumta që janë propozuar për të trajtuar krizën e energjisë, e cila ka rritur ndjeshëm faturat e konsumatorëve familjarë.
Lufta në Ukrainë ka përkeqësuar problemet ekzistuese të furnizimit, duke bërë që qeveritë në mbarë Europën të përpiqen për të mbrojtur konsumatorët nga kriza e kostos së jetesës. Qendra për Kërkime Ekonomike dhe Biznesi ka vlerësuar se, pa ndërhyrjen e qeverisë, kostot e energjisë mund të rriteshin me 40% në të gjithë eurozonën në vitin 2022, nga një rritje prej 13% në vitin 2021. Diskutimet mbi sanksionet ndaj furnizimeve ruse me energji dhe masat për të kufizuar pasojat e konfliktit, vazhdojnë të jenë të pranishme në Europë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, analistët kanë thënë se faturat mund të arrijnë deri në 3,000 £ në vit në muajin tetor, kur kufiri i çmimit të rritet përsëri, nëse nuk bien çmimet e gazit. Ja sesi kanë reaguar disa qeveri të ndryshme në të gjithë Europën.
Britania e Madhe
Kancelarja, Rishi Sunak, është kritikuar vazhdimisht se ka vepruar ngadalë për trajtimin e krizës energjetike. Qeveria deri më tani i ka rezistuar thirrjeve nga Laburistët dhe Liberal Demokratët për të vendosur një taksë mbi fitimet e papritura të operatorëve të naftës dhe të gazit në Detin e Veriut, duke argumentuar se kjo do të dekurajonte investimet në furnizimet e brendshme me energji.
Në shkurt, Sunak tha se 28 milionë familje do të marrin një zbritje prej 200 £ në faturat e tyre nga muaji tetor. Kjo kosto do të rikthehet përgjatë pesë viteve të ardhshme.
Ministrat refuzuan thirrjet për një ulje të normës së TVSH-së prej 5% në faturat e energjisë, duke mbështetur një zbritje prej 150 £ në grupet e taksave bashkiake A-D për familjet në Angli. Një shumë tjetër prej 144 milionë paund është alokuar për të mbështetur njerëzit vulnerabël dhe personat me të ardhura të ulëta.
Italia
Kryeministri italian, Mario Draghi, paraqiti të hënën një paketë mbështetjeje prej 14 miliardë euro për të trajtuar ҫështjen e rritjes së kostove të energjisë. Masat e tij përfshijnë subvencione për familjet në nevojë dhe një pagesë prej 200 euro cash për pensionistët dhe personat me të ardhura të ulëta.
Draghi ofroi gjithashtu fonde shtesë për qeveritë vendore dhe do të ofrojë kredi tatimore për industritë që përdorin nivele të larta të energjisë. Këto masa vijnë pas 20 miliardë eurove që ky vend me të ardhura të kufizuara ka shpenzuar tashmë për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimit të energjisë.
Nismat do të financohen nga një rritje e taksës së të ardhurave të papritura në Itali, e prezantuar në janar. Taksa për fitimet e industrisë së energjisë do të rritet në 25%, nga 10%.
Gjermania
Ekonomistët kanë paralajmëruar se një ndërprerje e papritur e gazit rus do të shkaktonte një “recesion të mprehtë” në Gjermani.
Kancelari, Olaf Scholz, u ka premtuar qytetarëve “lehtësime të prekshme” dhe javën e kaluar paraqiti një sërë masash prej 30 miliardë euro. Këto përfshijnë një ulje të përkohshme të taksave të karburantit dhe bileta më të lira 90-ditore për ta bërë transportin publik më të përballueshëm. Kjo lëvizjen vjen pas një pakete lehtësuese ekzistuese prej 15 miliardë euro, e cila përfshinte rritjem e dietave të pataksueshme për punonjësit që udhëtojnë në distanca të gjata për të shkuar në punë.
Berlini gjithashtu ka rinovuar me shpejtësi legjislacionin e vitit 1975 që synon të trajtojë ҫështjet e goditjeve energjetike. Projektligji i rishqyrtuar do të përfshijë masat për mbylljen e kompanive gjatë një mungese të gazit dhe forcimin e sigurisë së BE-së për rregulloret e furnizimeve. Rregullat e miratuara pesë vjet më parë parashikojnë se anëtarët e BE-së duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin në rast të një mungese të furnizimeve me gaz.
Spanja
Qeveria e Spanjës ishte një nga të parat që ndërmori veprime për të mbrojtur familjet nga rritja stratosferike e faturave të energjisë.
