Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se taksa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Ai ka thënë se kjo do të hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Kurti ka thënë se pret që Serbia të deklarohet se ka vullnet për ndaljen e fushatës për çnjohjet e pavarësisë së Kosovës. Kurse, kundër Kurtit tashmë kanë dalë opozita dhe ekonomistë të ndryshëm. Reagime të ashpra ka pasur edhe nga Amerika.
“Tarifa 100% ndaj mallrave të Serbisë do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Tarifa 100% hiqet porsa të vendoset reciprociteti. Shumë shpejt fillojmë t’i përgatisim Doganat e Kosovës për këtë”, kjo është deklarata e fundit që e ka bërë Albin Kurti gjatë këtij vikendi.
Ai ka treguar se si kryeministër i Republikës së Kosovës, ka shprehur vullnetin që ta heqim tarifën 100%.
Edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë.
“Siç e dini programi i përbashkët i koalicionit qeverisë është prezantuar nga ana e kryeministrit të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës me datën 3 shkurt dhe aty është bërë e qartë që ashtu siç kemi thënë para qytetarëve, ne besojmë që tarifa duhet të zëvendësohet me masë të reciprocitetit në raport me Serbinë”, u shpreh Osmani.
Osmani deklaroi se, për ta hequr atë tarifë, Serbia duhet të ndërpresë fushatën që po e bën kundër njohjeve të Kosovës.
Mirëpo, partitë opozitare janë shprehur kundër heqjes së taksës kurse reciprocitetin ndaj Serbisë e shohin si masë jo të duhur.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli në një postim në rrjetin social, Facebook ka thënë se taksa 100 për qind ndaj importeve të Serbisë nuk duhet hequr, pasi sipas tij, ai vendim ka qenë dinjitoz për Kosovën.
“Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, ka thënë Veseli.
I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të PDK-së, Kadri Veseli, i cili kërkoi nga kryeministri Albin Kurti të mos e largojë taksën.
Përmes një postimi në Twitter, Grenell ka shkruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e kërkojnë heqjen e taksës, duke shtuar se Kurti ka të drejtë në këtë çështje.
“Kadri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kërkojnë Kosovës heqjen e taksës 100 %. Po e dëmton Kosovën dhe po pengon bizneset të krijojnë vende të reja të punës. Albini ka të drejtë këtu”, ka shkruar Grenell.
Partia e Veselit ka qenë pjesë e koalicionit qeveritar, kur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vendim për taksën në nëntor të vitit 2018.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, cili ka vendosur taksën i ka kërkuar kryeministrit, Albin Kurti, të mos e heqë taksën ndaj mallrave serbe.
Përmes një letre drejtuar Kurtit, Haradinaj thotë se “në kundërshtim të Serbisë duhet të jemi bashkë deri në njohje reciproke, e jo të jesh për një reciprocitet pa njohje”.
“Albin, mos e lejo tregun e fitimit të mbi 400 milionë Euro-ve për Serbinë, shtetin i cili të ka rrahur e të ka torturuar. Shtetin, që me paratë e popullit të Kosovës blenë armë në Rusi. Të lutem, mos e kamuflo këtë vendim sovran me terme të mjegullta siç është “reciprociteti”. Mos e hjek taksën Albin. Mos u tërhiq për disa poena të përkohshëm që mund t’i fitosh nga bashkësia ndërkombëtare. Miku që është mik i vërtetë të don e të ndihmon me lavd, por edhe me kritika. Nëse nuk jemi të zotët e vetes nuk na don as miku, ka shkruar Haradinaj.
Ndërkaq, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, i ka quajtur të ngutshme deklaratat nga kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, se taksa ndaj mallrave serbe duhet të zëvendësohet me reciprocitet politik, ekonomik e tregtar.
Sipas tij, duhet analizë më e mirë se si duhet të jetë reciprociteti i plotë.
