I projektuar nga arkitekti Vincent Callebaut, do të thithë rreth 130 tonë dioksid karboni çdo vit, falë një pylli vertikal, i përbërë nga 23 mijë pemë, shkurre dhe bimë
Një qiellgërvishtës, i cili do të thithë dioksidin e karbonit. Ai është projektuar – dhe thuajse i përfunduar – në Taipei, Tajvan, nga studio parisiene e arkitektit Vincent Callebaut. Quhet Tao Zhu Yin Yuan dhe tërheq menjëherë vëmendjen për shkak të formës, që frymëzohet nga ADN dhe struktura e dyfishtë spirale.
Siç shpjegohet në faqen zyrtare të studios parisiene, objektivi kryesor i projektit – i lidhur me grataçielën Tao Zhu Yin Yuan – është promovimi i arkitekturave që synojnë, gjithnjë e më shumë, thithjen e dioksidit të karbonit duke nxitur uljen e temperaturës së Tokës.
Në një moment kur ndryshimet klimatike dhe ngrohja globale janë në axhendën e ditës së shumë vendeve dhe qeverive, grataçiela Tao Zhu Yin Yuan kërkon të jetë një shembull. Projekti frymëzohet edhe nga filozofia e Fan Li, i cili e sheh botën si një komunitet – çdo ndryshim që sjell përfitime, nuk është i kufizuar, por lidhet me të gjithë.
Në strukturë është integruar një pyll vertikal për të thithur dioksidin e karbonit. Në hapësirat e hapura (në katin përdhes, ballkone dhe në tarracë) do të jenë të pranishme 23 mijë pemë, shkurre e bimë. Sipas të dhënave të studios së arkitektit Vincent Callebaut, falë kësaj ‘mbulese’ të gjelbër në 246% do të thithen rreth 130 tonë dioksid karboni në vit.
Bimët në ballkone do të ndihmojnë edhe në furnizimin me oksigjen dhe lagështisë në mjedis. Ato do të zvogëlojnë zhurmat nga jashtë dhe do t’u përshtaten stinëve: në verë do të garantojnë ajër të freskët dhe të lagësht, ndërsa në dimër, ngrohtësi dhe ajrosje.
Ndërtesa do të përmbushë edhe nevojat energjetike. Grataçiela Tao Zhu Yin Yuan do të përdorë një sistem diellor dhe eolik për furnizimin me energji elektrike – falë kësaj zgjidhje, konsumi i dioksidit të karbonit reduktohet me 35 tonë në vit.
Kursimi i energjisë bëhet edhe nëpërmjet ashensorëve të pajisur me njësi rigjeneruese, kondicionerëve me efikasitet të lartë, ndriçimit LED dhe sistemit të shpëlarjes dhe kursimit të ujit. Vlen për t’u theksuar edhe sistemi i riciklimit të ujit të shiut i cili, pasi mblidhet, përdoret për të furnizuar spërkatësit e kopshtit.
Grataçiela Tao Zhu Yin Yuan do të ketë 42 apartamente, të shpërndara në 20 kate dhe secili prej tyre do të karakterizohet nga 14 pemë të mëdha. Pjesa më interesante e ndërtesës ka të bëjë me formën e spirales së dyfishtë. Duke ndjekur konceptin e Taiji dhe ciklin e pandërprerë të jetës, çdo kat është rrotulluar me 4.5 gradë për një total prej 90 gradësh, nëse marrim parasysh të gjithë ndërtesën. Forma spirale nuk u zgjodh rastësisht: në këtë mënyrë, çdo apartamenti do t’i garantohet ndriçimi maksimal natyror dhe një ajrosje më e mirë, e cila do të zvogëlojë nevojën energjetike.
Burimi: Corriere della Sera