PS ka nxitur së fundmi për rishikimin e shkallës së TVSH, por edhe të taksave të tjera, ndërsa mazhoranca del kundër, me argumentet se ul investimet, rrit fitimet e biznesit dhe nuk ul çmimet. Kodheli: Propozimet tona për TVSH 0%
Prej një jave, debati politik është përfshirë nga propozimet e PS-së për heqjen e TVSH-së për disa mallra të konsumit bazë, si veprim që nxit uljen e çmimeve dhe ndihmon të varfit. Propozimi i parë lidhet me TVSH-në, por në të ardhmen mund të arrijë edhe tek akciza, që sipas Mimi Kodhelit, “kanë një peshë 28% mbi mallrat si buka, mielli, qumështi, veza, etj.”. PS ka hartuar projektligjin, ku ndër të tjera thotë se, përveç vezëve, të gjitha produktet e tjera janë importi, ku rritja e çmimit në tregun ndërkombëtar e të gjitha këtyre produkteve, ka bërë që TVSH-në që shteti aplikon, e merr prej tyre në vlerë absolute dhe të jetë shumë e lartë.
“Propozimet që bëhen prekin nenin 24/1 në ligjin e TVSH-së, ku furnizimi për grurin, miellin, bukën, qumështin, vezën, janë furnizime që tatohen me 0% TVSH dhe furnizimi për vajin, sheqerin dhe orizin janë furnizime të tatueshme në masën 10%, duke filluar nga data 1 janar 2012. Tjetër kategori, kemi furnizimin e barnave dhe shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private, duke e përfshirë në furnizimin e përjashtuar, duke filluar nga 1 janari 2012”, tregon nënkryetarja e Komisionit parlamentar për Ekonominë, deputete e PS-së.
Duke folur për “Monitor”, Kodheli pranon se këto sugjerime janë bërë pa u konsultuar me Ministrinë e Financave, por me grupet e interesit. “Disa prej këtyre të fundit, sidomos prodhuesit e bukës janë treguar entuziastë, pasi mendojnë që ky hap do të bëjë që çmimi i bukës të bjerë dhe kështu të rritet konsumi”, shton Kodheli. Hapi i radhës për PS-në do të jetë propozimi për rishikimin e TVSH-së te faturat e energjisë.
Drafti shoqërohet edhe me një studim mbi çmimet në tërësi, të rritura ndjeshëm në vitet e fundit, me baza krahasuese dhe me efektet minus në xhepin e konsumatorit. Megjithatë, sikurse do të lexoni në vijim, që tani mazhoranca e ka përgjigjen gati: kundër nismës së PS-së dhe rishikimit të një tjetër skeme.
Propozimi i PS
Propozimet që bëhen prekin nenin 24/1 në ligjin e TVSH-së, ku furnizimi për grurin, miellin, bukën, qumështin, vezën, janë furnizime që tatohen me 0% TVSH dhe furnizimi për vajin, sheqerin dhe orizin janë furnizime të tatueshme në masën 10%, duke filluar nga data 1 janar 2012. Tjetër kategori, kemi furnizimin e barnave dhe shërbimeve shëndetësore nga institucionet shëndetësore, publike dhe private, duke e përfshirë në furnizimin e përjashtuar, duke filluar nga 1 janari 2012
Florion Mima, anëtar i Komisionit parlamentar për Ekonominë, ish-zëvendësministër i Financave
Nuk fitojmë asgjë nga ulja e TVSH-së
Mundësi, rritja e kufirit për të ardhurat
Zoti Mima, në dy vitet e fundit, në kuadër të krizës, po diskutohet mundësia mbi rishikimin e taksave, në ndihmë të asaj shtrese që preket më tepër. Si e gjykoni ju nivelin aktual të taksave dhe a ka hapësira për rregullime?
