Në këtë kohë masash të rrepta, shumë qeveri po kërkojnë rrugë për të mbyllur gropat në buxhetet e tyre, duke taksuar më shumë të pasurit. Këto propozime janë të mira për politikën, por të tmerrshme për ekonominë.
Javën e kaluar, koalicioni qeverisës i Mbretërisë së Bashkuar prezantoi buxhetin për vitin e ardhshëm. Midis propozimeve të diskutuara nga partnerët e koalicionit është e ashtuquajtura taksa e shtëpive luksoze
një normë vjetore prej 1% mbi shtëpitë që vlejnë më shumë se 2 milionë paund (3.2 milionë dollarë).
Në Rusi, ndërkohë, presidenti i sapo zgjedhur, Vladimir Putin po punon për të vendosur një taksë luksi, që do të zbatohet për blerësit e makinave dhe dhe pronave të shtrenjta.
Në Francë, kandidati për president i Partisë Socialiste, Francois Hollande, po propozon një taksë prej 75% për individët që fitojnë më shumë se 1 milion euro.
Kundërshtari i tij konservativ, Presidenti Nicolas Sarkozy, është kundërpërgjigjur me propozimin për të taksuar të ardhurat globale të korporatave të mëdha franceze dhe të mbledhë taksa nga emigrantët fiskalë
(taksë e lidhur me rezidencën, për të ndaluar taksapaguesit e pasur, që të lënë vendin dhe të bëhen rezidentë në një vend tjetër, me nivel taksash më të ulëta.)
Plani i Hollande ndërkohë mund të jetë frymëzuar nga debatet në SHBA, ku presidenti Barack Obama ka propozuar një mbitaksë për amerikanët me të ardhura prej më shumë se 1 milion dollarë.
Plani njihet si rregulli Buffett, emërtuar sipas Warren Buffett, (miliarderi i dytë sipas listës së më të pasurve të botës) i cili kërkoi vendosjen e një takse të pocaçme për miliarderët, si ai vetë.
Buffett, sigurisht, nuk mund të paguajë një normë më të ulët takes, sesa punonjësit e tij. Por pak nga këto propozime mund të ndikojnë efekt në deficitet buxhetore, me të cilat po përballen këto vende.
Norma faktike e taksimit së vetë Buffett ulet nga pjesa e madhe e fitimeve të realizuara nga dividendët dhe fitimet kapitale, të cilat kanë norma më të ulëta taksash sesa të ardhurat e zakonshme.
Nuk është e qartë nëse një mbi-taksë mbi të pasurit do ta ndryshonte këtë.
Merrni në konsideratë idenë e taksës mbi super-shtëpitë në Britaninë e Madhe, për të cilën kryeministri David Cameron është përpjekur të bindë partnerët e tij të koalicionit, Liberal Demokratët, që ta hedhin poshtë.
Taksa mund të siguronte rreth 1.7 miliardë paund çdo vit, sipas një vlerësimi të Liberal Demokratëve, vlerë që Instituti i Studimeve Fiskale në Londër thotë se mund të jetë e saktë.
Kjo mund të ndikojë fare pak për të përmirësuar deficitin buxhetor, që instituti parashikon se do të jetë 124 miliardë paund gjatë vitit të ardhshëm.
Socialistët francezë kanë vlerësuar se taksa e saj e planifikuar mbi milionerët mund të sigurojë 200- 400 milionë euro, një shifër e papërfillshme.
Dhe analistët thonë se të ardhurat nga taksa mund të rezultojnë edhe më të ulëta, varet se si do të reagojnë super të pasurit e Francës.
Përsa i përket rregullit Buffett në SHBA, shprehja e miliarderit investitor “Unë akuzohem” është e lavdërueshme, por ajo gjithashtu e ka zhvendosur debatin nga fakti nëse duhet rritur taksa për më të pasurit që zënë 1% të popullsisë,
apo super të pasurit që përbëjnë 0.1%. Siç e kemi thënë më parë, ky plan është një budallallëk. Bazuar në të dhënat e vitit 2009 nga Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave, dyfishimi i taksës për të pasurit,
që përbëjnë 0.1% të popullsisë, mund të gjenerojë përafërsisht 190 miliardë dollarë në vit të ardhura shtesë, ose 1.3% të prodhimit të brendshëm bruto –
një të gjashtën e reduktimit të deficitit që ekonomistët vlerësojnë se duhet që të rregullohen financat afat gjata të qeverisë amerikane.
Për të dhënë një ide rreth efektit shtrembërues të taksës së keq-konceptuar mbi të pasurit, merrni në konsideratë normën e taksës prej 50% për njerëzit, që fitojnë më shumë se 150,000 paund që Gordon Brown,
kryeministri i fundit i laburistëve, zbatoi pak javë përpara se të humbte zgjedhjet ndaj Cameron në 2010-n. Thesari i Mbretërisë së Bashkuar vlerësoi se rritja mund të gjeneronte një shumë shtesë prej 2.4 miliardë paund në vit,
duke marrë parasysh dhe të gjithë njerëzit që mund të linin vendin ose të gjenin rrugë për të shmangur taksën. Në rast se askush nuk do të ndryshonte sjellje, ndryshimi i taksës mund të generonte trefishin, rreth 7.8 miliardë paund.
Qeveria e Cameron thotë se do që ta heqë këtë taksë, vetëm dy vjet pasi ajo filloi të zbatohej.
Nuk ka një përgjigje të vetme për të rregulluar sistemin e taksave të të gjitha ekonomive të zhvilluara, duke qenë se strukturat dhe kulturat e tyre të taksave ndryshojnë gjerësisht.
Por qeveritë duhet të shmangin qartazi tundimin për t’u përqendruar vetëm te super të pasurit dhe në vend të kësaj duhet të prekin klasën mbi të mesmen.
Të veprosh kështu mund të jetë politikisht më e vështirë, për shkak se prek më shumë votues. Por është e vetmja mënyrë për të siguruar ato të ardhura që mund të ulnin realisht deficitet buxhetore.
Po aq e rëndësishme është që qeveritë duhet të fillojnë reforma reale të taksave, që synojnë të thjeshtojnë kodet e taksave tepër të komplikuara dhe të eleminojnë përjashtimet dhe shtigjet që shmangin sjelljen dhe favorizojnë mbi të gjitha të pasurit.
Kjo është një fushë ku amerikanët, që u rezistojnë taksave, dhe europianët, që shpenzojnë me tepri, mund të kuptojnë se kanë më shumë gjëra të përbashkëta sesa ata mendojnë.
Marrë nga www.blomberg.com
(Artikulli botohet në kuadrin e debatit për taksimin e të ardhurave, që është temë, që sikurse e shikoni, tejkalon Shqipërinë)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.