Vendi u dakordësua shtatorin e kaluar për të hequr taksat nga faturat e energjisë për konsumatorët familjarë. Këto të ardhura do të merren në buxhet duke aplikuar një taksë për fitimet e papritura të kompanive që përfitojnë nga rritja e çmimeve të energjisë.
Gjithashtu, janë aplikuar edhe një sërë masash të tjera, duke përfshirë ndalimin e rritjes së faturave të gazit me më shumë se 5% për klientët me konsum më të ulët të energjisë. Javën e kaluar, Komisioni Europian ra dakord për vendosjen e një kufiri për çmimin e gazit në Spanjë dhe në Portugali, për 12 muajt në vijim. Konsumatorët janë ndihmuar nga një ulje e TVSH-së në faturat e energjisë, si dhe nga reduktimi i një takse të veçantë për energjinë elektrike.
Franca
Emmanuel Macron e bëri politikën energjetike një shtyllë kryesore të fushatës së tij të suksesshme për rizgjedhjen si president. Ai tha se do ta bënte Francën “vendin e parë të madh që braktis gazin, naftën dhe qymyrin”, përpara fitores së tij muajin e kaluar.
Në planin afatshkurtër, qeveria franceze ka detyruar furnizuesin e energjisë elektrike me shumicën e pronësisë shtetërore, EDF Energy, që të ulë kostot. Ky operator, i cili qëndron pas termocentralit bërthamor Hinkley Point B në Mbretërinë e Bashkuar, u tha investitorëve se do të merrte një goditje prej 8.4 miliardë euro nga vendosja e kufirit të çmimit të energjisë, që do të thotë se uli koston e energjisë elektrike nën normën e tregut.
Taksat e energjisë elektrike janë reduktuar për familjet dhe bizneset. Ministri francez i financave, Bruno Le Maire, ka vlerësuar se përpjekjet e qeverisë për të frenuar rritjen e kostove që nga pushtimi i Ukrainës kapin vlerën e rreth 25 miliardë eurove.
Polonia
Qeveria polake u ka kërkuar qeverive homologe në Europë që të vendosin sanksione të ashpra ndaj industrisë ruse të naftës dhe të gazit, pas ndërprerjes së furnizimeve me gaz në Bullgari dhe në Poloni javën e kaluar nga gjigandi rus i energjisë Gazprom. Të dy vendet kanë thënë se nuk do të përballen me një rrezik të menjëhershëm për furnizimet.
Ministrat polakë kanë ndërhyrë në mënyrë të përsëritur që nga fundi i vitit të kaluar për të mbrojtur familjet nga rritja e çmimit të energjisë. Kryeministri, Mateusz Morawiecki, prezantoi një “mburojë kundër inflacionit”, duke ulur TVSH-në për ushqimet dhe gazin në 0%. Një paketë më e gjerë ekonomike, e quajtur “mburoja anti-Putin”, do të prezantohet për të mbështetur kompanitë dhe për të ruajtur vendet e punës.
Holanda
Qeveria holandeze u tregua e shpejtë për të vepruar pasi kriza energjetike filloi të përshkallëzohej vitin e kaluar. Tetorin e kaluar u ulën taksat e energjisë për konsumatorët familjarë, ndërsa 150 milionë euro u caktuan për të përmirësuar izolimet e shtëpive. Në mars, qeveria rriti kompensimin e energjisë për familjet me të ardhura të ulëta, nga 600 në 800 euro.
Qeveria ka ulur gjithashtu TVSH-në e energjisë nga 21% në 9% deri në fund të këtij viti. Akcizat për benzinën dhe naftën janë reduktuar për pjesën tjetër të vitit 2022.
Norvegjia
Në dhjetor, qeveria e Norvegjisë mori një sërë masash për të ndihmuar familjet, të cilat kalojnë shifrën e 8 miliardë korona. Muajin e kaluar, parlamenti norvegjez ra dakord për zgjatjen e skemës së mbështetjes për përballimin e çmimeve të larta të energjisë elektrike deri në mars të vitit 2023, me një vlerë totale prej 850 milionë euro,. Gjithashtu, është rritur mbështetja për studentët dhe gratë e veja.
Suedia
Suedia filloi të paraqesë politikat e saj për trajtimin e krizës energjetike në fillim të këtij viti. Këto masa përfshinin një kompensim për familjet me konsum të lartë të energjisë, si dhe ulje të tarifave të karburantit. Qeveria ka ofruar gjithashtu 6,700 euro në formë subvencioni për blerjen e automjeteve elektrike. Suedia gjithashtu pritet të shpenzojë 48 milionë euro për një paketë për strehimin e familjeve me fëmijë./ The Guardian