Gjykoj që Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj që në mandatin pararendës të kësaj mazhorance, kur u hap diskutimi nëse do të kishim reduktim të të gjitha shkallëve tatimore deri në 17 për qind për të gjitha llojet e tatimeve, direkte dhe indirekte dhe kur FMN pranoi që qeveria shqiptare të avanconte me uljen e shkallës tatimore për të ardhurat personale dhe të ardhurat e korporatave në një “flat-tax”, por për momentin të ngrinte rishikimin e shkallës tatimore për TVSH në 20%, aq sa është sot. 17 përqindëshi që ne kishim nxjerrë në programin elektoral të PD-së bazohej mbi mesataren e atëhershme mbi shkallën tatimore për TVSH në vendet e BE-së. Sot situata ka ndryshuar tërësisht dhe shkalla mesatare në vendet e BE-së është afërsisht 20.5%. Pra, Shqipëria sot është pothuaj në linjë me mesataren e TVSH-së të vendeve të BE-së. Ky sugjerim i FMN-së u mirëkuptua dhe duke ndjekur zhvillimet në rajon për tatimet mbi të ardhurat, ku Bullgaria e para, pastaj Maqedonia, Mali i Zi, Serbia tentuan ta çonin shkallën tatimore dukshëm më ulët se 17% që ishte plani ynë, duke arritur deri në 9.5% për tatimet e drejtpërdrejta, ne u detyruam, edhe për shkak të thithjes së investitorëve, të vendosnim një “flat-tax” në 10% dhe të ruanim të pandryshuar në 20% shkallën e TVSH-së si dhe të mbronim trupin e saj nga “plagët” që mund të hapnin përjashtimet, incentivat e favoret fiskale. TVSH është shtylla kurrizore e sistemit tonë dhe ajo jep afërsisht 10 p.p në raport me PBB-në për arkën e shtetit, pra është një tatim që meriton më së shumti kujdes, si për të mbetur në linjë me parimet e direktivave europiane, ashtu edhe për të ruajtur të hyrat publike që ai gjeneron. Përse themi se jemi kundër përjashtimeve, të cilat veç e dëmtojnë integritetin e sistemit dhe krijojnë premisa për administrim më të dobët dhe ulin të hyrat publike? Përvoja empirike e disa vendeve të tjera që kanë tentuar të ulin shkallën tatimore me synimin për të ulur çmimet përfundimtare të mallrave dhe shërbimeve, si dhe vetë përvoja e Shqipërisë me operacione të tilla të kryera në të shkuarën, tregon se tregu nuk është shumë elastik dhe çmimet përgjithësisht ngelen në nivelin që ato kanë arritur në kohën që aplikohej TVSH në shkallën e saj normale. Po marrim rastin e shërbimeve të mësimdhënies private, për të cilat qeveria e hoqi fare TVSH. Tregu konfirmon se tarifat kanë mbetur të pandryshuara, si në kohën kur aplikohej shkalla 20%. Pra, është jofizibël të ndërhyhet, tregu është i edukuar, sikurse kuptohet që edhe furnizuesit e mallrave e shërbimeve kanë një “dhunti” për të transformuar në fitim çdo diferencë që do duhej të krijohej nga ulja e taksave. Unë besoj se ky diskutim është i tejkaluar, nuk jam në favor të përjashtimeve për mallra dhe shërbime të caktuara pasi përjashtim, sipas ekspertëve të TVSH, do të thotë penalizim. Të duket sikur lehtësohesh, por të furnizosh pa TVSH, do të thotë që nuk ke të drejtë të marrësh mbrapsht TVSH e shpenzuar për blerjen apo importin e atyre mallrave apo shërbimeve. Pra, përgjithësisht thuhet se impakti i heqjes a reduktimit të TVSH-së në uljen e çmimeve është pothuajse zero.
