Ndryshimi i skenarit që po jetojmë na detyron të ndryshojmë dhe na çliron nga skllavëria e zakoneve të vjetra
“Asgjë nuk do të jetë si më parë”. Kjo është shprehja e momentit. Këto ditë, “futurologët” po analizojnë pasojat e pandemisë në stilin tonë të jetës në të ardhmen. Mbase e ekzagjerojnë. Na thonë se mënyra se si do të kujdesemi për veten, do të bëjmë ushtrime fizike, pazar, do të zhvillojmë mbledhje, festa, etj., do të ndryshojë përgjithnjë. Në të vërtetë nuk e dimë se si do të shkojë. Ajo që të gjithë ndiejnë është se gjithë njerëzimi është përballë kësaj situate. Ka një para dhe një pas koronavirus, për shoqërinë, familjet, për kompanitë, për secilin prej nesh.
Ashtu si të gjithë pyes veten se si do të ndryshojë puna ime dhe po përpiqen që të marr masat. Jam i shqetësuar, si të gjithë. Por, përjetoj edhe diçka të re. Po përjetoj një ndjesi të lehtë të lirisë mendore dhe besoj se kjo mund të jetë një ndjenjë e zakonshme për të gjithë. Çfarë nënkuptoj me shprehjen ‘liri mendore?’ I referohem lirisë për të menduar veten të angazhuar në një skenar tjetër, me zakone të reja dhe një punë të re. E tashmja, në fakt, synon të na burgosë. Sado vizionar që të jemi, aftësia jonë për të imagjinuar frustrohet gjithnjë nga të qenët me “këmbë në tokë” në të tashmen. Është një luftë mes fluturimeve pindarike të fantazisë sonë dhe kënetës së vazhdimësisë të asaj që “çdo gjë rrjedh si zakonisht”
Lufta shëndetësore, bërja e llogarive me brishtësinë tonë, thyen paradigmën e vazhdimësisë së të nesërmes, e cila do të jetë pak a shumë e ngjashme me të sotmen. Dhe kjo, në mënyrë paradoksale, pavarësisht vuajtjeve të momentit, na bën më të lirë. Karantina bëhet një rast i mirë “për të ëndërruar konkretisht”. Në kuptimin e përgjithshëm, të fantazosh do të thotë t’i kushtohesh një ushtrimi intelektual, të qëndrosh me kokën në mes të reve. Por në këto ditë, ëndërrimi bëhet ushtrimi i duhur dhe konkret, për disa për ne madje një ushtrim i nevojshëm.
Një nga sloganet më motivuese në botën e menaxhimit në vitet e fundit ka qenë «change before you have to» (ndryshoni para se t’ju duhet ta bëni). Tani dy fjalët e para kanë rënë. Ndryshimi nuk është më një mundësi. Në këto ditë karantine, e keni gjetur veten të lirë të përdorni gjithë imagjinatën tuaj për të shkruar një projekt të ri jete e pune, kur kjo emergjencë të përfundojë dhe kur të nisi “paslufta”.
Gjatë viteve të fundit, kam takuar qindra klientë që më kërkonin ndihmë në kërkimin për një punë të re. Të gjitha këto projekte po ndeshen me fazën që unë e përkufizoj “burgosje në të tashmen” – dua të ndryshoj punë (dhe jetë) por kur vjen momenti i veprimeve konkrete, atëherë më kap frika e vendimeve të pakthyeshme e cila më paralizon.
“Megjithatë, nuk jam dhe aq keq”. Më shumë se gjysma e kërkimeve të një pune të re i nënshtrohen “burgosjes së të tashmes”.
Momenti dramatik që po jetojmë, është objektivisht, përtej retorikës, një rast i jashtëzakonshëm për të rimenduar e për t’i bërë vetes pyetjen më të bukur që ekziston, të cilën ia kemi bërë që kur ishim 6 vjeç dhe vijon të na pyesë për gjithë pjesën tjetër të jetës: “Çfarë dua të bëhem kur të rritem?”. Është momenti për të ëndërruar, por në mënyrë konkrete ama!
* Lorenzo Cavalieri, Managing Partner i shoqërisë së këshillimit dhe formimit, Sparring