TAP rrit investimet e huaja

19/06/2018 3:49 PM 0 komente

Investimet e Huaja Direkte e kanë nisur mbarë vitin, duke shënuar rritje të ndjeshme në tremujorin e parë të këtij viti, duke arritur në 284 milionë euro, sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, investimet e huaja kanë shënuar rritje të ndjeshme me 62% (në tremujorin e parë 2017 ishin 175 milionë euro).

Edhe në raport me tremujorin e fundit, investimet ishin 22% më të larta.

Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja në tremujorin e parë ishin kryesisht të përqendruara në sektorin e energjetikës (në masën 62%), në sektorin e hidrokarbureve (me rreth 10%) dhe atë të ndërmjetësimit financiar (në masën 8%).

Investimet në energji lidhen kryesisht me punimet për gazsjellësin TAP. Burime nga kompania TAP thanë për “Monitor” se në muajt e parë të vitit ka pasur disa investime të mëdha, si ndërtimi i stacionit të kompresorëve në Fier, ku pak ditë më parë u përurua instalimi i turbokompresorëve, janë kryer punime për kalimin e tubave të gazit përmes lumenjve në Skrapar, të cilat janë operacione shumë të kushtueshme, si dhe ndërtimi i një mikrotuneli afër Çorovodës, edhe ky një operacion i kushtueshëm.

 

Investimet nga TAP dhe Devolli

Në vitin 2017, investimet e huaja ranë me 35 milionë euro në vitin 2017, (3.7%), duke arritur në 908 milionë euro, ku ndikimin kryesor e dhanë punimet për gazsjellësin TAP. Investitori më i madh në vitin 2017 ishte Zvicra, për të dytin vit radhazi, me 330 milionë euro, i cili është dhe shteti nga i cili regjistrohen investimet për gazsjellësin, ndonëse projekti është i një konglomerati shtetesh.

Gazsjellësi TAP dhe hidrocentrali i Devollit kanë qenë dy projektet e mëdha që kanë mbajtur në këmbë investimet e huaja tre vitet e fundit.

Drejtues të TAP, në një intervistë të mëparshme për “Monitor”, pohuan se punimet për gazsjellësin TAP, projektin më të madh të realizuar ndonjëherë në Shqipëri, kanë vlerë totale 1.5 miliardë euro. Punimet do të vazhdojnë edhe këtë vit me intensitetin e 2017-s. Këtë vit, punimet për ndërtimin e gazsjellësit do të zhvendosen nga pika më e lartë në Skrapar, 1,800 metra mbi nivelin e detit, në thellësinë e detit Adriatik.

Ndërsa gazsjellësi pritet të përfundojë në 2019-n, duke shteruar burimin kryesor të investimeve të huaja. Një tjetër investim në mbarim është dhe ndërtimi i hidrocentraleve mbi lumin Devoll, një investim deri tani prej rreth 500 milionë eurosh, sipas FMN.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of