Tjetër argument që japin ekspertët është se përgjithësisht, të pasurit janë ata që konsumojnë më shumë mallra dhe shërbime dhe duke qenë se propozohet heqja e TVSH-së për disa mallra, në mënyrë që të lehtësohen të varfrit, padashur miratojmë një masë e cila jo vetëm nuk arrin qëllimin për të cilin u propozua, por arrin ekzaktësisht të kundërtin e atij qëllimi, favorizimin pa të drejtë të të pasurve. P.sh., një familje e varfër konsumon të themi vetëm 1 kg mish në muaj me çmim 600 lekë/kg dhe kursimi mujor nga mosaplikimi i TVSH-së do të ishte vetëm sa 1/6 e çmimit me pakice ose rreth 100 lekë, kurse për një familje të pasur që konsumon të themi 10 kg fileto me çmim 1200 lekë/kg, fiton 2 mijë lekë nga mosaplikimi i TVSH-së. Pa përmendur se përgjithësisht të varfrit nuk blejnë në dyqane të mëdha, zinxhirë supermarketesh të regjistruara në TVSH, por te kasapi i lagjes, i cili është me siguri nën kufirin prej 5 milionë lekësh të regjistrimit.
Shkaku i tretë është se gjithnjë, përjashtimet në administrim e vështirësojnë jashtëzakonisht procesin. Ne kemi 15 vite përvojë në administrimin e TVSH, në raport me vendet e tjera që kanë shumë herë më shumë se në administrim të kësaj takse. Këtë e them pasi është e shumë e vështirë të administrosh, të themi miellin që shkon për bukë masive e që duhet të jetë i përjashtuar nga mielli që shkon për biskota, makarona etj., të cilat duhen tatuar.
Megjithatë, me debatin luhet edhe hipoteza se të pasurit paguajnë njëlloj taksa me të varfrit, pra kanë të njëjtën skemë tatimore. Nëse e shikojmë në këtë prizëm, a ka hapësira për të ndryshuar raportin?
Në përgjithësi, për të mbrojtur shtresat e varfra, përdoret rritja e kufirit të patatueshmërisë së të ardhurave. Gjykoj se këtu ne mund të bëjmë diçka, pra të prezantojmë një sistem, ku të ardhurat në një limit të caktuar duhet t´i përjashtojmë nga taksat. Flas për të ardhurat gjithëpërfshirëse nga paga, interesi, qiraja, dividentët, fitimi kapital, të drejta intelektuale e industriale etj., të cilat në vitin 2012 do të duhen të deklarohen. Meqenëse këto të ardhura janë taksuar në burim, atëherë në procesin e deklarimit të të ardhurave mbarëvjetore ka sens t´u kthehet tatimpaguesve me të ardhura nën një nivel të caktuar i gjithë tatimi që u është ndalur në burim. Në një sistem “flat-tax”, përgjithësisht perceptohet sikur të pasurit paguajnë më pak taksa, çka nuk është e vërtetë, pasi shkalla tatimore është e njëjtë dhe proporcionale për të dyja kategoritë. Por ndryshe nga filozofia e majtë për të taksuar shumë më fort të ardhurat e niveleve të larta, të djathtët besojnë se kursimet që vijnë nga kjo kategori janë vërtet më të mëdha, por këto kursime përkthehen në më shumë konsum, në më shumë investime, më shumë punësim, pra në më shumë zhvillim. Kur them të pasurit, nuk e kam fjalën vetëm tek individët, por edhe te korporatat e mëdha
Selami Xhepa, anëtar i PD-së, në Komisionin parlamentar të Ekonomisë
Reduktimi i TVSH-së rrit fitimet e tregtarit
Kufiri i pataksueshëm, skema që mbron të varfrit
Propozimet e fundit të PS-së synojnë uljen e TVSH-së dhe zerimin për disa produkte. Cili është gjykimi juaj?
Propozimet që kanë ardhur nga PS lidhur me disa ndryshime në ligjin për TVSH për produktet ushqimore dhe medikamentet, në mendimin tim ka një qëllim të mirë, por mekanizmi i propozuar nuk është i gjetur. Domosdoshmëria për të ndihmuar shtresat në nevojë, të cilat goditen disproporcionalisht nga ndryshimet e çmimeve, veçanërisht të mallrave ushqimore, është një kauzë fisnike dhe humane. Veçanërisht duke marrë shkas nga ndryshimet dramatike që kanë marrë tregjet e mallrave të konsumit që prej krizës së vitit 2007 e në vazhdim, situata kërkon vëmendje dhe veprim me politika publike më të forta. Grupe të caktuara të popullsisë sigurisht që janë prekur më ndjeshëm në të ardhurat e tyre nga këto zhvillime, gjë që mund të ketë ndikuar në rënien e nivelit të jetesës.
