Gazsjellësi Trans Adriatik ka arritur të marrë “ditën jeshile në lidhje me vlerësimin për ndikimin mjedisor dhe social nga Ministria e Mjedisit. Kjo leje gjithashtu është publikuar edhe nga Qendra Kombëtare e Licencimit. Procesi i është nënshtruar shqyrtimit rigoroz dhjetë javor, gjatë të cilit janë organizuar tri dëgjesa me publikun nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave me personat e ndikuar nga tubacioni TAP. Me synim identifikimin e të gjithë efekteve mjedisore, kulturore ose social ekonomike të mundshme të gazsjellësit, VNMS-ja e TAP-it përfshin masa për të shmangur dhe lehtësuar çdo ndikim të mundshëm që gazsjellësi mund të shkaktojë gjatë dhe pas ndërtimit të tij. Dhënia e kësaj licence e çon projektin një hap më afër përfundimit, përmes specifikimit të kritereve ndërtimore dhe operative që duhet të përmbushen nga ekipi menaxhues, në mënyrë që projekti të jetë në përputhje të plotë me legjislacionin mjedisor shqiptar.
Përpara dorëzimit për aprovim, TAP-i i ka shpërndarë dokumentin e tij të plotë të VNMS-ës banorëve të rreth 83 komuniteteve në rajonet e Korçës, Skraparit, Beratit, Fierit, si edhe OJF-ve shqiptare. Janë mbajtur 23 konsultime me publikun me palët vendore të interesit përgjatë korridorit të TAP-it, proces në të cilin u përfshinë njësitë e qeverisjes vendore. Këto njësi së bashku me ekipin e projektit diskutuan raportin me këshillat e 83 komunave të vendosura përgjatë korridorit të gazsjellësit duke lëshuar vendime formale në mbështetje të projektit TAP. U mbajtën gjithashtu konsultime publike me OJF-të dhe institucionet e qeverisjes qendrore.
Menaxheri i TAP për Shqipërinë Albert Haak tha se : “Gazsjellësi Trans Adriatik ka theksuar gjithmonë përgjegjësinë e tij të korporatës dhe për këtë arsye jemi të kënaqur që Vlerësimi ynë i Ndikimit Mjedisor dhe Social është aprovuar. Diskutimet tona me individët, qeverisjen vendore dhe OJF-të kanë pasqyruar në mënyrë të vazhdueshme nivelet e larta të mbështetjes për TAP-in dhe ky fakt përcillet edhe nga vendimi i marrë sot.
“Duke qenë se tashmë e siguruam VNMS-në tonë, mund të ecim përpara drejt fazës së ardhshme, që lidhet me marrjen e lejeve infrastrukturore të nevojshme për fazën e ndërtimit. Ne jemi plotësisht në rrugën e duhur për të qenë gati të transportojmë gazin e Shah Deniz-it kur ky i fundit të lëvrohet në fund të vitit 2018.”
TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në Azerbajxhan përmes Greqisë dhe Shqipërisë për në Itali, nga ku mund të transportohet më tej në Evropën Perëndimore. Pjesa e Shqipërisë ku do të shtrihet tubacioni TAP do të fillojë në Bilisht Qendër në rajonin e Korçës në kufirin Shqiptaro-Grek dhe do të shtrihet për rreth 209 km deri në zonën bregdetare në veri të Fierit ku do të futet në Detin Adriatik. Pjesa detare shqiptare do të jetë 60 km e gjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.