“Vet pranimi se po do ta heqim taksën aq shpejt, pa qitë kushte më është dukur si i ngutshëm nga ana e kryeministrit dhe kryetares së parlamentit… ne ende nuk kemi diskutuar në parti tonë besoj se shumë shpejt do të dalim me një qëndrim. Ato do t’i shfaqim në Kuvendin e Kosovës, se a është bërë mirë largimi i taksës, apo jo”.
E, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të konsultohet me komunitetin e biznesit, para se të vendoset masa e reciprocitetit me Serbinë.
Rukiqi thotë se kjo konsultë duhet të bëhet për t’i identifikuar kërkesat e biznesit.
“Në këtë aspekt duhet të kemi një qartësi. Unë e kam dëgjuar kryeministrin që të konsultohet me komunitetin e biznesit. I bëjë thirrje kryeministrit që bëjë konsulta që të mund t’i identifikojmë qartë kërkesat”.
Ai ka shtuar se reciprociteti nuk është masë e jashtëzakonshme.
“Kryeministri Kurti e ka publikuar qëndrimin e tij, ende jo vendimin, pasi që kjo është vendim qeveritar, që taksa duhet të zëvendësohet me reciprocitet. Unë reciprocitetin e kuptoj si diçka më normale, për shkak se nuk është masë e jashtëzakonshme, ndërsa taksën e kam konsideruar si instrument të jashtëzakonshme në të gjitha raportet tregtare, ku vendeve duhet t’i qasemi me reciprocitet”, tha ai.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu tha se kritikat që filluan ditët e fundit ndaj qeverisë së re duhet të lihen pas 100 ditëve.
“Jemi dëshmitarë te sulmeve dhe kritikave të udhëhequr nga Kurti, këto kritika do të ishte mirë të bëhen pas 100 ditëshit të parë” tha ai.
Sipas tij qeveria ende nuk është konsoliduar, duke përfshirë edhe planprogramin i cili nuk është i kompletuar dhe fuzionimini i ministrive në 15 edhe nuk është kryer.
Gërxhaliu vlerësoi se kritika e opozitës ndaj qeverisë është e mirëseardhur sepse ajo është në funksion të shtetit dhe jo vetëm të pushtetit.
“Dialogu konstruktiv pozitë-opozitë dhe i argumentuar është frymë demokratike e cila duhet të jetë në funksion të zhvillimit të Kosovës” tha ai.
Sipas tij dhënia e mundësisë 100 ditore për qeverinë e re që të tregoj performancë dhe përgjegjësi është mëse e rekomanduar sepse Kosova ka shunë sfida para vetes.
Gërxhaliu tha se qeveria e re duhet ta kuptojë se ka para vetes një opozitë shumë të fortë dhe me përvojë parlamentare dhe për këtë partneritetii është mëse i domosdoshëm.
Tutje analistët kanë thënë se Kosova mund edhe të shpërblehet me liberalizim nëse largohet taksa 100%, por nuk duhet të jetë ky një kusht për liberalizim pasi që, Kosova tashmë ka realizuar të gjitha kushtet për liberalizim.
Kujtojmë se në fund të vitit 2018, Qeveria e Kosovës, me në krye Ramush Haradinajn, u ka vënë taksë 100% importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Kjo ka bërë që të ndërpritet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është zotuar se nuk do të rikthehet në dialog pa u hequr taksa.
Përderisa debatet rreth taksës në Kosovë vazhdojnë, thirrje për heqjen e këtij vendimi drejtuar qeverisë Kurti, kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Çfarë nënkupton reciprociteti
Reciprociteti nënkupton trajtim të barabartë. Psh, nëse Serbia nuk i njeh diplomat Kosovës, as Kosova nuk ia njeh Serbisë. E njëjta gje mund të zbatohet psh për targat, produktet.
Me reciprocitet nënkuptohet zgjidhja e problemit të shkëmbimit tregtar, verifikimi i mallit. Serbia ka vendosur kushte shtesë për produktet që vijnë nga Kosova për të mos i pranuar ato që u referohen si Republika e Kosovës. Me reciprocitet përfshihet edhe lëvizja e lirë, problemet që ka Kosova për hyrje në Serbi siç janë targat e automjeteve./Fatos Shala për Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.