Ka shumë arsye për të pasur shpresë. Por virusi nuk është mposhtur ende
500,000 është thjesht një numër shumë i madh. Nuk është as i saktë, duke pasur parasysh se ndoshta 100,000 vdekje në Amerikë nga COVID-19 nuk janë llogaritur kurrë. E megjithatë, secila prej tyre përfaqësonte dikë: gjyshër dhe halla, miq të vjetër dhe të rinj, fqinjë dhe kolegë pune.
Shumë prej tyre vdiqën në vetmi, shkruan The Economist. Më 22 shkurt, presidenti Joe Biden u bëri homazh në Shtëpinë e Bardhë 500,071 amerikanëve që kanë humbur jetën nga pandemia. Duke i paralajmëruar bashkatdhetarët e tij që të mos e shohin “çdo jetë si një statistikë ose një turbullirë”, ai tha se nuk kishte “asgjë të zakonshme në to”. Në orën pesë, flamuri me yje dhe vija u ul në gjysmështizë për pesë ditë, ndërsa 500 qirinj mbuluan shkallët e Portikut të Jugut.
Në pak më shumë se një vit, pandemia ka vrarë amerikanë në shkallën e një lufte botërore ose një katastrofe të gjatë, si Kriza e Opioideve (shih grafikun). Në terma absolutë, asnjë vend nuk krahasohet me numrin e vdekjeve – Brazili, i cili vjen i dyti, ende nuk ka regjistruar 250,000 vdekje. Në terma relativë Amerika ka regjistruar 151 vdekje për 100,000 banorë, më pak se Belgjika, Britania, Italia dhe Portugalia, por ndër më të rëndat.
Pyetja është se çfarë shkoi keq. Amerika ka shumë prej shkencëtarëve më të mirë të mjekësisë dhe Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve është ndër institutet e shëndetit publik më të respektuara në botë.
Politika është pjesërisht fajtore. Donald Trump e ktheu shkencën dhe shëndetin publik në një arenë për luftime partizane.
Sukseset, si programi i vaksinave Warp Speed, u dëmtuan nga dështime si konceptimi i maskave të fytyrës si një provë e përkatësisë politike. Por vetëm politika nuk mund të shpjegojë pse fatkeqësitë në Amerikë janë shumë më të mëdha se në Japoni, një vend i mbushur me njerëz të moshuar që ka regjistruar vetëm gjashtë vdekje për 100,000 banorë. Një analizë e plotë duhet të peshojë edhe faktorë të tjerë, duke përfshirë diabetin, obezitetin, kujdesin për të moshuarit, shëndetin publik në një vend të pabarabartë dhe gjenetikën.
Pyetja tjetër është nëse ka kaluar apo jo më e keqja. Infeksionet e regjistruara në Amerikë janë ulur me 70% nga kulmi i tyre në janar. Vdekjet janë ulur me rreth 40%. Rënia e shpejtë është e vështirë të kuptohet sepse drejtohet nga e njëjta dinamikë eksponenciale, si rritja e papritur e rasteve në nëntor.
Përsëri, janë në lojë disa faktorë kompleksë, duke përfshirë imunitetin e fituar përmes infeksionit dhe vaksinimit, dhe masat paraprake që marrin njerëzit kur infeksionet rriten, qoftë sepse kjo kërkohet nga autoritetet, apo sepse mendojnë se nuk është koha më e mirë për të pasur nevojë për një shtrat në spital.
Ka arsye për optimizëm. Vaksinimi i personave më të cenueshëm po vazhdon me shpejtësi dhe kjo duhet të ulë më tej vdekjet dhe shtrimet në spital. Zbrazja e pavijoneve të kujdesit intensiv do të ulë vdekshmërinë. Trajtimet po përmirësohen. Por virusi nuk është mposhtur ende.
Modelimi për zonën e San Diegos, i raportuar kohët e fundit në revistën “Science”, tregon se për shkak të përhapjes së një varianti më të transmetueshëm të virusit, i spikatur për herë të parë në Britani, zbutja e masave të distancimit social atje do të shkaktonte rritje të egër të rasteve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.