Megjithatë, nuk gjykoj se ndryshimet e propozuara në ligjin e TVSH-së do t´ia arrijnë qëllimit. Sigurisht, taksat janë një element në formimin e çmimit dhe çdo rritje e tyre, menjëherë do të ndërfutet në çmimin final të konsumatorit. Por, në kushtet e çmimeve të liberalizuara, elementë të tjerë më të rëndësishëm që varen nga struktura e tregut, gjendja e konkurrencës në treg janë përcaktuese në çmimin final të një produkti. Në këto rrethana, uljet e taksave apo edhe reduktimet e kostove të prodhimit të produkteve, shpeshherë maskohen nën efektin e deformimeve strukturore të ekonomisë, duke mos i kaluar efektet pozitive të kursimeve në prodhim, te konsumatori në formën e prodhimeve me çmime më të ulëta. Rezultati është një rritje e fitimeve të tregtarëve dhe asnjë efekt te konsumatori final. Kjo është një tezë e vjetër e teorisë ekonomike, mbi qëndrueshmërinë e çmimeve (dhe të pagave) dhe rezistencën e tyre për t´u ulur. Është ky argument i teorisë, por edhe i praktikës, që më bën skeptik të besoj se reduktimet e TVSH-së do të sjellin efektin që pretendojnë kolegët e opozitës. Përkundrazi, sipas meje, kjo do të sillte thjesht dhe vetëm rritjen e fitimeve të tregtareve.
Ka një debat lidhur me sistemin e taksave në tërësi. Cilën kategori prekin më shumë detyrimet fiskale, sa i takon familjeve dhe biznesit dhe a duhet bërë një ndarje në varësi të të ardhurave?
Po, së fundmi është hapur një debat në shkallë globale për një reformë të sistemeve të taksimit, kryesisht të fokusuar në tregjet dhe në produktet financiare. Ideja që vështirë se do të gjejë materializim është të vendoset një taksë 1% mbi disa lloje të transaksioneve financiare, si një element dekurajues për investimet në tregjet derivative, që konsiderohen gjerësisht si fajtorë të krizës aktuale. Them vështirë, se do të konkretizohet për shkak të konkurrencës në botën e tregjeve të liberalizuara financiare dhe që do të çonte në devijim të qarkullimeve financiare drejt vendeve të tjera dhe eficiencës së dështuar të politikave të tilla, siç ishte eksperimentimi që ka bërë Suedia në krizën e saj bankare në fillimet e viteve ‘90. Këto taksa janë quajtur si “taksat Robin Hood”.
Në vendet e zhvilluara, taksat e drejtpërdrejta: si tatimi me të ardhurat, fitimet dhe pasurinë janë burimi kryesor i të ardhurave të buxhetit. Ndërsa në ekonomitë në zhvillim janë tatimet e tërthorta: TVSH, akcizat. Tatimet indirekte kanë një sërë avantazhesh, që nga lehtësia në grumbullim dhe janë të maskuara brenda çmimit të një malli apo shërbimi. Sigurisht që një kalim nga tatimet e tërthorta drejt tatimeve të drejtpërdrejta do të kryhet, por ky është një proces ndryshimi strukturor që do të kërkojë kohën e duhur. Kur akoma njerëzit nuk janë pronarë legjitimë të pasurive të tyre, duke ju munguar dokumentet e pronësisë, sigurisht që e kufizon aftësinë e shtetit për të nxjerrë të ardhura nëpërmjet këtij lloji taksimi. Po kështu, kur të ardhurat dhe fitimet nga investimet janë në nivele modeste, të ardhurat që mund të sigurojë buxheti janë të kufizuara. Prandaj, ky ndryshim strukturor nga të ardhurat nga tatimet e tërthorta tek ato të drejtpërdrejta, do të kërkojnë një kohë relativisht të gjatë.
Por, parimi themelor i taksimit në historinë e njerëzimit, i mishëruar në Kushtetutat dhe në të drejtën zakonore, ka qenë parimi i proporcionalitetit. Kjo do të thotë se njerëzit duhet të paguajnë për buxhetin e shoqërisë proporcionalisht me të ardhurat e tyre. Ky parim u ndryshua për herë të parë në fillimet e shekullit të njëzet, si një nevojë emergjente për të financuar luftërat botërore dhe u zëvendësua me parimin e famshëm “pay as you go”, domethënë sipas aftësisë për të paguar. Ky ndryshim i këtij parimi, u shoqërua me një legjislacion kontabël që iu ofronte mundësi të shumta individëve apo bizneseve të pasura që të maskonin fitimet, duke u klasifikuar gjithnjë në nivelet modeste të të ardhurave. Pra, edhe pse dukja ishte se sistemi po taksonte më fort të pasurit, në fakt kontributi i tyre në të ardhurat publike ka qenë gjithnjë shumë i vogël. Prandaj teza për të kaluar drejt një tatimi të sheshtë, një nivel për të gjitha llojet e të ardhurave është debatuar prej kohesh në qarqet akademike dhe politike, por është materializuar vetëm në disa prej ekonomive në tranzicion, përfshirë edhe vendet e rajonit tonë. Unë besoj se kjo është një ndër reformat më pozitive që janë kryer në këtë fushë. Kalimi sërish drejt tatimit proporcional, me disa shkallë sipas shumës së të ardhurave, do të ishte një ecje mbrapa. Por, është e mundur që për shtresat me të ardhura të ulëta, të rritet kufiri përjashtues. Për shembull, të ardhurat deri në 25,000 lekë mund të ishin të ardhura të përjashtuara. Po kështu, duke qenë se nga ky vit do të fillojë përgatitja e deklaratave të të ardhurave në nivel individual, politikat mbështetëse të të ardhurave mund të pasurohen me risi inovatore, që nga rikthimi i një pjese të taksave të paguara për individë/familje, që bien nën një prag të caktuar të të ardhurave.
A nevojitet rishikimi i taksave në tërësi, në favor të familjeve të varfra?
Ka mundësi që të kryhen disa politika mbështetëse, pa prekur normat aktuale të taksimit, siç është rritja e pragut përjashtues, kompensimet me të ardhura nga buxheti për familjet që paraqesin në deklarimin vjetor të ardhura nën një kufi të caktuar vjetor etj. Nga ana tjetër, teoria dhe përvoja më e mirë që ne kemi nxjerrë nga historia është se nuk janë taksat instrumenti më i mirë dhe efektiv i politikave sociale. Përkundrazi, krahu i shpenzimeve është konsideruar si më efikasi dhe më i ndershmi nga pikëpamja e drejtësisë sociale. Shqipëria është akoma në një rrugë të gjatë, për të krijuar klasën e vet të sipërmarrësve, për të nxitur sipërmarrjen prodhuese, për të shtuar stokun e kapitalit të tij. Kjo do të thotë se duhen ofruar nxitje të duhura dhe një mjedis inkurajues për to, duhet shpërblyer shpirti sipërmarrës. Në të kundërt, shoqëria nuk do të ketë më shumë të ardhura për të shpërndarë, por veçse do të bëjë rishpërndaje të së njëjtës gjë. Ky është fenomeni i rrezikshëm i “kurthit të shoqërisë në zhvillim” – vendi ngërthehet në një status të pandryshuar të të ardhurave, ose në statusin e një shoqërie duke u zhvilluar, por pa progres. Kjo duhet të mbahet fort në konsideratë, kur hartojmë politikat publike, veçanërisht ato të taksave. Kjo është arsyeja që sugjerimet që paraqesin kolegët e PS-së nuk duken të arsyetuara. Arritja e objektivave qëllimmira kërkon gjetjen e zgjidhjeve që të çojnë drejt tyre, dhe jo çdo politikë mund ta arrijë këtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.